Ali Aliu: Sadik Bejko, Majlinda Rama dhe Luljeta Lleshanaku – tri individualitete të veçanta krijuese - Gazeta Express
string(97) "ali-aliu-sadik-bejko-majlinda-rama-dhe-luljeta-lleshanaku-tri-individualitete-te-vecanta-krijuese"

Arte

Gazeta Express

24/11/2022 15:34

Ali Aliu: Sadik Bejko, Majlinda Rama dhe Luljeta Lleshanaku – tri individualitete të veçanta krijuese

Arte

Gazeta Express

24/11/2022 15:34

“Kalorësit e shiut”  – Sadik Bejko, emocioni dhe surealja

1.Sadik Bejko është poet i dorës së parë në letërsinë shqipe. Dy nga tetë vëllimet të tij me poezi, “Si vdes gruri” dhe “Letër Hamurabit”, janë në lartësi majash. Shqetësim i parë i frymëzimit të tij është shpërfytyrimi moral, varfërimi shpirtëror i botës përreth, ndërsa qaset me përsiatje mbi ekzistencën e qenies njerëzore; plaga e parë, që shtrihet gjerësisht si dhimbje thellësisht e rëndë, një ngarkesë emocionale që poeti do ta përcjellë dhe duket sikur lehtësohet, duke e ndarë me relievin rural të natyrës së vendlindjes, në procesin e shpirtëzimit të gjithësisë, ku Bejko është mjeshtër perfekt. Imagjinata e tij krijuese, duke funksionalizuar bashkë zërin lirik dhe refleksin, artikulon pamje të pamundshme, sureale, por të besueshme…

Lexo Edhe:

2.Edhe në librin “Kalorësit e shiut”, ikja nga brutaliteti i botës përreth, nga të gjitha perspektivat e mundshme, strehimi në hapësira të lira, ngasja për strehim drejt normaliteteve, është instikt dhe objektiv bashkë, sa i menduar, sa i regjistruar në subkoshiencë. Ikja virtuale a fiksionale, ajo e poezisë dhe me poezinë, përgjithësisht, është ëndërrore; fluturimet e imagjinatës së poetit, ikja nga bota e përfshirë në acar shpirtëror, nga përditshmëria dhe marrosja, është refuzim i zërit ndaj këtij realiteti, ndaj kësaj bote, është e vetmja strehë e poetit në këtë rast. “Si nuk mësuat? Vrisni për grua, për politikë,/ për para. Unë, Kaini, vras me vullnetin tim të lirë. (Fantazia e Kainit). Duke bërë publik portretin e përditshmërisë: “Nën qiellin pus fundosur Tirana./Ngrijnë lulekumbullat tek bëjnë të çelin./ Dimri, penduar që ende s’ka marrë hak,/ bën të ikë dhe rikthehet më i vrazhdë (Mos më lexo në mbrëmje, Magdaliní), poeti e fuqizon më tej aktin e refuzimit, e paraqet më bindëse gjendjen e botës përreth dhe përmes shpirtëzimit të natyrës, bartur kujtim nga fëmijëria. Përmes paralelizmit figurativ, poeti Sadik Bejko, krijon sistemin e vet mbrojtës nga kontaminimi epidemik, karikon  bateritë e shpirtit nga rreziku i sëmundjeve ngjitëse, ngjashëm me prirjen e rilindësve apo romantizmit, por në poetikën e Bejkos ajo lëviz në drejtim të kundërt – në vend natyra të jetë pasqyrë, ku zëri sheh veten, ai, vë në lëvizje natyrën, gjithësinë, përcjell e shtrin mbi të ngarkesën emocionale, refleksive, filozofike; në përmasa të një surealizmi të skajshëm, shpërthyes, imagjinata e zërit lirik kalëron ajrin, retë, duke i rënë pash-më-pash qiellit, edhe përtej, përfton hapësira pafund; si një art shagallian.

Si një lejlek i ftohtë,

ngisja qiellit me not.

