Përtej realiteteve të prekshme, me thelbe të dukshme e të rrokshme gati njësoj nga çdo lexues, për arsye të kuptimeve të drejtpërdrejta të shprehjeve poetike, kemi dhe imazhe disi të ëndërrta, “realitete” të tjera, përtej asaj çka shohim kthjelltas, një imagjinatë që ngjiz pamje përtej të rrokshmes. Është kjo imagjinatë që botërat e vogla e të mëdha, na i reflekton në iris të syrit e në feksje të trurit, si peizazhe ëndrre. Është ky realiteti përtej, që surrealistët e kanë parim të thelbit poetik. Aty zogu nuk është vetëm zog, guri jo vetëm gur dhe mahnitja e natyrës nuk është vetëm mahnitje. Secili shenjues ngjiz njëherazi disa imazhe. Surrealist i rafinuar në të dy përmbledhjet me poezi të zgjedhura, “Eliksiri i gurit” dhe “Heraldikët e borës”, Kacalidha sjell për lexuesin një lirikë, ku gjuha shqipe ngjit në shqisa si lëngu i frutave të vjeshtës në duar, rrjedhë ligjërimore aq e natyrshme, aq e buruar e krejt e pavrarë. Imazhet surreale të poetit përkëmbehen me njëra-tjetrën, si nuancat e panumërta që një gjethe vjeshte merr prej pigmentit të së gjelbrës në ditët e gushtovjeshtës, duke kaluar mandej në nuanca të llojllojshme të së kuqërremtës së zjarrtë, ndërsa zbehet ngadalë drejt një të verdhe anemike.
Kritika shqipare dhe ajo greke i kanë mëshuar përherë thelbit surrealist të poetit. Spikat përcaktimi i Bejkos për “një stuhi ngjyrash dhe imazhesh surrealiste që të pataksin” [1]dhe Tasos Kocis që e pagëzon poetin si “aristokrat i imazhit surrealist të vlerave universale”. Imazhe që pataksin, pasi Kacalidha është poeti i një imagjinate të shfrenuar, ku përmes detajeve të pambarimta të realiteteve përtej, krijohen në tokë dhe jo në qiell, parajsa nga më të bukurat në lirikën tonë.
Poeti hyn e del jo vetëm në tempullin e vjeshtës, por edhe në tempujt e gjithë stinëve, edhe pse në dy vëllimet poetike më përfaqësuese pas viteve ’90, “Profecitë e drurëve” dhe “Pagëzimi i zogjve”, vjeshta mbetet stina e parapëlqyer dhe metafora mbizotëruese. Te “Profecitë…”, proza poetike Po hyja në tempullin e vjeshtës ka të tillë vargje: “Po hyja në tempullin e mermertë të vjeshtës, oshënar i vetmuar. Përkulesha rrëzë një burimi të pija ujin e bekuar të gjirit të dëborërave. Me pëllëmbët e gjetheve të rrepeve. Si besimtari në altarët e shenjtë”. Oshënari i vetmuar i vjeshtës, i zjarreve të bukura e flakëve të shuara, herë i ngazëllyer e herë i përmbytur nga pikëllimi, tepër rrallë e krijon paralelizimin ndërmjet pikëllimeve të natyrës dhe pikëllimeve shpirtërore. Pikëllimet vetëm sa e fshikin, gjë që ndodh kur vjeshta po vdes dhe dimri ia beh në prag. Ama pikëllimi asnjëherë nuk shumëfishohet. Asnjëherë nuk lind bij. Sapo natyra vdes, pemet zhvoshken e gjethet thahen, uni lirik e lë saora mënjanë melodinë vajtuese dhe gjethohet në shpirt e trup, për t’i bërë ballë vdekjes së vyshkjes. Ai është i gatshëm të ngrihet nga varri, për t’i kthyer ringjalljen dherave anembanë.
