Kreu i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Altin Dumani, u shpreh sot gjatë prezantimit të raportit vjetor të punës në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, se mbështet idenë e rikandidimit të prokurorëve në përfundim të mandatit të tyre 9-vjeçar, duke theksuar se propozimi nuk parashikon riemërim automatik.
Dumani nënvizoi rëndësinë e vijueshmërisë institucionale dhe mbajtjen e standardeve të larta profesionale, por në të njëjtën kohë theksoi se përzgjedhja për një mandat të dytë duhet të kalojë përmes një gare të hapur.
“Ne nuk propozojmë një automatizëm të mandatit. Prokurorët që duan të vazhdojnë detyrën në SPAK, duhet të rikandidojnë dhe të konkurrojnë me të tjerë, duke iu nënshtruar një vlerësimi të ri. Kjo garanton cilësinë dhe integritetin e institucionit”, tha Dumani.
Ai shtoi se propozimi i bërë për një ndryshim kushtetues në këtë drejtim është rezultat i diskutimeve të përbashkëta mes prokurorëve të SPAK, duke theksuar se ka një qëndrim të përbashkët dhe të mirëmenduar mbi këtë çështje.
Sipas Dumanit, alternativa tjetër – transferimi automatik në Prokurorinë e Apelit – nuk përbën një zgjidhje optimale për funksionimin e drejtësisë së posaçme. “Unë jam për variantin e rikandidimit. Kush nuk performon, nuk e meriton një mandat të dytë,” u shpreh ai.