Bëja udhë, çaja ajër,

nga pak me habi

për krahët, trupin tim

të kthyer në hark…(Në qiell)

Tek cikli “Somnabul”, poeti, për të përfshirë dhe për të sjellë sa më shumë lëndë, sa më thellë e sa më të plotë, sugjeron fuqi emocionale sugjestive, vë në lëvizje universin e vet, atë më njerëzorin. Duhet besuar se poeti Bejko edhe në subkoshiencën e vet e ka shtresim relievin e natyrës virgjër, pastërtinë dhe bollëkun e mirësisë së njerëzve, të cilin e ka sjellë perfekt përmes portreteve të gjyshes dhe gjyshit; është për të besuar se në atë univers fëmijërie, Bejko ateron edhe gjatë gjumit përmes ëndrrave,  nga mund edhe ta kenë burimin shumë vargje të ciklit “Somnabul”.

Dhe, ajo që e bën sipëror artin poetik të tij, është dhuntia për të qenë kristalisht i qartë, i dukshëm – i tejdukshëm, duke pastruar imazhet somnabulike nga tisi mjegullues, nga cilado perspektivë… maestral në latimin e vargut, atmosferës, pamjeve. Shpesh, skajshmërisht befasuese, ai paraqet një poetikë antike, që në fiksionin e një çasti, bën bashkë një spektër të gjerë emocionesh, që duket sikur janë testamentuar palë-palë…

4.Zëri i subjektit shndërruar në seizmograf të shiritit kohor shqiptar, për më shumë se gjysmë shekulli krijimtarie letrare – fillimet nisur plot dyshime për drejtimin, besimin shprehur tek rrënjët, për të përfunduar gjysmë i syrgjunosur; pasuar vargje prehjesh të rralla pas territ, krah ndonjë dritare a rreze gjysmë të shuar me librin e radhës. Nuk do t’i shkoqet ankthi i tuneleve, as me librin e parë pas diktaturës, “Si vdes gruri”, që së bashku me “Psallm për Atin”, artistikisht qëndron krah “Letër Hamurabit” dhe “Këngët e Solomonit”.

Ngasja lirike më dramatike e këtij seizmografi, do shpërthejë përmes vargjeve “Somnabul”, që pason librin “Letër Hamurabit”, njërin nga kryeveprat e poezisë shqipe dhe që do sodisë si Dantja, jo nëntokën, por sipërfaqen e rruzullit tokësor. 

Bejko, në thelb, sado diskret, ndjehet thellësisht i vetmuar; jo vetmi e llojit të mungesës, të pranisë bosh të njëshit, por në kuptimin e arratisjeve brenda vetes, reale dhe ëndërrore. Rrethuar nga banaliteti përreth, ai përfshihet në dialog me vetveten, gjithë në kërkim të shtigjeve të shpëtimit, arrin të depërtojë thellësive të qenies, të kuptimit dhe kaosit, në përditshmërinë e vet dhe atij të absurdit planetar.

Trishtuar jam, Sulamith, ajmé Magdaliní,

kënga ime e këngës…mbretëria ime…

turtujt pa qiej, pa zë e pa thërrmi.

Tek udha… një njeri po e mbillnin në dhé,

ofshet e tij ende dëgjoheshin mbi tokë.

E rrihnin sipër dheun me shputat e këmbëve,

ta fundosnin më thellë se kufomën. (Mos më lexo në mbrëmje, Magdaliní)

Vetëm tek vargjet e lirikës erotike, tejet të kursyer dhe plot dritë, ai krijon hapësira lumturore, biblike…

Asgjë s’mund ta sjellë mrekullinë e agimit,

Veç heshtja e sigurt e lëvrimit të planetëve larg, diku.

Kurrë s’do ta dish se nën shtresimet thikë të territ,

zgjuar, vështrimi im rreh të t’i cekë sytë e tu.

Mundet dhe në mëngjes nuk të gjej nën kaq mjegull.

Lëvrimi i planetëve e nxjerr mëngjesin nga nata,

lëvrimi i ndjenjës dhe sikur ta shkrinte Arktikun,

nuk është prerje me fat për pritjet e gjata.

