Ambasada amerikane për Express: Kryetarët mbesin në detyra, na vjen keq që Lista Serbe dhe tjerët nuk e rishqyrtuan pozicionin e tyre - Gazeta Express
string(131) "ambasada-amerikane-per-express-kryetaret-mbesin-ne-detyre-na-vjen-keq-qe-lista-serbe-dhe-tjeret-nuk-e-rishqyrtuan-pozicionin-e-tyre"

Lajme

Gazeta Express

21/04/2024 20:56

Ambasada amerikane për Express: Kryetarët mbesin në detyra, na vjen keq që Lista Serbe dhe tjerët nuk e rishqyrtuan pozicionin e tyre

Lajme

Gazeta Express

21/04/2024 20:56

Ambasada e SHBA-së në Kosovë shpreh keqardhje që Lista Serbe dhe akterët tjerë politikë serbë të Kosovës nuk rishqyrtuan vendimin për mospjesëmarrje në votimet e sotme për largimin e kryetarëve shqiptarë nga katër komunat e Veriut. Këtë përgjigje Ambasada e SHBA-së e ka dhënë për Gazetën Express, pas mbylljes së qendrave të votimit, me ç’rast edhe u konstatua dështimi i iniciativës për largimin e kryetarëve, duke theksuar se kryetarët e Mitrovicës Veriore, Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut mbesin në funksione sipas ligjit.

SHBA dhe partnerët e saj e ndoqën nga afër procesin e votimit dhe sikurse edhe KQZ konstatojnë se pjesëmarrja në votime ka qenë e ulët.

Lexo Edhe:

“Qëndrimi i SHBA-së është i qartë dhe i pandryshuar: Ne mbështesim demokracinë e larmishme, gjithëpërfshirëse, multietnike të Kosovës dhe zgjedhjet e lira, të drejta dhe legjitime që e mbështesin atë. Në përputhje me kërkesat e saj ligjore, Kosova mbajti një votim për tërheqjen e kryetarëve të komunave më 21 prill në katër komunat në veri të Kosovës. Ky votim u kërkua si rezultat i përpjekjeve të suksesshme nismëtare të bëra nga qytetarët brenda kuadrit ligjor ekzistues dhe të vërtetuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve”, tha një zëdhënës i Ambasadës Amerikane të dielën për Gazetën Express.

Zëdhënësi citon ambasadorin Hovenier që është e rëndësishme për qytetarët që të ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike.

“Siç kanë thënë vazhdimisht ambasadori Hovenier dhe zyrtarë të tjerë të qeverisë amerikane, ne besojmë se është e rëndësishme që qytetarët e Kosovës të kenë aftësinë për të ushtruar të drejtën e tyre për të tërhequr zyrtarët e zgjedhur në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës, nëse ata vendosin ta bëjnë këtë”.

Pavarësisht kësaj, SHBA shpreh keqardhje për tërheqjen e Listës Serbe dhe politikanëve serbë të Kosovës nga mundësia për largimin e kryetarëve në Veri.

“Vendet e QUINT-it dhe BE-ja i bënë thirrje Listës Srpska dhe akterëve të tjerë politikë serbë të Kosovës më 10 prill që të rishqyrtojnë qëndrimet e tyre për t’u tërhequr nga pjesëmarrja në këtë votim ligjor për tërheqjen e kyetarëve. Na vjen keq që ata nuk e bënë një gjë të tillë dhe për këtë arsye nuk i shfrytëzuan plotësisht mjetet demokratike në dispozicion të tyre sipas ligjit kosovar për të avancuar demokracinë efektive dhe përfaqësuese”, vijon përgjigja e zëdhënësit të ambasadës së SHBA-së për Gazetën Express.

“Pjesëmarrja demokratike ndihmon për t’u siguruar që udhëheqësit janë përfaqësues të popullësisë të cilës u shërbejnë. Votimi është një liri kritike e shoqërive demokratike”.

Më tej në përgjigje theksohet se 4 kryetarët e zgjedhur mbesin në detyrë.

