Ambasada e Kosovës në Austri ka reaguar pas tragjedisë në një kantier ndërtimi, ku humbën jetën disa persona.
Ambasada thotë se deri tash është konfirmuar që kanë mbetur të vdekur dy persona me shtetësi të Kosovës.
Ata janë Pajtim Bajrami i lindur më 1990 dhe Asllan Musliu i lindur në vitin 1977.
Pas kësaj ngjarjeje tronditëse ka pasur shumë reagime në Kosovë, ku janë shprehur ngushëllime për familjet e viktimave.
Më poshtë njoftimi i plotë i ambasadës
Ambasada e Republikës së Kosovës në Austri informon opinionin publik se sot, në Vjenë, ka ndodhur një aksident i rëndë në një kantier ndërtimi, ku për pasojë kanë humbur jetën disa persona.
Sipas të dhënave zyrtare nga autoritetet austriake, ngjarja ka ndodhur në distriktin Alsergrund gjatë punimeve ndërtimore, kur një pjesë e konstruksionit është shembur, duke lënë punëtorë të bllokuar nën rrënoja.
Deri më tani, është konfirmuar zyrtarisht se dy nga viktimat janë shtetas të Republikës së Kosovës:
Pajtim Bajrami (1990)
Asllan Musliu (1977)
Ambasada e Republikës së Kosovës në Austri shpreh dhimbjen e thellë dhe ngushëllimet më të sinqerta për familjet e viktimave, si dhe për të gjithë ata që janë prekur nga kjo tragjedi.
Jemi në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet austriake dhe po ndjekim nga afër çdo zhvillim lidhur me rastin. Në të njëjtën kohë, jemi të angazhuara për të ofruar të gjithë mbështetjen e nevojshme për familjarët e viktimave.
Do të vazhdojmë t’ju informojmë për çdo zhvillim të ri lidhur me këtë rast.