(Rrotullimi i planetëve)

Thënë përmbledhur, poezia e tij është e sofistikuar, vjen si vërshim asociacionesh lirike, akustike, valë thellësish filozofike, mendime dhe mall emocional për vlerat shpirtërore – tani në krizë; gjatë arratisjeve të brendshme, ngjizet edhe poetika, sipas një gravitacioni metafizik, me përbërës këtej dhe përtej realitetit; merr me vete segmente të natyrës, vendlindjes, pamje, sende, njërëz, për t’i shpëtuar nga banalitetet e kohës. Poezia e tij mëton të arrijë përsosmërinë, të paarritshmen; i krijon ato hapësira në sfond, përmes ëndërrimeve, sureale.

II.  “Lirikë me dhimbje” – Majlinda Rama – lirika refleksive dhe erotike

Majlinda Rama i takon brezit, i cili morri hov gjatë dy dhjetëvjetëshave e shekullit njëzet e një; ajo është poete, prozatore dhe studiuese e letërsisë. Majlinda vjen si zë i shquar mes shkrimtarëve të brezit të saj, sidomos në zhanrin e lirikës erotike të shqipes, ku ajo sjell një frymë të re dhe e freskon këtë lloj poezie. Kjo më ka tërhequr vëmendje në krijimtarinë, përkatësisht poezinë e saj, prandaj edhe në këtë paraqitje timen të shkurtër, po përqendrohem në ciklin e lirikave erotike, rreth njëzet e ca sosh, të përfshira në librin ‘Lirikë me dhimbje’, botim i Onufrit, 2020, shikuar nga tri perspektiva. Perspektiva e parë është në frymën e vargjeve të poezive “Kur më sheh ti”, “Një burri”, “Mall e burrë”; e dyta lidhet pas vargjeve të poezisë “Ju që më deshët me zjarr”, tërthorazi edhe në vargjet e poezisë, “Ai dashuroi një grua tjetër”; këndi i tretë dashuror përfshin vargjet e poezisë “Skulpturë”.

1.Lirika erotike e Majlinda Ramës vjen plotësisht e hapur, transparente, pa ngarkesa, dëshmi emocionale, pa psherëtima dhe përgjërime; vjen gjithë para botës e përfshirë nga lumturia dashurore; dashuria e saj është valë gëzimi qiellor që shtrihet rrotull dhe përreth, gjithësisë, zëri lirik në këtë poezi di dhe do të dashurojë, guxon të dashurojë në përballje me tërë botën; zë lirik dashuruar përmasash me një Sulamith biblike, kodrinave dhe shesheve antike – sjell gëzim planetar gjithë ku shkel dhe është i pranishëm; dashurinë lumturore e ka kudo, në sy, në ecje, në farfurimë vezulluese të trupit që, safoisht shtanget para shikimit të të adhuruarit, shpirt dhe trup purtekë metalike e skuqur në dridhje; në çastin e radhës digjet pasionit ta mbështjellë hyjnorin me trupin e vet për ta fshehur,  sa nga syri i lig, sa nga droja për të mos e humbur…, njësoj dhe gjithë elegancë estetike:

Kur më sheh ti, trupi më rreh si sahat

e më zgjohen pulset,

pastaj, të marr në pushtetin tim,

ti shëtit i lirë syve të mi

e shtrihesh gjerë e gjatë në kokën time.

Pastaj,

çmenduria bëhet më fatale

kur më jepesh ti,

unë nis të bëhem Kleopatra

e të rrëmbej me gjithë çfarë je – lëndë e shpirt

(Kur më sheh ti)

Në studimet letrare flitet për një fenomen emërtuar si karakter krijues (poetik) i një vepre a në një vepër, që nuk ka të bëjë me jetë e biografi autori; bëhet fjalë për një fluid që vizëllon mes vargjeve, produkt i tërë infrastrukturës tekstore, stilistike, i arkitekturës vjershërore të fjalës, gjuhës. E pra, verbi poetik në lirikën erotike të Majlinda Ramës ka një të tillë tharm, brishtërisht të sertë dhe njëherësh të prerë në të vetën, në atë që do dhe arrin; flakëruar zjarrit dashuror, ajo merr edhe ëndrrat në krahët e  vashës së parë, të gjitha dashuritë e para të tij:“Të t’i lidh në gjakun tim dhe të t’i kthej në dashurinë time për ty”. Rrjedhin melodi dehëse, magjiplotë vargjet e poezisë ‘Mall e burrë’, perlë e vërtetë e lirikës erotike; gjithë në traditën më perfekte të vargut popullor; vjen lojë shpirtërore e brendshme e dy të dashuruarve dhe që lëvizin sipas një koreografie që krijon figura arti skenik, në eter dhe gjithë graciozitet, që ndjellin dhe rrëmbejnë pa e ndjerë fare, kredhur tërë hapësira, në polifoni, shtresuar pasionesh lumturore të dashurisë:

