Ambasadorët Olivier Guérot dhe Jörn Rohde duhet të kërkojnë ndjesë - Gazeta Express
string(66) "ambasadoret-olivier-guerot-dhe-jorn-rohde-duhet-te-kerkojne-ndjese"

OP/ED

Gazeta Express

23/11/2022 18:33

Ambasadorët Olivier Guérot dhe Jörn Rohde duhet të kërkojnë ndjesë

OP/ED

Gazeta Express

23/11/2022 18:33

Shkëlzen Gashi

Më 11 nëntor 2022 Ambasada e Francës në Prishtinë dhe Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë organizuan në varrezat e krishtera nën lagjen ‘Arbëri’ të Prishtinës një ceremoni për 104-vjetorin e përfundimit të Luftës së Parë Botërore. Te vendi ku u zhvillua ceremonia ndodhet një monument i ngritur në nderim të ushtarëve francezë të rënë në Kosovë më 1918, e krejt ngjitur me të edhe një tjetër për ushtarët sërbë, në të cilin shkruhet: «Овде леже посмртни остаци српских воjника палих у ратовима 1912 – 1918 / Ovde leže posmrtni ostaci srpskih vojnika palih u ratovima 1912 – 1918 / Këtu prehen eshtrat e ushtarëve sërbë të rënë në luftërat 1912 – 1918». Ambasadorët e Francës dhe të Gjermanisë bënë nderime duke vendosë kurora lulesh në platformën e të dy pllakave.

Lexo Edhe:

Për më shumë, Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guérot, në fjalimin gjatë kësaj ceremonie deklaroi se «Vendi i këtyre varreve ku jemi mbledhë sot, dëshmon se ushtarët francezë që luftuan gjithë këta vjet në Ballkan, ranë në Kosovë ndoshta në fund të luftës, në vjeshtën e vitit 1918, përkrah ushtarëve aleatë të Mbretërisë së Sërbisë». Për më keq, ambasadori Guérot kishte thënë edhe se «Jemi mbledhë sot për t’i nderuar këta ushtarë, veçanërisht ata, eshtrat e të cilëve prehen në këtë vend. Por edhe të gjithë ata, pavarësisht kombësisë a kampit të tyre, që ranë në luftime».

Ambasadori i Francës, por edhe Ambasadori i Gjermanisë, Jörn Rohde, duhet të kenë parasysh se me largimin e trupave austriake e bullgare nga Kosova në mbarim të Luftës së Parë Botërore, në nëntor të vitit 1918, trupat sërbe ripushtuan Kosovën. Për më shumë, sipas një dokumenti që Komiteti Mbrojtja Kombëtare e Kosovës ia kishte dërguar Lidhjes së Kombeve në vitin 1921, të cilin e citon Noel Malcolm në librin «Kosovo a short history», forcat sërbe prej vitit 1918 kishin vra 12.371 shqiptarë në Kosovë.

Po ashtu, meqë ambasadorët Guérot dhe Rohde i nderuan edhe ushtarët sërbë të rënë gjatë vitit 1912, duhet ta kenë të qartë se në vjeshtë të vitit 1912 – në vendin ku thuhet se u zhvillua Beteja e Kosovës e vitit 1389 – forcat sërbe-malazeze festuan ‘çlirimin’ e Kosovës, por për ta realizuar këtë ‘çlirim’, ato kundër civilëve të pafajshëm shqiptarë kryen veprimet e mëposhtme:

Leo Freundlich në librin ‘Golgota e Shqipërisë – aktakuzë kundër shfarosësve të popullit shqiptar’ thotë se numri i shqiptarëve të vrarë në fund të vitit 1912 e në fillim të vitit 1913 del të ketë qenë 25 mijë: «Gratë e fëmijët i lidhën për mullarë të sanës dhe ua vunë zjarrin ndër sy të baballarëve e të burrave të tyre. 3.000 arnautë janë masakruar në rajonin ndërmjet Kumanovës dhe Shkupit… 5.000 mijë afër Prishtinës… 5.000 tjerë afër Prizrenit… Mbi 1.200 të vrarë në Ferizaj… Në disa katunde, shpive ua vunë flakën dhe mandej banorët i vranë si qentë sapo u përpoqën t’i shpëtonin zjarrit».