Oshënar në kërkim të zbulimit të shpirtit, i mahnitur e i tronditur nga braktisja e harlisjeve, poeti thur vargje, ku realiteti i ëndërrt ndjell imazhe përtëritëse sapo natyra nis të zbehet. Paralelizimet poetike të De Radës, si zbehje në jashtësi / zbehje në brendi të unit lirik, assesi nuk ndodhin te poeti. Përkundrazi, hasim zhvendosjen e njëkohshme të dy realiteteve të ndryshme. Jashtë gjithçka e padiellëzuar, brenda gjithçka e diellëzuar, si reaksion përshpejtues i ringjalljeve dionisiake apo biblike. Kur natyra pastaj ka gëzim, hare e përndritje, paralelizimi mes gëzimit atje dhe gëzimit në shpirt, vjen në sinkron, gufim i haresë në stinë e në shpirtin e poetit. Gëzimi shumëfishohet tashmë jo si reaksion i të kundërtave, por si vetëshprehje e së njëjtës.
Por, si bashkëveprojnë elementet surrealiste për të ngjizur parajsën tokësore te Kacalidha? Titulli “Heraldiket e erës” i poemës përbën një përjashtim të thekur kuptimor të dy shenjuesve: heraldikëve dhe erës. Në perceptimin tonë, kur themi “po fryn erë”, na vijnë ndërmend vrunduj ajri të ftohtë ose të ngrohtë, që na përplasen në trup e fytyrë. Nuk i shohim, por i ndjejmë vrundujt. P.sh.: era na sjell rërë në sy, era na përplas sa andej-këtej, era na fërshëllen në vesh një këngë të përvajshme etj. Kemi një element të padukshëm, si në jetë, si në tekstin e poezisë. Po heraldikët? Heraldika ose stematika është shkenca që merret me studimin e stemave ushtarake, si p.sh.: simbolikën e ngjyrave në dekoracionet s tyre. Në këto dekoracione, ngjyrat mbartin një simbolikë të veçantë, d.m.th. secila ngjyrë i përgjigjet një emri heraldik dhe një simbolike të caktuar. E kuqja është simbol i qëndrueshmërisë ushtarake dhe madhështisë. Bluja (e kaltra), simbol i besnikërisë dhe së vërtetës. E zeza, simbol i qëndrueshmërisë dhe pikëllimit. E gjelbra, simbol shpresës, gëzimit dhe besnikërisë në dashuri. Ngjyra vjollcë, simbol i madhështisë mbretërore, sovranitetit dhe drejtësisë. Pa qenë në gjendje të krijojmë trajtën e erës as në përfytyrimet tona më të çartura, na u dashka të përfytyrojmë dhe ylberin e ngjyrave të së padukshmes. Dyfish irreale. Kacalidha është surrealist i imazheve që jo vetëm të pataksin kur arrijmë t’i përkapim, por një surrealist edhe më i thellë kur procesi krijues përmes imagjinatës së përflakur ndodh larg çdo lloj kontrolli të vetëdijes.
Si mundet
lexuesi i poezisë i sapondodhur përballë leximit të titullit të shquajë
heraldikët e erës?! Jo, kjo mund të ndodhë vetëm në ëndërr, në të
pavetëdijshmen botë tonën.
Për shkrimtarin Ismail Kadare, teknika e poezisë së Kacalidhës përshkruhet
kështu: “Poet me zanafillë greke, me një poezi metaforike surrealiste
brilante, përqasur herë me zymtësinë e Seferis dhe me dritësinë e Elitis’.[2] Duke
iu kënduar vendeve ku era fryn, përmes metaforash surreale, uni lirik i
oshënarit rrëfimtar, arrin të na përshkruajë jo pamje të shpirtit të natyrës,
por ëndërrimet e tij për secilën pamje.
“Oshënar, u shtriva të lëpij hirin e drurit e hirin e gurit
e të zogjve për profecitë e mia.
…Dhe jargavani shkundte shpirtin me një furtunë
jargavanësh në perlat e asfondelit.”
