Ministria e Shëndetësisë filloi me analizimin e të dhënave të situatës momentale të burimeve njerëzore në institucionet publike dhe private shëndetësore në mbarë vendin.
Ministri kompetent Azir Aliu sot në konferencën për shtyp njoftoi se bëhet fjalë për fillimin e vendosjes së regjistrit të punëtorëve në fushën e shëndetësisë dhe se do të mund ta ndjekin lëvizjen e burimeve njerëzore në sistemin shëndetësor, nga pensionimi, punësime të reja, specializime, deri te transferimi nga njëri institucion në tjetrin.
Ai theksoi se kjo do të thotë se kur të flitet për punësime të reja, kjo do të jetë përgjigje e nevojave konkrete në sistemin shëndetësor. Kur të themi se do të përforcohet shëndetësia primare në ndonjë komunë, theksoi Aliu, saktë do ta dimë se sa mjekë dhe infermiere duhet të ketë atje, kur të themi se nuk do të lejojmë të ketë qytete me dyfish më pak mjekë për kokë banori, do ta dimë si ta rregullojmë këtë.
Sipas analizës, në vend ka gjithsej 3.779 institucione shëndetësore nga të cilat 2.942 janë në rrjetin e institucioneve shëndetësore, ndërsa jashtë rrjetit janë 837 institucione.
“Nga 2.942 institucione shëndetësore 2.830 janë private (IPSH), ndërsa 112 janë institucione publike – nga të cilat 108 janë institucione shëndetësore publike (ISHP) dhe 4 institucione të cilat japin shërbime shëndetësore publike, siç janë Qendra Ushtarake Mjekësore, ASHAM, Universiteti Shën. Cirili dhe Metodi – Fakulteti i Mjekësisë dhe Fakulteti i Farmacisë-Shkup. Numri i të punësuarve në sektorin publik dhe privat arrin 32.383, nga të cilët 18.536 janë në ISHP, ndërsa 13.847 në IPSH. Nga 13.847 të punësuar, 9.040 janë mjekë dhe anëtarë të ekipit në shëndetësinë primare, ndërsa të tjerët 4.807 të punësuar në institucionet shëndetësore publike (të gjithë të punësuar në sektorin e shëndetësisë)”, tha Aliu.
Nga 18.536 të punësuar në shëndetin publik, theksoi ministri, 4.746 janë mjekë dhe bashkëpunëtorë mjekësor në nivel sekondar dhe terciar. Në institucionet e shëndetit publik ka 7.003 infermiere, si dhe personel tjetër mjekësor dhe jomjekësor.
Ai theksoi se nuk beson në politika pa të dhëna dhe prandaj e kanë filluar këtë proces, e kanë udhëhequr si proces të kryqëzimit të të dhënave nga institucionet e shëndetit publik dhe institucionet shëndetësore private dhe i kanë lidhur të gjitha nivelet e mbrojtjes shëndetësore, përkatësisht atë primar, sekondar dhe terciar, e kanë analizuar shpërndarjen në të gjitha komunat dhe rajonet, të dhënat i klasifikuam sipas specializimit, sipas profilit dhe llojit të institucionit.
Sipas tij, ky është fillimi i vendosjes së regjistrit të të punësuarve në fushën e shëndetësisë ku të dhënat do të mund t’i shikojnë në kohë reale dhe të krijojnë politika shëndetësore të bazuara në të dhënat e përditësuara dhe të sakta në kohë.
“Kjo analizë doli nga një proces institucional themelor i kryqëzimit të të dhënave nga disa institucione, siç janë Regjistri Qendror, Agjencia për Punësim, Oda e Mjekëve, Oda Stomatologjike, Oda Farmaceutike, Drejtoria për Shëndetësi Elektronike dhe Fondi për Sigurim Shëndetësor. Kujdesi shëndetësor nuk mund të reformohet “verbërisht”, është e pamundur të planifikosh kujdestari, lista pritjeje, specializime, ekipe ndërhyrjeje dhe shërbime shëndetësore afër shtëpisë së çdo qytetari, nëse nuk e di saktësisht se sa njerëz punojnë në sistem, ku punojnë dhe me çfarë ekspertize”, shtoi Aliu.
tag_katrorimaqedoni_2