“Ishe botë, m’u bëre Botë, në këtë botë,

s’ishe imi, ishim bosh e tani plot,

ishe ajër, ishe ves’, m’u bëre sy,

ishe djalë, u poqe-burrë, m’u shfaqe hy’

s’bëj dot pa ty!”

2.Poezia “Ju që më deshët me zjarr”, me tetë katrenat e saj, të lidhura, të rrëmben nga më shumë perspektiva; është ritmi dhe eufonia – goditje e parë; është hapje tej-e-tej i shpirtit dhe mendjes së zërit; është lojë lëvizëse e disponimit emocional, sa, në çast thua, se poetja po u thur ode adhuruesve, pastaj vjen aq sa edhe qesëndis në modelin e Kazanovës përreth dhe rrotull; po aq sa përcjellje e një buzagazi joshës, sa qesh e ngjesh për kazanovët e të gjitha stinëve, që flirtojnë dhe e mbajnë “fshehur nën gjuhë”, duke premtuar male parajsore, sa nxjerrë në shesh të lakuriqësuar kazanovën shqiptar…

Djelmoshët e mi që shkumëzoni përvëlim,

diellin e gjinjve s’ma lat’ të ftohet kurrë,

me lulevere çdo ditë, më bët’ shkëmb në zgjim,

në mua ngritët flakë, gjelbëruat çdo mur.

T’dashuruar të thekur, kazanovët e mi,

nëpër koh’ harruat penelopat tuaja,

flokët flakë m’i ndiznit nën të lagshtin shi,

mesnetësh, dhimbjen e grave tuaja vuaja.(Ju që më deshët me zjarr)

Vargjet lidhen plot elegancë në bërjen e portretit të flirtuesit, zëri lirik ndërsa vesh kostum që edhe mund t’i shkojë një çapkëneje, e cila s’ka përse të ndjehet keq para admiruesve, sidomos kur ata vijnë kujtim i kohës “kur cickat më buçitën si t’bardhat lulebore”, dhe që “nëpër vite ju mbaja vazhdimisht për dore”; flirtuesit e mëvonshëm, për më shumë “vjeshtakë katërstinësh”, që “nën gjuhë më fshehët të më takonit tinëz”, prandaj janë skajshmërisht acarues dhe refuzues, të cilët poetja nuk i kursen; mbase flirti, por edhe më shumë se kaq, do të ishte mëkat i falshëm, edhe për zërin lirik, por përcjellë tinëzisht, prek kufij hipokrizie; gjithë zë i rrallë në lirikën erotike shqiptare që shfaqet kaq hapur, me kaq sportivitet emocional… dhe artikulim perfekt, në art poetik…

Apollon’ të regjur, vjeshtakë katërstinësh,

secili m’u lut t’më bëhej një ditë burrë,

nën gjuhë më fshehët të më takonit tinëz ,

unë – hënë e dikujt, që s’më deshi kurrë! .

(Ju që më deshët me zjarr)

Edhe vargjet e poezisë “Ai dashuroi një grua tjetër”, që arrin tension emocional kulmor, janë faqja tjetër e emocionit lumturor të dashurisë së zërit, e cila tradhëtinë e të dashurit e përjeton si tragjike, si të flakur humnerës përmbysëse, “Aromë gruaje tjetër vjen kjo shtëpi/ aroma ime trembur gjer në asht”