Shpirti i jargavanit shkundet në furtunë. Shpirti i natyrës, i jetës, i një parajse të prajtë tokësore. Gjithçka përherë ndodh vetëm në tokë. Surrealja buron e mjegullohet sapo fillon kthjellimi i saj. Megjithatë ka dritë në këto vargje të pjesës së dytë të poemës. Ka shpirt të shenjtëruar dhe aspak pikëllim.
“Në shenjtërinë e detit hedh dhe bekoj kryqet e
jaseminit që shpërthejnë ndanë deteve.”
Shenjtëri vetëm pagane në këtë pjesë të dytë të poemës. Por nuk ndodh kështu në pesë pjesët e tjera. Në rrëfimin e parë, Kacalidha vjen si poet me zanafillë greke. Këtu mbizotërojnë shenjuesit mitikë, të përzier me shenjues biblikë si: uji i bekuar, apokalipsi i guvave dhe fashikujt e ungjijve. Ndërthurja e lëndës mitike me lëndën kristiane, si një nga tiparet themelore të poetikës deklarohet edhe nga vetë poeti, i cili i mëshon shkakut biografik të kësaj ndërthurjeje në laboratorin e tij krijues. Në një intervistë të botuar në revistën “Exlibris”, Kacalidha shprehet: “Unë kam lindur në Leshnicë në kufirin midis Shqipërisë dhe Greqisë. Gjithë bota ime që kishte lidhje me tokën, me drurët, me gurët, me yjet,me gurrat, me zogjtë dhe gjethet përreth ishte pagane dhe ajo tjetra, shpirtërorja, me Ungjillin, me kishat e vjetra, altaret, hieroret, qirinjtë dhe varret, qiellin e shpirtrave, ëngjëjt, ishte një botë e krishterë”.[3]
Poema përshkohet tejendanë nga një gjendje ndjellëse gjumi. Lexuesi herë e beson atë që lexon, herë e përfytyron dhe herë i duket krejt irreale. Megjithatë ndjesia e përgjithshme mbetet joshja e pamjeve të ëndrrës. Rrëfimtari i ndodhive surreale është asnjanës në njëfarë mënyre. Ai më së shumti rrëfen. Edhe në rastet e pakta kur ndërfut përjetimet e tij, uni lirik është sërish “objektiv”, duke mos kërkuar aspak të ndikojë te lexuesi i tekstit poetik. Frymëzimi homerik e pushton poetin edhe në shtrirjen e vargjeve, te tonet e qeta e plot lëndë të poezisë, te rrëfimi lirik me tone kinse asnjëanëse, imitim i tonit epik. Pagania te rrafshi mitik, shenjtëria te simbolika biblike, por shpesh dhe shenjtëria e paganes dhe shenjuesit biblik brenda miteve të lashta greke ndërthuren plot harmoni. Kemi heraldikët e dritës dhe heraldikët e zymtë të mungesës së dritës.[4] Mungesa e dritës pllakos në pjesën e tretë të poemës. Pagania dhe mitikja këtu janë fare pak të pranishme. Është e vetmja pjesë ku simbolika biblike është thelbësore. Vargjet hapëse “E shkretë shtëpia, zjarri i fikur/ mohimi nga bekimi i hirit”, mandej shenjuesit kokë e prerë e Pagëzorit në duar dhe me gjethin biblik të ullinjve, tregojnë se drita e gëzimi e ka tradhtuar botën e poetit, por kurrsesi poeti dritën. Bash kur zymtohet parajsa, ai gjethërohet.
“Zogjtë pickojnë sythet dhe gjethëron qenia ime.”
Në pjesën e pestë parajsa përndritet sërish. Një un lirik i përtërirë, jetëson edhe botën përreth. Mandej, në pjesën e gjashtë, hareja pushton gjithë familjen. Shenjuesi i gjyshes vjen si nëntekst i gëzimit të shumëfishuar në breza të krejt etnisë.
“Gjethnajës frynte frymë perëndie”.
…“Gjyshja shfletonte paragrafët e Matheut për yllin e Betlemit.”
