Ambasada e SHBA për Express: Të suspendohen ndëshkimet ndaj bartësve të targave KM, të nisin menjëherë negociatat për Asociacionin - Gazeta Express
string(124) "ambasada-e-shba-per-express-te-suspendohen-ndeshkimet-ndaj-bartese-te-targave-km-te-nisinmenjeherenegociatatperasoaciacionin"

Lajme

Gazeta Express

06/11/2022 22:31

Ambasada e SHBA për Express: Të suspendohen ndëshkimet ndaj bartësve të targave KM, të nisin menjëherë negociatat për Asociacionin

Lajme

Gazeta Express

06/11/2022 22:31

“Mosmarrëveshjet aktuale në mes Kosovës dhe Serbisë kanë potencial për ta përshkallëzuar më tej tensionet në teren”.

Kështu ka thënë një zëdhënës i Ambasadës Amerikane në Kosovë në një përgjigje dhënë Gazetës Express.

“Shtetet e Bashkuara pajtohen me Bashkimin Evropian se zhvillimet e fundit rreth marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë tejet shqetësuese dhe e vënë në rrezik progresin e rëndësishëm të arritur në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, thuhet në përgjigje teksa theksohet se “tërheqja e serbëve të Kosovës nga institucionet e Kosovës nuk është zgjidhje”.

Ambasada Amerikane ka kërkuar nga të gjitha palët e përfshirë që të ulin tensionet duke mos përdorur retorike nxitëse.

“Të gjithë të përfshirët duhet të ndërmarrin hapa për të ulur tensionet dhe për të siguruar paqen dhe stabilitetin në terren. Veprimet dhe retorika që rrisin mundësinë e dhunës vënë në rrezik të panevojshëm jetët e pafajshme dhe ato të forcave paqeruajtëse ndërkombëtare në terren”, vazhdon ambasada.

Ambasada amerikane ka kërkuar nga serbët e Kosovës që të kthehen në institucione, duke i përfshirë edhe forcat policore.

“Prandaj, Shtetet e Bashkuara i bashkohen BE-së duke u bërë thirrje përfaqësuesve të Serbisë dhe serbëve të Kosovës që të respektojnë detyrimet e tyre të Dialogut dhe të kthehen në institucionet e Kosovës për të përmbushur detyrat e tyre, duke përfshirë policinë, gjyqësorin dhe administratat lokale”.

Por nga Kosova kërkojnë që ta shtyjnë procesin e ri-regjisrimit të automjeteve dhe të suspendojnë çdo veprim ndëshkues ndaj bartësve të targave KM derisa cështja të zgjidhet nga palët nëpërmjet dialogut.

Pos kësaj ambasada amerikane e kërkon edhe themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Sipas përgjigjes, mos zbatimi i kësaj marrëveshjeje ndërkombëtare ia ulë Kosovës reputacionin dhe kredibilitetin

“Në të njëjtën kohë, ne përsëri i bashkohemi BE-së për t’i kërkuar autoriteteve kosovare që të respektojnë detyrimet e tyre pa vonesë. Kjo nënkupton zgjatjen e menjëhershme të procesit të ri-regjistrimit të automjeteve dhe pezullimin e çdo veprimi ndëshkues ndaj mbajtësve të targave KM derisa të zgjidhet çështja e targave nga palët në kuadër të Dialogut”.

“Kjo gjithashtu nënkupton fillimin e menjëhershëm të negociatave për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe (ASM). Kuvendi i Kosovës ka ratifikuar Marrëveshjen e Brukselit dhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur që ASM duhet të krijohet, gjë që e bën themelimin e ASM-së obligim ligjor për Kosovën. Dështimi i vazhdueshëm i Kosovës për të zbatuar këtë obligim cenon parimin e sundimit të ligjit dhe dëmton reputacionin dhe kredibilitetin e Kosovës”.

Më tutje, ambasada amerikane i është drejtuar dy shteteve që gjenden në një situatë tensionuese.

“Është përgjegjësi e të dyja palëve të garantojnë paqen dhe stabilitetin në terren. Veprimet, të tilla si djegia e makinave ose retorika frikësuese, janë të papranueshme dhe do të nxisin një reagim të duhur nga komuniteti ndërkombëtar”.

“Ne u bëjmë thirrje atyre që të zgjedhin rrugën e dialogut dhe të përmbahen nga veprimet që do të çonin në dhunë dhe konfrontim. Shtetet e Bashkuara mbështesin plotësisht përpjekjet e BE-së për të vazhduar për të lehtësuar negociatat. Si Kosova ashtu edhe Serbia duhet të tregojnë se janë të gatshme të kërkojnë zgjidhje në mënyrë konstruktive dhe të respektojnë detyrimet e tyre të bëra në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, thuhet në përgjigje. /Express