3.Këndi i tretë lidhet me vargjet e poezisë ‘Skulpturë’; nuk është skulptura me identitet të caktuar, me emër e mbiemër, skulptura e heroinës së njohur, është skulpturë gruaje që në botën e vet, ndër mote, në jetën e vet mban shtresuar sfidat, betejat e pareshtura për të patur zë, për të qenë vetja, e plotë; janë të gjitha dhimbjet e mbajtura në heshtje… dhe stoicizmi i saj – gdhendur në mermer, dhuratë qiellore për ta bërë përjetësi qenien njerëzore; është statujë laokontiane që, pos dhimbjes planetare që shkakton shtrëngimi mbërthyer trupin dhe fëmijët, është mbidhimbja për të vërtetën e pathënë, atë të marrë me vete edhe përtej kësaj bote; është skulpturë gruaje që mban mbi shpatulla barrën e madhe në artikulimin normal të botës dhe që nuk ia sheh, nuk ia pranon bota e pandreqshme; e tillë vjen skulptura e poetes në fillim, me vargjet e parë, që, gjatë ecjes, në krahët e hireve të zërit lirik, shquhet qëndresa e një gruaje përballë hije-rendjes burrërore; kërkon shtigje gjallërimi, gjen hapësira e dritëhije, kënde oksigjeni gjithë për të mbajtur balancime; është skulpturë, që çdo herë përfton triumfale, por edhe helm e vrer, edhe e kryqëzuar nga konvencat e moralit fals. Falë një mjeshtërie përcillet gjithëpo simbolika e gruas tek vargjet antologjike të poezisë ‘Skulpturë’:

Enden muzikë lutjesh në çdo cepin tënd

dhe të nisin shira, dëborëra përmbi,

të puthin, të ndukin, me mend e pa mend,

dhe të veshin vello, dhe të vënë në zi….

Nga zgavrat e syve i sheh përcëllimë,

kur në dritë i var, në kryq të mendojnë,

mbi ty ditët bien, të rënda pikërrimë,

herë i kryqëzon, herë të kryqëzojnë. (Skulpturë)

Libri “Lirikë me dhimbje” ka disa sosh të tilla të përmasave antologjike dhe që natyrisht mund të veçohen të tjera për t’u lexuar e interpretuar. Qysh në librin “Lulet e egra” poezia e Majlinda Ramës depërtoi si  zë dhe u shqua mes botimeve të librave të viteve të fundit në poezinë shqipe.

III. “Poezi të zgjedhura” – Luljeta Lleshanaku – lirikja dhe narrativja     

1.Luljeta Lleshanaku është poete e talentuar, zë i shquar, i pranishëm rreth tridhjetë vite në letërsinë shqipe. Libri “Poezi të zgjedhura” në botim të Onufrit, qëndron në raftet e ndër më të përzgjedhurve e poezisë shqipe. Poezia e Luljetës është lehtësisht dalluese, ndër të tjera se, në shumicën e rasteve, ajo e ka prani edhe tablonë narrative në hije; qysh nga zënia e embrionit që pastaj të qëndrojë strukturë diskrete në sfond; natyrisht se edhe poezia më e pazëshme, më indiferente, mund të rrëfehet; në këtë rast ndërsa, vargjet e autores, teksti lirik, është i prirur të mëtojë, të ndjellë fluidin, ndjesinë e rrëfimit, njësoj edhe atë të përshkrimit të situatave të veçanta, artikuluar medalione fine, pamje të varura në një mur hapësinor pafund, siç janë poezitë “Në mungesë të ujërave”, “Dëbora e përvitshme”, “Pothuajse dje”,  “Fëmijëria”,etj. Tharmi lirik që është zë i parë, qëndron mirë brenda kuadratit të këtij sfondi, me tis narratorologjik, që, duke e kursyer nga vezullime të tepruara stilore, – pra falë edhe pranisë diskrete dhe elegante të skeletit fabular, e fisnikuëron tensionimin e emocioneve; fjala është për një poetikë krijuese që fare natyrshëm qëndron mirë trendeve të kohës, le të themi edhe postmoderne.

