Ambasadori i Britanisë, Jonathan Hargreaves, ka folur për zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Ai tha se ato përfaqësojnë një shans për të gjitha komunitetet, veçanërisht atë serb, që të jenë politikisht aktive dhe të përfaqësohen përsëri.
“Është një mundësi për të gjitha komunitetet në Kosovë – përfshirë komunitetet jo-shumicë, dhe veçanërisht komunitetin serb – që të shprehin vullnetin e tyre dhe të përfaqësohen nga parti që me të vërtetë duan të mbrojnë qytetarët”, tha Hargreaves.
Hargreaves theksoi veçanërisht rëndësinë e votimit dhe pjesëmarrjes politike.
“Është shumë e rëndësishme që njerëzit të marrin pjesë në ato zgjedhje dhe që partitë që mund t’i përfaqësojnë ata të lejohen të marrin pjesë. Pa votim, zëri i komunitetit serb në Kosovë nuk do të dëgjohet”, shtoi Hargreaves në një intervistë në Radio Gorazdevac.
Ai tha se Lista Serbe është pjesë legjitime e sistemit politik të Kosovës, por gjithashtu theksoi rëndësinë e zgjedhjeve dhe konkurrencës demokratike.
“Lista Serbe është një parti legjitime në sistemin politik të Kosovës. Ata janë në parlament dhe janë pjesë e procesit politik. Nuk është puna ime të them se sa mirë i përfaqësojnë të gjithë serbët e Kosovës – komuniteti duhet të vendosë për këtë në zgjedhje”, tha Hargreaves.
“Është shumë e rëndësishme që njerëzit të kenë zgjedhje – është e shëndetshme për demokracinë”, shtoi ai.