Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, ka prezantuar kandidatin e parë të partisë për kryetar të Prishtinës, Merkur Beqirin.
Sipas Kusari-Lila, kandidati është profesionist me mbi 30 vjet përvojë ndërkombëtare në bujqësi, pylltari, teknologji dhe shëndetësi publike, me kontribut të njohur në menaxhimin e emergjencave dhe zhvillimin e kapaciteteve lokale dhe ndërkombëtare.
“Kam kënaqësinë që në emër të subjektit që drejtoj të prezantojmë kandidaturën e Mërkurë Beqiri, i cili është një profesionist me përvojë të gjatë ndërkombëtare në fushën e bujqësisë, pylltarisë, teknologjisë dhe shëndetësisë publike. Mërkuri sjell mbi tri dekada të angazhimit profesional në më shumë se 15 shtete të botës. Përvoja e tij në menaxhimin e emergjencave dhe menaxhimin e politikave zhvillimore përfaqëson një vlerë të veçantë për platformën tonë politike për Kosovën si shtet dhe Prishtinën si kryeqytet. Mërkuri ka dhënë kontribut të rëndësishëm në ndërtimin e kapaciteteve vendore dhe ndërkombëtare. Kontributi i tij gjatë krizave humanitare është vlerësuar nga komunitetet ndërkombëtare që ndikojnë në menaxhimin më të mirë duke shpëtuar jetë. Mërkuri sjell përvoja të pasura në zhvillimin e kryeqytetit tonë, ajo çfarë i duhet Prishtinës sonë”, deklaroi Kusari-Lila.
Kandidati i Prishtinës, Merkur Beqiri, tha se kandidatura e tij synon një Prishtinë me strukturë, frymëzim dhe dinjitet për qytetarët, një qytet që mbështet studentët, profesionistët dhe krijuesit, duke ofruar mundësi të barabarta për të gjithë.
“Mesazhi im do të fillojë me adresimin e qytetarëve të Prishtinës, duke filluar me një ndjenjë të thellë të përgjegjësisë qytetare. Sot kam nderin ta shpall kandidaturën time si alternativë për Prishtinën. E dua një Prishtinë që frymëzon, që ka strukturë dhe ofron dinjitet për qytetarët. Që të jetë frymëzim për krijuesit, dua që Prishtina të bëhet një qytet ku njerëzit të jetojnë mirë. Prishtina ka shpirt që ka hapësirë të veprojë. Si kryeqytet, Prishtina veçohet me shumëanshmërinë e saj; si e tillë, ajo duhet dhe ka për obligim të jetë seli për studentët, profesionistët, shërbyesit publikë, krijuesit, klasën puntore dhe akademike, për çdo qytetar që beson në mundësitë e tij”, ka thënë Beqiri.