Rrëfimi përmbyllës na risjell edhe njëherë trillet surrealiste. Rrëfimtari i narracionit lirik paska qenë fëmija i llastuar i ëndrrës, ndërsa ligjërimi poetik, një përpjekje për të kapur erën dhe për të shpëtuar heraldikët e saj.[5] Sepse, ëndrra i përket më së shumti fëmijëve dhe gjithë të rriturve të fëmijëruar. Kësaj i mëshon dhe surrealizmi: si të arrijmë t’i bëjmë të palëvizshme me fjalë trajtat e ëndërrta të pavetëdijes. Trillet plot melodi joshëse të erës, ashtu si kënga e sirenave mes ishujve të Shillës e Karibdës, e shtangin unin lirik njësoj si Odisenë, jo më para dallgëve të detit, por tani para një natyre tokësore në lëvizje të pareshtur. Kacalidha, na vjen kështu, si një surrealist që të pataks me përpjekjen e tij për t’u ngritur tempuj e shtatore të mermerta nocioneve abstrakte, siç mund të jenë shenjuesit vjeshtë dhe erë të kësaj trajtese, e cila është përpjekur të rrokë karakteristikat më thelbësore të surralizmit të poetit. Karakteristika që gjenden edhe në pjesën dërrmuese të krijimtarisë më përfaqësuese të tij.
Niko Kacalidha
Heraldiket e erës
1
Bole bronxore zeusiane-vezakja e bjeshkëve të mia
të mbira në sininë e erës.
Pushi edik i Afërditës shkarë nga kombinezoni i detit.
Gjiri i gurtë i Artemidës që i ngurosi galaktikat dhe
krejt viset kimerike.
Malet e mpira boreale, ëndërrimtare të dëborës,
shkundur në dendurinë e reve, të dallgëzimeve detare.
Lumi i Lithisë kalonte netëve fshehtas poshtë
kodiledonit, kopshteve,
pinte burimeve të mia duke mendur gjinjtë e gjumit.
Në sqetullat e brigjeve aromë jasemini dhe glasat e
pëllumbave.
Në pirustinë e maleve harlisej endermiku, bari i
harresës.
Në buzët e burimeve pinim me gjethin e limonit ujin
e bekuar, në grushtin argjendar të hënës dhe të
dridhej klorofili i erës.
Era prehte majën e qiparisit për apokalipsin e guvave
dhe fashikujt e ungjive.
Burimet rendnin deteve nën putrat e centuarëve.
Në verbërinë terrishte ngulte agullimi monoklin e
trëndafilit.
Ishte një trëndafil i egër që përgjakte gishtërinjë e
diellit mes bredhave të mia.
Thëllëzat e harruara nëpër klamidat e hyjnive, në hirin
e shuar.
2
Oshënar, u shtriva të lëpij hirin e drurit e hirin e gurit
e të zogjve për profecitë e mia.
Oshënar, për të shkundur pjalmin e trëndafilit dhe
lotin e blirit.
Bulkthi kërcente në dritare fletëve të drunjta:
criu…criu…
Zogjtë: ciliviu…viu…viu…viu
Dhe era: viu…viu…viu…viu…
Dhe jargavani shkundte shpirtin me një furtunë
jargavanësh në petlat e asfondelit.
Në shenjtërinë e detit hedh dhe bekoj kryqet e
jaseminit që shpërthejnë ndanë deteve.
Nëpër navigacionin diellor të detit nxjerr amfora hëne
me spirancën e zogjve.
Unë isha në vetminë e detit pas bregut të vetëtimave
në drojën e puthjeve të mia
kur kriste kokrra e shegës nga pickimi i krillave.
Në rrudhjen e përbindshme të gurit,
në therjen e llahtarshme të barit
rendin përrenjtë bardhorë të dëborës.
Në krifa bjeshkatare qafa leopardësh kapja pëllumbin
e egër në guvat e harrimit.
Nën rrasat e varura të reve thera korbin me tehun e
vetëtimës.
