Kosova ka marrë vendim që të ofrojë mbrojtje të përkohshme për 50 persona nga shtetet e treta, në kuadër të bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara.
Kjo sipas CBS News po ndodh pas një përpjekjeje më të gjerë të administratës Trump për të bindur vende të ndryshme në botë të pranojnë migrantë që nuk janë qytetarë të Amerikës.
Në një deklaratë për CBS Neës, ambasada e Kosovës në SHBA konfirmoi marrëveshjen për dëbimin.
“Në përgjigje të kërkesës së Shteteve të Bashkuara për pranimin dhe riatdhesimin e shtetasve të vendeve të treta, kemi shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar me Shtetet e Bashkuara në trajtimin e kësaj çështjeje, sipas kushteve të përcaktuara,” thuhet në deklaratën e ambasadës.
Ambasada sqaroi se marrëveshja do të lejojë që 50 persona të dëbuar nga vende të tjera të “strehohen përkohësisht” në Kosovë, ndërsa autoritetet kosovare do të punojnë për të mundësuar “kthimin e sigurt në vendet e tyre të origjinës”.
Nuk është ende e qartë se kush konkretisht do të dërgohet nga SHBA në Kosovë dhe cilat janë vendet e tyre të origjinës. Zakonisht, SHBA përdor marrëveshje të tilla me vende të treta për të dëbuar migrantë që nuk mund të kthehen në vendet e tyre për shkak të refuzimit të shteteve të origjinës apo për shkak të marrëdhënieve të tensionuara diplomatike.
Ambasada e Kosovës theksoi se qeveria e Kosovës do të ketë “mundësinë të përzgjedhë individët nga një listë e propozuar, me kusht që ata të përmbushin kritere specifike që lidhen me sundimin e ligjit dhe rendin publik”.