Real Madrid nuk e ka mbyllur ende merkaton e verës dhe po vazhdon të analizojë me kujdes lëvizjet e mundshme për të përforcuar skuadrën. Sipas raportimeve nga DefensaCentral, trajneri i ri Xabi Alonso e sheh përforcimin e mesfushës si prioritet dhe ka kërkuar konkretisht transferimin e Nicolò Barella-s nga Interi.
Mesfushori italian përputhet në mënyrë perfekte me filozofinë e lojës që Xabi Alonso dëshiron ta zbatojë në “Santiago Bernabéu”. Barella njihet për cilësinë teknike, vizionin në lojë dhe aftësinë për të diktuar ritmin e ndeshjeve – elemente që mungojnë aktualisht në mesfushën madrilene.
Nga ana tjetër, Interi është i gatshëm të negociojë, pasi klubi italian ka nevojë për të arkëtuar fonde gjatë kësaj vere. Vlera e Barella-s është vendosur mes 60 dhe 65 milionë euro, një çmim që konsiderohet i lartë, por i arsyeshëm për një futbollist me eksperiencë dhe nivel të lartë ndërkombëtar. Gjithsesi, drejtuesit e Realit do të tentojnë të ulin shifrën, siç kanë bërë edhe në të kaluarën.
Xabi Alonso dëshiron që të ketë të gjithë lojtarët e nevojshëm në dispozicion para fillimit të sezonit, me përgatitjet që nisin më 4 gusht. Barella shihet si hallka e fundit në mesfushë për ta kompletuar projektin që synon të luftojë për të gjitha trofetë.
Reali po shqyrton me kujdes këtë operacion, ndërsa tifozët presin me padurim një tjetër emër të madh në “shtëpinë e bardhë”.