Kryekuvendari i ri, Dimal Basha, e shpalli të mbyllur çështjen e konstituimit të Kuvendit edhe pa zgjedhjen e nënkryetarit serb, duke konsideruar se moszgjedhja e tij s’mund të bëhet pengesë që bllokon konstituimin e Kuvendit. Derisa për Vetëvendosjen Kuvendi është i konstituuar, për shtetet partnere të Kosovës po del që jo. Ambasadori britanik pas një takimi me presidenten e vendit përmendi “hapat e mëtejshëm” për t’i dhënë fund procesit të tejzgjatur të konstituimit të Kuvendit. Përveç britanikut te presidentja shkoi edhe ambasadori gjerman.
Gazeta Express
Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, pas mbledhjes së dështuar të Kryesisë, tha se herën e fundit që u mbajt seanca konstituive u gjet në një situatë që ose të ndërpresë punimet e Kuvendit, ose të vazhdojë punimet me një Kryesi funksionale.
Basha tha se e zgjodhi këtë të dytën duke tentuar të tregohet i përgjegjshëm para “miqve ndërkombëtarë”.
“Kam përgjegjësi para qytetarëve, para institucioneve por edhe para miqve ndërkombëtarë, që ta funksionalizoj Kuvendin. Kuvendi është organi më i lartë i Republikës, nga derivon ekzekutivi, gjyqësori dhe presidenti, prandaj për mua ka qenë shumë e rëndësishme ta konsideroj Kuvendin të konstituuar. Për këtë arsyetim baza ime ka qenë Rregullorja e Kuvendit”, kishte thënë Basha.
Megjithatë, miqtë ndërkombëtarë nuk po e pranojnë vendimin e Bashës për ta shpallë të konstituuar Kuvendin pa nënkryetarin serb.
Me një Kuvend të konstituuar, siç po pretendon Basha dhe partia e tij, çështja do t’i kalonte presidentes Vjosa Osmani nëse edhe ajo do ta shihte Kuvendin njësoj si partia fituese dhe do të procedonte me mandatarin për formim të Qeverisë.
Për këtë në zyrë Osmanit i shkoi ambasadori gjerman, Jorn Rohde dhe ai britanik, Jonathan Hargreaves.
Ndryshe prej Rohdes, Hargreaves u deklarua pas takimit me Osmanin dhe e potencoi se Kuvendi nuk është i konstituuar.
“Ishte kënaqësi të takoja Presidenten Osmani sot. Biseduam për partneritetin e ngushtë Mbretëri e Bashkuar-Kosovë dhe diskutuam nevojën urgjente për hapat e mëtejshëm për formimin e Kuvendit në përputhje me kushtetutën e Kosovës”, tha ai.
Po ashtu, ai vuri në dukje se edhe zgjedhjet lokale duhet të jenë përfaqësim për “zërat dhe shpresat e të gjitha komuniteteve në Kosovë, si dhe për angazhimin e vazhdueshëm të Kosovës ndaj demokracisë shumetnike”.
Presidentja Osmani ende s’ka dhënë një përgjigje definitive nëse e konsideron Kuvendin të konstituuar ose jo. Pas takimit me Bashën, Presidenca tha se Osmani “e ka informuar kryetarin Basha se ekipi ligjor i Presidencës është duke bërë analizën lidhur me procesin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës”.
Megjithatë, Osmani dha një zotim se “gjithmonë, do të veprojë në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi, duke garantuar stabilitetin institucional dhe respektimin e vullnetit të qytetarëve të Kosovës”.
Këtë e përsëriti edhe pas takimeve që pati me dy ambasadorët ku konfirmoi se tema e Kuvendit ishte diskutuar në zyrën e saj.
“Në kuadër të diskutimeve, u diskutua edhe procesi i konstituimit të institucioneve si rezultat i zgjedhjeve të 9 shkurtit. Me këtë rast, Presidentja Osmani riafirmoi se veprimet e saj do të jenë gjithmonë në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe ligjet, duke siguruar stabilitet institucional dhe respektimin e vullnetit qytetar”, tha Presidenca pas takimit me Hargreaves.
Përveç Hargreaves e Rohde, për këtë çështje u interesua edhe komandanti i KFOR-it , Enrico Barduani, i cili është krejt në fund të mandatit.
“Gjenerali Barduani uroi një zgjidhje të shpejtë të ngërçit parlamentar dhe përsëriti rëndësinë e koordinimit të rregullt dhe komunikimit të qëndrueshëm midis KFOR-it dhe organizatave të sigurisë së Kosovës si mundësuesi kryesor i stabilitetit”, tha KFOR në njoftimin për darkën e punës mes Osmanit dhe Barduanit.
Konstituimi i Kuvendit mbeti në gjysmë pasi Lista Srpska në seancën kur u zhbllokua pika e rendit të ditës për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit propozoi deputetin e saj Sllavko Simiq për pozitën e nënkryetarit. Ai s’gjeti mbështetje në tri herë votim dhe më pas Basha vendosi që të kalojë me hedhjen e shortit – një tentativë e Vetëvendosjes për të zgjedhur deputetin Nenad Rashiq nënkryetar, i cili është deputeti i vetëm serb që s’është nga Lista Srpska. Kjo e fundit s’mori pjesë në votimin me short në shenjë revolte dhe të gjithë deputetët serbë që dolën tri herë në votim, s’morën votat e nevojshme. Tashmë Lista Srpska e çuar rastin në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa ngjarjeve në Kuvend iu bëri jehonë me pretendimin se të drejtat e popullit serb në Kosovë po shtypen.
Për prezantimin e Listës Srpska si “palë e dëmtuar” ka paralajmëruar Eugen Cakolli nga KDI, i cili tha se “kjo rrëshqitje na kushton”.
“Po të ndodhte që ndonjë komunitet të keqpërdorte si bllokim mekanizmin e përfaqësimit, atëherë shumica (shqiptare) do të kishte plotësisht të drejtë të reagonte – institucionalisht, politikisht, madje edhe me mirëkuptim ndërkombëtar. Por jo sot, kur kjo rrëshqitje na kushton. Në vend që kjo çështje të zgjidhej politikisht – siç është zgjidhur gjithmonë – ajo është shtyrë në mënyrë të panevojshme drejt Gjykatës Kushtetuese. E aty, rreziku i një konstatimi për shkelje të të drejtave të përfaqësimit të komuniteteve në Kryesi është evident. Veçse tashmë me dëm të shkaktuar në raport me moralizimin e Listën Serbe si palë e “dëmtuar” – përkundër destruktivitetit të saj”.
Cakolli thotë se “juridikisht jemi në terren të pafavorshëm”, ndërsa politikisht ai thotë se “kemi humbur prej kohësh mbështetjen e atyre që presin nga ne shtet të përgjegjshëm në raport me pakicat”.
“Në fund, mos të harrojmë se akuza më e shpeshtë në situata të tilla – dhe edhe ndaj postimeve si ky i imi – është se përkrahim Listën Serbe apo shtyjmë përpara interesat e tyre. Por realiteti është ndryshe. Herë me penalltitë e herë me autogolat tona, po ia servojmë vetë Listës Serbe fitoret – juridike, përmes procedurave gjyqësore, e politike, duke ia mundësuar kartën e viktimizimit në mesin e serbëve të Kosovës dhe në diskursin ndërkombëtar”.