Raporti i Komisionit Ndërkombëtar për Hetimin e Shkaqeve dhe Sjelljeve në Luftrat Ballkanike, i hartuar më 1914 nga Donacioni Carnegie për Paqe Ndërkombëtare, mes tjerash, thotë: «Shtëpi dhe fshatra të tëra të bëra hi, masakrime të popullatës së paarmatosur dhe të pafajshme… këto metoda janë përdorë nga ushtria serbo-malazeze me qëllim të transformimit total të karakterit etnik të regjioneve të banuara ekskluzivisht nga shqiptarët».

Korrespodenti Leon Trotsky në librin e tij ‘Behind the Curtains of the Balkan Wars’, thotë: «Dielli po perëndonte dhe errësira tashmë kishte fituar terren. Sa më shumë errësohej, aq më tepër shiheshin flakët e zjarrit që shkonin përpjetë. Po digjej gjithçka rreth nesh. Të gjitha fshatrat shqiptare, të afërta e të largëta, ishin kthyer në shtëllunga zjarri, deri te hekurudha. Ishte ky shembulli i veçantë i një lufte të tmerrshme shkatërruese që pashë në zonat e luftimeve. Brenda çastit, pasuria e atyre njerëzve, e trashëguar nga gjyshërit e stërgjyshërit dhe e fituar me mund, po kthehej në flakë. Kjo monotoni zjarri na përcolli gjatë gjithë rrugës deri në Shkup».

Po ashtu, janë të rëndësishëm artikujt e socialdemokratëve sërbë: Kosta Novaković, Dušan Popović, Dragiša Lapčević e Triša Kaclerović, të botuar në gazetën socialiste të Beogradit ‘Radnićke Novine’. Në njërin prej artikujve të kësaj gazete thuhet: «Redaksia e gazetës ‘Radnićke Novine’ posedon të dhëna për krime të tmerrshme të forcave sërbe ndaj shqiptarëve, por janë aq të tmerrshme sa parapëlqen të mos i publikojë fare». Janë të dobishëm posaçërisht artikujt e socialdemokratit sërb Dimitrije Tucović, njëri ndër të cilët thotë: «ne bëmë tentativë vrasjeje me paramendim mbi një komb të tërë». Këtu po e sjell edhe një fotografi të realizuar nga agjencia franceze ‘Agence Rol’ në nëntor të vitit 1912 në Prishtinë, e cila i dëshmon më së miri krimet e ushtarëve sërbë ndaj civilëve të pafajshëm shqiptarë, e që mban shënimin në vijim: «ushtarët sërbë duke korrektuar kryengritësit dhe keqbërësit në Prishtinë» (sic).

Ambasadori Guérot në fjalimin e tij tha edhe se kjo është rruga që Kosova dhe Sërbia, shqiptarët dhe serbët, duhet ta ndjekin për të arritë pajtimin dhe për të ndërtuar një të ardhme të përbashkët. Në fakt, kjo është rruga që nuk duhet ta ndjekin Kosova dhe Sërbia për ta arritë pajtimin, sepse pajtimi nuk duhet dhe nuk mund të arrihet duke nderuar ushtarë të përfshirë në krime ndaj civilëve të pafajshëm. Në vend të kësaj që sugjerojnë ambasadorët Guérot dhe Rohde, shqiptarët dhe sërbët duhet t’i nderojnë viktimat e tyre gjatë krejt shekullit të kaluar sepse, për fat të keq, shqiptarët dhe sërbët i kujtojnë vetëm krimet e palës së kundërt. E, pikat më të rëndësishme të historisë së Kosovës nën okupimin sërb, në harkun kohor 1912-1999, janë krimet e palës sërbe, të organizuar në ushtri e polici të rregullt, si dhe në forca paramilitare, kundër shqiptarëve (1912-1913; 1918-1919; 1944-1945 dhe 1998-1999; por edhe krimet e shqiptarëve, kryesisht prej individëve të paorganizuar, kundër sërbëve (1915-1916; 1941-1944 dhe 1999-2000).

Në këtë ceremoni mori pjesë edhe Garda Ceremoniale e FSK-së, e cila qëndroi gatitu pranë pllakës përkujtimore të ushtarëve të rënë sërbë në vitet 1912–1918 dhe, për më keq, në të ishte i pranishëm edhe Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, z. Xhelal Sveçla. Prandaj, përveç Ambasadës së Francës në Prishtinë dhe Ambasadës së Gjermanisë në Prishtinë, edhe Forca e Sigurisë së Kosovës dhe Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës, duhet t’u kërkojnë ndjesë qytetarëve të Kosovës dhe t’u premtojnë se skandale të tilla nuk do të përsëriten më.