Ambasada e Republikës së Kosovës në Austri ka bërë të ditur se edhe viktima e tretë nga katër viktimat e aksidentit tragjik është shtetas i Republikës së Kosovës. Sipas njoftimit zyrtar, bëhet fjalë për qytetarin Istref Zekaj.
Një aksident i rëndë në një kantier ndërtimi ka ndodhur dje rreth orës 14:15 në distriktin Alsergrund në Vjenë, Austri, ku shembja e një skelë ndërtimi rezultoi fatale për katër punëtorë.
Sipas informacioneve fillestare, gjatë punimeve të betonit një pjesë e konstruksionit u rrëzua, duke zënë nën rrënoja pesë punëtorë.
Shërbimet emergjente arritën të shpëtojnë një person, i cili u dërgua në spital me lëndime, ndërsa katër të tjerë u nxorën pa shenja jete.
Nga viktimat, tre janë shqiptarë: Pajtim Bajrami (1990), Asllan Musliu (1977) dhe Istref Zekaj. Ky i fundit tashmë është konfirmuar zyrtarisht si shtetas i Republikës së Kosovës nga Ambasada e Kosovës në Austri. Ndërkohë, viktima e katërt është nga Bosnja.
Fillimisht u raportua se katër prej të bllokuarve ishin nga Kosova, por në bazë të konfirmimeve zyrtare të deritanishme, tre prej viktimave janë shtetas të Kosovës.
Ambasada e Republikës së Kosovës në Austri ka bërë të ditur se është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet austriake dhe me familjarët e viktimave, me qëllim të ofrimit të mbështetjes së nevojshme dhe koordinimit të procedurave të mëtejshme.
Në këto momente të rënda, Ambasada ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjet e viktimave dhe ka theksuar se do të vazhdojë të informojë për çdo zhvillim të ri lidhur me këtë rast.