Trajneri i Real Madrid, Xabi Alonso, ka tentuar të zbusë atë që duket si një pakënaqësi në rritje nga ana e yllit brazilian Vinicius Junior, i cili ende nuk ka luajtur 90 minuta të plota këtë sezon, ndonëse ka qenë pjesë e formacionit titullar për tre vitet e fundit.
Braziliani u largua nga fusha dhe shkoi menjëherë në fund të pankinës me një shprehje të zemëruar në fytyrë, pa i dhënë vëmendje trajnerit të tij, edhe pse kjo ndodhi gjatë një pushimi freskimi, që do të thotë se nuk kaloi përpara tij. Alonso shfaqi mirëkuptim për zemërimin e Vinicius.
“Isha futbollist, dhe kur më zëvendësonin… nuk ishte moment i mirë. Më pëlqen të jem afër lojtarëve, të flas me ta për ndeshjet dhe si janë ndier. E mora si diçka normale, natyrale. Nuk do ta bëj një çështje të madhe,” tha trajneri i Real Madrid. Ai shtoi më tej rëndësinë e kolektivit, duke theksuar se të gjithë lojtarët do të kenë peshën e tyre.
“Ditën tjetër, të gjithë ishin të lumtur… me fitoren dhe ndjesinë. Dhe kjo është ajo që na duhet: të jemi skuadër. Të gjithë e kuptojnë rolin që duam për ekipin, që secili duhet të japë kontributin e vet.”
I pyetur për paraqitjet e Vinicius dhe çfarë duhet të bëjë për të siguruar më shumë minuta, Alonso u përgjigj:
“Jam i lumtur me atë që po bën, dhe jemi vetëm në fillim. Ka ende një rrugë të gjatë përpara, dhe ai duhet të ndihet i rëndësishëm.”
Tekniku bask ka përdorur rotacionin gjatë javëve të para të sezonit, me Rodrygo Goes, Franco Mastantuono, Vinicius, Brahim Diaz dhe Arda Guler që të gjithë kanë luajtur krah Kylian Mbappé. I pyetur se cilin tresh sulmues e ka pëlqyer më shumë në gjashtë ndeshjet e para, Alonso u shpreh:
“Është pyetje e vështirë… dhe do ta kem problem nëse përgjigjem. Jam i lumtur, dhe na duhen të gjithë. Duhet të përmirësohemi në disa aspekte, kjo është e qartë. Por po ndërtohet një themel që do të jetë solid për pjesën tjetër të sezonit. Disa mund të kishin shënuar më shumë gola, të tjerë po presin të parin… por të gjithë janë të etur të bëjnë mirë.”
Ndërkohë që Alonso theksoi se të gjithë lojtarët do të rotacionohen, iu vu në dukje se Mbappé, Alvaro Carreras dhe Aurelien Tchouameni ende nuk kanë kaluar shumë kohë jashtë fushe.
“Ata janë të rëndësishëm, dhe kemi luajtur vetëm gjashtë ndeshje. Do të vijë koha për gjithçka, dhe ata do të jenë pjesë e rotacionit. Mos më pyesni kur… por do të ndodhë. Deri tani ka qenë një periudhë e shkurtër. Do ta shohim me më shumë kohë.”
Los Blancos udhëtojnë drejt Valencias të martën mbrëma për t’u përballur me Levanten në orën 21:30 CEST. Pas një fillimi perfekt, Real Madrid do të synojë të rrisë presionin ndaj Barcelonës dhe të hyjë në derbin e Madridit fundjavën e ardhshme me një fitore./GazetaExpress/