Nën gurin e bardhë varrosa skeletin e arkeopteriksit.
Mbi gurë shenjat e gishtërinjve mollëzat e gjenezës
sime në brigjet gjenealogjike.
3
E shkretë shtëpia, zjarri i fikur
mohimi nga bekimi i hirit.
Borsi i ngrirë në dritare.
Pjergullës në oborr i krisnin eshtrat.
Shtëpisë varur në brinjë i krisnin trarët.
Gjyshes pranë vatrës i thernin kokallat.
Drurit të nxirë në oxhak i kriste palca e zjarrit.
Vdekja që zinte pragun në oborr, ngrinte nga bora.
Mjekroshe mjegullat në brigjet e lumenjve varnin
gështenjave napën e të vdekurve.
Retë e therura me thika vetëtimash kokë e prerë
e Pagëzorit në duar.
Ia nxora kombinezonin Afërditës, e lashë lakuriqe
brigjeve.
Duke pirë gjakun magjik të virgjërisë së luleve.
Duke lexuar absurditetin e abëcësë së yjeve.
Duke fshehur pushin edik me gjethin biblik të
ullinjve.
Prilli buloi supeve të mia.
Zogjtë pickojnë sythet dhe gjetheron qenia ime.
Flatroj pyjeve të panjës, në kopetë e yjeve.
Balta u thinj përrenjve duke vënë në dyshim dhe
baltën e gjenezës. Pyjeve lashë Panin, dafinave
Odiseun.
Në ëndërr puthja Euridikën baptisteresh, odeoneve
të detit.
4
Shtrirë në shezlongun e hardhisë
dhe nga vështrimet e mia u verbuan bebëzat e yjeve.
Gjethnajës frynte frymë perëndie.
Ëndrrave bulonin bulborët e ciklaminit.
Nesër, do të rendja me flugerin e trëndafilit në duar,
për theroritë e reve, për sinoptikën e borës.
Nesër, do të rendja në male për sistemimin e zogjve
në burimet e mia.
Nesër, do të rendja për të pirë detin, të radhis guaskat
në brigje.
Nesër, do të rendja të kapja një asteris nga foletë
e qiejve, ta mbaja në duar për të pirë ujë në gurrat e mia.
5
Në faqet e mia mbinin nishanet e yjeve në
perëndimin e gjumit.
Në heshtjen e hënës zhiva shkiste në veshin e
burimeve.
Në plloçat e oborrit ulërinte qeni i helmuar nga
qerpiku i lotit.
Në krisjen e një guri dridhej ciklamini.
Natën çative mjaullitnin macet e njëqind shtëpive
hënës.
Gjyshja shfletonte paragrafët e Matheut për yllin
e Betlemit. Bustet e borës ranë, u shkrinë
kalldrëmit të ekuinoksit.
Mitologjisë së gurit bëja kardiogramin
e zogjve, për adrenalinën e gjakut.
6
Në oshilacionet e zemrës sime interferohej zemra
e zogjve.
Eshtra e lakuriqit të natës në xhepin e zemrës sime
për të shpuar dashuritë e mia.
Dhe flija fëmijë i llastuar i ëndrrës
gjithë natën me buzët në gjirin e hënës.
Gjithë natën mendja burimet e mia dhe gjirin e detit.
Dhe zgjohesha një dem i çartur.
Dhe zgjohesha toreador i dërrmuar, dehur nga
jargavani i erës…
Natën bërtisja nëpër ëndërr: “Kapeni erën! Kape erën!
Kape menduzën që ngurosi dhe gurin nëpër anëdete!”
Maleve natën endeshin statuja kalëruar në mirjada
kuaj.
Duke marshuar mbi dhimbjen e gurit.
Duke turfulluar mbi patkojtë e strallit.
Duart i bëra brirë dhe ulërij zgafellave.
Nëpër gremina drurë mbjell për të varur shandanët
e yjeve.
Për të shpëtuar heraldikët e erës.
Sarandë, më 15.1.2003/Exlibris