Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë ka reaguar ndaj situatës së krijuar nga moskonstituimi i Kuvendit të Kosovës dhe paralizës institucionale që po zgjat tash e gati gjashtë muaj. Në një përgjigje për RTV21, Ambasada vlerëson se kjo gjendje është në kundërshtim me vullnetin e qytetarëve të shprehur në zgjedhje.
“Dështimi për të konstituuar Kuvendin po bën që vullneti i qytetarëve të Kosovës të mos zbatohet tash e gati gjashtë muaj. Kjo është padrejtësi para së gjithash ndaj qytetarëve dhe bizneseve të Kosovës, pasi vendimet e rëndësishme nuk po merren dhe zbatimi i tyre po vonohet në mënyrë të panevojshme,” thuhet në deklaratë.
Ambasada gjermane shpreh shqetësimin se Kosova po humb hapin me vendet e tjera të rajonit në procesin e integrimeve evropiane, veçanërisht në zbatimin e planit të rritjes së BE-së dhe përfitimin nga fondet përkatëse.
“Kosova, në një kuptim, po e humb trenin. Ndërsa vendet e tjera të rajonit po vazhdojnë me planin e rritjes të BE-së dhe po ndërmarrin hapa për disbursimin e fondeve, Kosova është në rrezik të menjëhershëm që të mbetet pas”.
Ambasada gjithashtu thekson se tani që BE ka formuar një përbërje të re me përfaqësues nga vendet që e njohin Kosovën, përfshirë Komisionerin e Zgjerimit dhe Përfaqësuesin e Lartë për Politikë të Jashtme, Kosova po e humb këtë momentum për shkak të bllokadës politike të brendshme.
“Kosova ka pritur gjatë për një Komisioner të ri për Zgjerim, një Përfaqësues të Lartë dhe një Përfaqësues të Posaçëm për Dialogun – të gjithë nga vende që e njohin Kosovën. Tani që ky ‘ekip ëndrrash’ nga ana e BE-së është në detyrë, Kosova vazhdon të jetë e paralizuar politikisht.”
Sipas Ambasadës, çdo ditë që kalon në këtë situatë sjell dëm për vendin, si në aspektin politik, ashtu edhe ekonomik, dhe ul peshën e Kosovës në arenën ndërkombëtare.
“Kosova nuk mund ta lejojë vetes që kjo gjendje të vazhdojë edhe për gjashtë muaj të tjerë. Ka humbur tashmë shumë kohë dhe energji. Zgjidhja më e mirë do të ishte që deputetët e zgjedhur dhe liderët politikë më në fund të bashkohen me frymën e kompromisit dhe të gjejnë një rrugë përpara duke e vënë interesin e shtetit dhe qytetarëve mbi gjithçka.”, thuhet në përgjigjen e ambasadës.