Thuhet se arti nuk ishte obsesioni i vetëm i Amedeo Modiglianit: ishte edhe alkooli dhe droga, zakone të përbashkëta të shumë prej artistëve në Parisin e fillimshekullit XX. Siç nënvizon edhe Corrado Augias në librin “Modigliani, romantiku i fundit”, në rrëfimin e jetës së këtij artisti atipik “historia dhe legjenda janë aq të ndërthurura, sa janë thuajse të pashpjegueshme. Edhe dëshmitë e të njohurve janë kontradiktore”. Ka nga ata që lartësojnë shpirtin bujar e të sjellshëm dhe kulturën e shkëlqyer (Modigliani e kishte zakon të recitonte vargje të Dantes ndërsa pikturonte), të tjerë që e konsiderojnë pijanec dhe grindavec, po edhe nga ata që ende e krahasojnë me një “Antinoo” modern për kaçurrelat dhe qëndrimin joshës. Amedeo Modigliani është piktori më përfaqësues italian i epokës boheme.
Vlerësuar në mjediset parisianë të fundvitit 1800 dhe fillimit të viteve 1900, arti i këtij piktori bëri histori: portretet e tij të grave, të ngjashme me imazhet onirike njihen nga të gjithë. Në “Ville Lumière”, i zhytur në avangardën artistike të asaj kohe, Amedeo kishte gjetur energjinë e nevojshme për të qenë i pathyeshëm, si artist, si zot dhe si mbajtës i së vërtetës dhe dijes. Gati kishte arritur t’ia fshehë edhe vetes sëmundjen, varësinë dhe fatin tekanjoz. Kultura, erudicioni, talenti, hijeshia dhe karizma, ishin pjesa tjetër e medaljes për ta bërë të paharruar artistin. /Hejza