Ambasada e SHBA-së në Shkup ka njoftuar se procesi i aplikimit për vizë studentore do të rifillojë së shpejti. Sipas rregullave të reja, aplikantët do t’i nënshtrohen një kontrolli të plotë të së kaluarës dhe do të jenë të detyruar t’i bëjnë profilet e tyre në rrjetet sociale të disponueshme publikisht.
“Departamenti i Shtetit është plotësisht i përkushtuar për të mbrojtur vendin dhe qytetarët tanë duke iu përmbajtur standardeve kombëtare dhe të sigurisë publike përmes procesit të lëshimit të vizave. Një vizë amerikane është një privilegj, jo një e drejtë. Në procesin e verifikimit, ne përdorim të gjithë informacionin e disponueshëm për të identifikuar individët që janë të papranueshëm në Shtetet e Bashkuara, përfshirë ata që paraqesin rrezik për sigurinë kombëtare”, tha Ambasada e SHBA-së në një deklaratë.