Amiant në Vlorë, eksperti: Duket si trafik mafioz, ato lëndë sjellin kancer - Gazeta Express
string(72) "amiant-ne-vlore-eksperti-duket-si-trafik-mafioz-ato-lende-sjellin-kancer"

Amiant në Vlorë, eksperti: Duket si trafik mafioz, ato lëndë sjellin kancer

Gazeta Express

21/02/2020 21:24

Ditën e djeshme në portin e Vlorës, policia arriti të kapë një sasi të konsiderueshme mbetjesh të rrezikshme që po vinin nga Italia përmes tragetit. Mbi rastin në fjalë u arrestuan 6 persona, teksa dyshimet janë se kjo nuk ishte hera e parë që drejt Shqipërisë transportoheshin lëndë të rrezikshme për njeriun, siç është dhe amianti.

Lajmi gjeti jehonë të madhe po ashtu dhe në mediat italiane.

Lexo Edhe:

Lexo edhe: Mediat italiane zbulojnë skandalin me mbetjet e rrezikshme: Janë realizuar të paktën 15 porosi

Por çfarë dëmesh sjell kjo lëndë e rrezikshme, e ka shpjeguar në intervistë për abcnews, professor Romeo Hanxhari, ekspert i politikave të mjedisit.

Profesor, si e vlerësoni situatën për lëndët e rrezikshme që janë sekuestruar në Vlorë?

Prof. Romeo Hanxhari: Lajmi është alarmant. Nuk e di me saktësi cilat janë llojet e mbetjeve të rrezikshme por duke iu referuar medias flitet për një pjesë të mbetjeve të rrezikshme asbestit apo amianti. Është një mbetje e rrezikshme e klasit të parë.

Nëse trageti, ngarkesa, fugoni është ngarkuar në itali do të thotë që kemi një rast të trafikut ndërkombëtar të mbetjeve të rrezikshme, që është subjekt i kriminalitetit të organizuar ndërkombëtar. Ju e dini që një pjesë e aktivitetit të mafias merret me krimet mjedisore, pra trafiku i mbetjeve të rrezikshme, të cilat nëse trajtohen në mënyrë të ligjshme kushtojnë, sepse mbrohet shëndeti publik.

Duke qenë kështu tentohet gjithmonë të anashkalohen rrugët e ligjshme, protokollet e kështu trafikohen qoftë brenda vendit apo edhe në vende të tjera.

Shkencërisht, sa të dëmshme janë këto lëndë për shëndetin e njeriut?

Prof. Romeo Hanxhari: Nëse flasim për asbestin, se mund të ketë edhe lëndë të tjera të rrezikshme pasi pashë disa fuci që nuk e dimë cfarë janë, është i rrezikshëm në momentin kur ekspozohen në ajër.

Specifika e asbestit ose e amiantit është rrezikshmëria e tij që lidhet me faktin e ekspozimit ndaj agjentëve atmosferikë. Fibrat e asbestit merren nga era dhe mund të shkojnë në frymëmarrjen e gjithsecilit.

Aty pastaj ato kapen për shkak të specifikave që kanë fijet e tij, kanë strukturë të ashpër dhe duke qenë i tillë kapet në muret e brendshme të trupit të njeriut, në mushkëri, dhe aty fillojnë të krijojnë kancerin që quhet mezioteliomë, e cila shfaqet pas 10 ose 15 vitesh.

Pikërisht për këtë shkak, sepse është e pamundur që të evidentohen personat e ekspozuar, apo që të mund të kufizohet ekspozimi, pikërisht për këtë gjë ato izolohen dhe nuk lihen në gjendje të lirë.