Amerika - Gazeta Express
string(7) "amerika"

Amerika

Gazeta Express

29/02/2020 12:43

Shkruan: Dritan Dragusha

Ndërhyrja në Luftën e Dytë Botërore përfundimisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës i etabloi si një nga forcat kryesore, e që shumë shpejt do të bëheshin edhe forca kryesore globale. Në njëfarë forme, përfundimi i kësaj lufte shpërfaq fillimin e një lufte tjetër, që njihet si Lufta e Ftohtë, ku pothuajse, e gjithë bota karakterizohej nga ndarjet e thella ideologjike – në Bllokun Perëndimor, që udhëhiqej nga SHBA-të dhe në Bllokun Lindor, që udhëhiqej nga Bashkimi i Republikave Socialiste Sovjetike (BRSS). Blloku Perëndimor ideologjikisht udhëhiqej nga liberalizmi, ku në qendër ishte individi dhe të drejtat themelore të tij dhe si fundament ekonomik kishte tregun e lirë. Ndërsa Blloku Lindor udhëhiqej nga ideologjia e majtë komuniste dhe në qendër nuk ishte individi, por ishte bashkësia, sovjeti (proletariat) dhe si fundament ekonomik kishte ekonominë e kontrolluar, apo të planifikuar. Kjo ndarje do të zgjasë deri më 1989, ku rënia e Murit të Berlinit shënjon edhe rënien e Bllokut Lindor.

Lexo Edhe:

Në këtë rend ideologjik global shiptarët ishin të përfshirë po ashtu. Përplasjet e fuqive të Bllokut reflektoheshin edhe tek ne. Rreshtimin që kishte zgjedhur shteti i Shqipërisë (me vullnetin e udhëheqësisë së saj) ishte në anën e Bllokut Lindor, po ashtu, edhe pjesët e tjera shqiptare që jetonin jashtë Shqipërisë ishin në të njëjtin Bllok, por jo me vullnetin e tyre. Pra, deri më 1990 Shqipëria kishte ndjekur një politikë anti Bllokut Perëndimor dhe rreth pesëdhjetë vite kishte mbetur tërësisht e izoluar, ndërsa, pjesa tjetër e shqiptarëve (shumica e tyre) që jetonte nën Republikën Socialiste Federative të Jugosllavisë kishin qasje (sidomos kulturore) me botën perëndimore, për shkak se Jugosllavia ushëhiqte një politikë më pragmatike karshi Perëndimit. Pra, duhet ta (ri)theksojmë se si shqiptar ishim të rreshtuar kundër Perëndimit, që udhëhiqej nga SHBA-të, domethënë, janë afro gjysmë shekulli që ne (me apo pa vullnet) ishim kundër liberalizmit, demokracisë, idividualizmit dhe ekonomisë së tregut të lirë, të cilat sot janë përfshirë në normativitetin e shteteve tona, por siç duket jo edhe të përbrendësuara si kategori diskursive e mendësisë së shoqërisë sonë. Gjithashtu, duhet vënë në spikamë, se me rënien e Murit të Berlinit, shumica e vendeve të bllokut lindor i ekspozohen liberal-demokracisë, këtu bën pjesë edhe Shqipëria. Mirëpo, me Kosovën, që atëherë ishte Krahinë Socialiste Autonome, ndodh një proces tjetër, sepse siç e dimë federata jugosllave shpërbëhet përmes luftërave, kurse Kosova përmes ndryshimeve kushtetuese (1988 – ’89) dhe shumë shpejt përmes dhunës bëhet pjesë e Serbisë. Prandaj, shoqëria kosovare e asaj kohe, sidomos udhëheqësia politike e saj, duhej të manovronte në dy drejtime: në njërën anë, çlirimin nga dhuna e aparatit shtetëror serb dhe, në anën tjetër, orientimin politik kah liberal-demokracia perëndimore. 

Trajtimi i shqiptarëve të Kosovës nga vitet 1989 deri më 1999, është një dhunë sistematike dhe një përdhosje e dinjitetit njerëzor nga ana e Serbisë. Pothuajse, çdo veprim i saj atakonte vlerat humane duke shkelur çdo të drejtë fundamentale njerëzore. Nga një dhunë e këtillë kosovarët në njëfarë forme kishin filluar që edhe ta përbrendësonin të qenit qytetarë të rendit të dytë në vendin e tyre. Kështu që, hapi i parë i një artikulimi politik serioz drejt orientimit politik perëndimor dhe poramerikan, është politika e udhëhequr nga Ibrahim Rugova. Artikulimi i tij politik se rrugë e vetme për shqiptarët e Kosovës ishte Perëndimi, me theks të veçantë Amerika, është një risi për atë kohë, por edhe një nga momentet kyçe të rreshtimit vullnetshëm kah vlerat liberal-demokratike. Perëndimi me vlerat e tij, ishte bërë ­Itaka e diskursit politik të atyre viteve, e një rreshtim të tillë do ta artikulojë edhe krahu militar (UÇK-ja). E gjithë kjo përpjekje do të kulmojë me ndërhyrjen e NATO-së, të udhëhequr nga SHBA-të, pikërisht në emër të të drejtave humane dhe dinjitetit njerëzor. Ishte saktësisht kjo ndërhyrje çlirimtare që i dha kuptim qenies sonë dhe, po ashtu, ishte pikërisht kjo marrëdhënie e ndërtuar për tridhjetë vite me Perëndimin, veçanërisht me Amerikën, që do ta rikuptimësojë qenien tonë me mbështetjen e bërjes shtet të pavarur dhe sovran të Kosovës.

Rreshtimi i gabuar i Shqipërisë, për afro pesë dekada e kishte mbajtur atë të izoluar, ndërsa ne si kosovarë, të gjendur pavullnetshëm brenda Jugosllavisë komuniste, edhe pse me disa lehtësira, ishim edhe të përfshirë ideologjikisht gabueshëm, por edhe ishim të nënshtruar dhunshëm. Ndërsa, prejse jemi orientuar politikisht vullnetshëm kah Perëndimi, kah Amerika, procesi pozitiv ka qenë i gjithëpranishëm ndër ne. Në këso rastesh, dinjiteti i njeriut, apo edhe i një shoqërie, nuk është artikulim i thatë teorik. Ai është gjendje ndjesore që shkaktohet nga pozicioni që ka individi apo shoqëria në aspektin praktik. Dhe në kuadër të kësaj, në këtë tridhjetvjeçar, lirisht mund të themi se kosovarët në bashkëpunim me Perëndimin, konkretisht me SHBA-të, përveç ridimensionimit të tyre politik, kanë kontribuuar në (ri)kthimin e dinjitetit njerëzor. Ndjekja e kësaj linje në një relacion të tillë përveç që është treguar e suksesshme, është cilësuar edhe si mençuri dhe pjekuri politike. Mirëpo, nëse flasim për dy-tri vitet e fundit, e që ende po vazhdon, që në emër të ruajtjes së dinjitetit, sikur kemi filluar t’i kundërvihemi atyre me të cilët dikur bashkëpunimin e kemi konsideruar si vlerën më sublime. Shpresoj që ky delir të mos zgjasë shumë, që kaq padinjitetshëm të kërkojmë ruajtjen e dinjitetit.