“Jemi të vetëdijshëm se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) u bëri thirrje të gjithë votuesve me të drejtë vote. Ne vlerësojmë përpjekjet e bëra nga zyrtarët kosovarë të zgjedhjeve për të lejuar të gjithë qytetarët e Kosovës të regjistruar në katër komunat të marrin pjesë në këtë proces demokratik. Ne kuptojmë nga ekipet ndërkombëtare të vëzhgimit se ka pasur pjesëmarrje jashtëzakonisht të ulët të votuesve. Prandaj nuk ka asnjë vendim nga votuesit për të tërhequr kryetarët e bashkive. Kryetarët aktualë të komunave janë zgjedhur dhe mbesin në pozita sipas kornizës ligjore të Kosovës”, përfundon përgjigja.

Kreshnik Radoniqi, kryetar i KQZ-së, pas mbylljes së qendrave të votimit konfirmoi se ka dështuar shkarkimi i katër kryetarëve shqiptarë në veri për shkak të mospjesëmarrjes së qytetarëve në votime.

Në një konferencë të thirrur për media ai tha se në Zveçan s’ka pasur asnjë votues.

“Të 23 qendrat e votimit janë mbyllur në orën 19:00, sipas të dhënave që kemi pranuar në këto katër komuna, numri i qytetarëve që kanë votuar në procesin e votimit për apo kundër largimit të kryetarëve nga funksioni i tyre është si në vijim:

Leposaviq 124 votues, Zubin Potok 18 votues, Zveçan nuk ka votuar asnjë votues dhe në Mitrovicën e Veriut 111 votues”, tha Radoniqi, transmeton Gazeta Express.

“Nuk kanë votuar shumica e votuesve të regjistruar, pra nuk është arritur 50% plus 1 i domosdoshëm, prandaj konstatojmë se iniciativa e qytetare për largimin e kryetarëve ka dështuar”, konfirmoi ai.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Beogradi përmes Listës Serbe ka bërë presion te serbët lokalë që të bojkotojnë procesin.

Me këtë akt, Osmani thotë se presidenti serb Aleksandër Vuçiq shkeli fjalën që ua kishte dhënë partnerëve ndërkombëtarë.

“Kosova i dha qytetarëve të komunave të veriut mundësinë që t’i largojnë kryetarët aktualë dhe t’i zgjedhin kryetarët e rinj. Qytetarët në masë të madhe nuk e shfrytëzuan këtë mundësi. Për fat të keq, kjo kryesisht ndodhi për shkak të presionit të Beogradit, të ekzekutuar nga Lista Serbe dhe strukturat ilegale kriminale. Edhe njëherë, Serbia kreu ndërhyrje të paligjshme në një proces zgjedhor të një shteti tjetër. Edhe njëherë, Vuqiçi shkeli fjalën që ua kishte dhënë partnerëve ndërkombëtarë”.

Elbert Krasniqi, ministër i Pushtetit Lokal, i bën thirrje BE-së t’i heq masat ndaj Kosovës, sepse thotë se edhe përkundër mundësisë për largimin e kryetarëve në Veri, Lista Serbe dhe Beogradi urdhëruan bojkotimin e procesit të votimit. Kësisoj ai shprehet se Kosova nuk mund të mbetet prapa.

Ministri Krasniqi thekson se Kosova ka zbatuar marrëveshjen e Bratisllavës dhe Kosova duhet të ecë përpara.

“Ne siguruam infrastrukturën dhe mundësinë që qytetarët të shprehin vullnetin e tyre demokratik. Lista Serbe dhe Beogradi, nga ana tjetër, urdhëruan edhe një herë bojkotimin e procesit të votimit në 4 komunat veriore – pavarësisht thirrjeve që të mos bëhet një gjë e tillë nga komuniteti ndërkombëtar”, u shpreh Krasniqi, transmeton Express.

Ndërsa, Lista Srpska që hapur e pranon afërsinë me Beogradin zyrtar, ka deklaruar se procesi i sotëm ishte “një shfaqje e Kurtit”.

“Duam të përsërisim qartë se ishim më se të gatshëm të marrim pjesë në këtë proces për të parë prapavijën dhe për të zëvendësuar këta kryetarë fallco në komunat tona, por nuk donim të luanim lojëra të dirigjuara nga regjimi në Prishtinë”, u tha në njoftimin e tyre.