Werner Daum ishte një mik i shquar i ditëve më të vështira për Shqipërinë dhe shqiptarët, shkruan kryedemokrati Sali Berisha, në një reagim pas ndarjes nga jeta të ish-ambasadorit gjerman.
Ish-ambasadori i parë gjerman pas Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri, mbylli sytë përgjithmonë në atdheun e tij të dytë, shkruan Berisha. Ambasada e vendit të tij, nën drejtimin e tij, u shndërrua në kështjellën e lirisë të 3.800 të rinjve që shembën Murin e Berlinit në Tiranë dhe e mbushën atë me kryengritës në çdo skaj të saj, thekson kreu i PD-së.
“Ambasadori Werner Daum ishte një mik i shquar i ditëve më të vështira për Shqipërinë dhe shqiptarët. Në vitet 1989–1990, pas rënies së Murit të Berlinit, Werner Daum, përfaqësues i kombit të madh gjerman, pasardhës i një familjeje antinaziste i mëkuar me pasionin për lirinë, bëri gjithçka dhe më shumë se kushdo tjetër që të inkurajonte shqiptarët të ngriheshin kundër regjimit komunist diktatorial dhe të ndiqnin rrugën e kombeve të tjera të shtypura ish-komuniste. Me kontaktet dhe takimet e tij direkte me guximtarë të grupeve antikomuniste në Shkodër, Kavajë, Tiranë etj., ai dha ndihmesë tejet të çmuar në inkurajimin e protestave të para antikomuniste në Shkodër, Kavajë, Tiranë në muajt e parë të vitit 1990″.