Ambasadori i Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar, Uran Ferizi, është takuar me politikanin Nigel Farage për t’i thënë se pretendimi i tij se “1 në 50 shqiptarë në Britani ndodhet në burg” është plotësisht i pavërtetë.
“Është një gënjeshtër e madhe dhe megjithatë po përsëritet në GB News dhe nga politikanë të ndryshëm,” tha ambasadori Ferizi, i cili mori pjesë ditën e djeshme në konferencën e partisë së Faragë “Reform UK”.
Sipas Ferizit, statistikat zyrtare po keqinterpretohen dhe po përdoren për të krijuar pretendime që nuk kanë asnjë lidhje me realitetin.
“The Guardian” shkruan se ambasada shqiptare ka kundërshtuar shifrën prej 53 mijë shqiptarësh në Britani, e cila përdoret si bazë për të nxjerrë përfundimin se “1 në 50” është në burg.
Ferizi deklaroi: “I thashë atij se ishte thellësisht e padrejtë të përhapeshin këto gënjeshtra. Thjesht nuk janë të vërteta. Pata përshtypjen se ai ishte i hapur kur i dëgjoi dhe i kuptoi këto.”
Gjithashtu, ai i shpjegoi politikanit britanik se shqiptarët janë një shembull i mirë.
“I tregova gjithashtu se shqiptarët janë një shembull shumë i mirë i njerëzve që integrohen mirë në Britani. Punojnë shumë, mësojnë gjuhën, zakonet dhe rregullat e vendit. I thashë se ishte thellësisht e padrejtë për një vend që krenohet për drejtësinë, dhe më duket se ai e vlerësoi këtë.”, përfundoi ambasadori.
Kjo deklaratë e ambasadorit Ferizi u bë në të njëjtën ditë, që Nigel Farage deklaroi se kishte planifikuar të takohej për drekë me kryeministrin Edi Rama, për të diskutuar çështjen e dëbimit të të burgosurve shqiptarë. Farage provokoi dje duke thënë se ndoshta kur të vijë në Shqipëri do të marrë dhe disa të burgosur shqiptarë me vete dhe do të rezervonte një avion të madh që të nxërë sa më shumë prej tyre./tvklan.al