Julian Alvarez mund të largohet nga Manchester City në këtë afat kalimtar veror.
Sulmuesi argjentinas nuk është i kënaqur me minutazhin që po i jepet në Manchester City, prandaj edhe mund ta kërkojë një ekip të ri, në të cilin do të mundë të luante rregullisht.
Në “Etihad Stadium” ai është i “ngulfatur” nga titullari i padiskutueshëm Erling Haaland dhe për këtë e pati problem t’i shfaq vlerat e tij.
Mediumi spanjoll “Mundo Deportivo” raporton se kampioni i botës do të udhëtojë këtë javë drejt Evropës pasi do t’i kryejë pushimet dhe me këtë rast do të diskutojë me drejtuesit e “Citizens” për të ardhmen e tij, përcjell “Gazeta Express”.
Gjithashtu, do të diskutohet edhe për interesimin e Paris Saint-Germainit dhe të Atletico Madridit për shërbimet e tij.
Besohet se kampioni aktual anglez mund ta lë lojtarin të largohet vetëm nëse e merr një ofertë prej 70 milionë eurosh për kartonin e tij.
Trajneri Pep Guardiola ka thënë se Alvarez ka luajtur mjaft gjatë sezonit të kaluar, ndërsa ka shtuar se do ta presë vendimin e lojtarit dhe më pas të përcaktohet e ardhmja e tij. /Gazeta Express/