Autorja, me prirje për të rrëfyer duke u fshehur, bashkë me emocionet në krahë të imagjinatës ngacmuese, përmes imazheve, por edhe perspektivave të tjera, e sjell natyrshëm aromën ndjellëse të rrëfimit. Kujtimet nga koha e fëmijërisë, por edhe të moshës së maturimit, jetuar në kohën e diktaturës, në këtë diskurs lirik, bëjnë bashkë dyzërëshin, për ta përkapur në plotëninë e vet hapësirën dhe kohën, relievin shpirtëror dhe fizik të saj. Poetika krijuese e Luljeta Lleshanakut, në bërthamën e saj, si e tillë, përfshin më shumë përbërës të jashtëm dhe të brendshëm, që, siç e përmenda, qëndron e sigurt brenda trendeve poetike të fillimshekullit të ri…

“…E njëjta histori lufte/ e treguar me qindra herë,/ e njëjta markë cigaresh që i zgjatet miqësisht/ dhe po të njëjtët sy që e përcjellin,/ të errët e dembelë,/ atë dhe goditjen e thatë ritmike /derisa silueta e tij të zhduket/ midis hijeve të nënshtruara të çative/ dhe pikëllimit të tyre/ tmerrësisht të ngadaltë…”(Dëbora e përvitshme)

Në këtë kontekst dhe linjë komunikimi, poezia e këtij zëri, i sjell lehtësisht fjalët, pamjet, figuracionin që së bashku, ndjellin ndjesinë drejt realitetit, botës së lakuriqësuar; lapidare në artikulimin e ambientit, fiksionin e çastit që ka në objektiv, përfshirë edhe refleksin narrativ, poezia e autores, fare natyrshëm, tradicionalen e kthen në trend postmodern. Edhe tek vargjet me sfond rrëfimtar, edhe tek të disiplinuarat, ndjesia dhe refleksi krijojnë dritare të hapura, mozaik katrorësh në hapësirë, dyer dhe mure, huqe njerëzore; ndjesi dhe qetësi që e lakuriqëson botën rrotull dhe planetaren…

Befas unë sjell në mend tim atë,

të sapokthyer nga fusha,

gjithë djersë, në pushimin e drekës,

atë dhe time më,

kur dolën nga hangari

duke shtruar me nxitim flokët e ngatërruar,

të skuqur, me shikimin gjithë frikë rrotull

si dy hajdutë.

Dhoma e tyre e gjumit ishte e freskët dhe e pastër

në katin e dytë të shtëpisë.

Unë akoma pyes veten: “Pse në hangar?”

Nuk harrohen lehtë gjërat që i sheh duke mbyllur njërin sy:

fundin e heroit në kinema

apo eklipsin e parë të diellit. (Pothuajse dje)

Autorja vjen në poezi me kulturë letrare, ndjesi refleksive, me njohje, vizion për ritmin e ndryshimeve të shpejta të shijes dhe kërkesave, të perceptimit të poezisë nga lexuesi, sidomos atij poetik që, shpesh përjeton ngërçe krizash. Dihet se sot enigmën e poezisë  nuk e parapëlqejnë trendet. Poetja ka prirje ta shmang poezinë e ngarkuar nga reflekset filozofike. E vë poezinë e saj në atë rrethanë që vetë vepra të ndjehet mirë, komode, kudo ka shkelur edhe jashtë vendit, përmes botimeve të saj; nga kjo perspektivë statusore, zëri i saj rrjedh shtruar në shtratin e qetë, pasi ka bluar në sampon e vet përplasjet mes ngushticave shkëmbore. Zëri lirik kështu merr për dore kujtimet, tani dëshmi urtake dhe nga ky status sjell botë-jetën e vet, edhe me ndonjë nuancë viktimizimi. Poezia e Luljetës është art poetik, që në çdo detaj të pamjeve gri, tensionesh të ankthshme, të zëshme e të pazëshme, artikulohet kristalisht i qartë dhe elegant; gjithë duke gërvishtur nën cipë thelbin, kuptimin, absurdin e mozaikut tonë njerëzor, ajo ka sportivitet krijues që i vjen natyrshëm, si instinkt krijues…

Llampa 150W në mes të dhomës,

si një copë e verdhë djathi në një çark mërzie

Ime më punon me shtiza, duke numëruar nën zë;

ajo e di gjithmonë sa duhet dhe kur ndërrohen radhët,

e ngjitur si një copë stuko në qoshe të asaj dritareje

që sa vjen e bëhet më e qartë.

Ajo është një jastëk i vogël gjilpërash

që e njeh mrekullisht artin e nënshtrimit.

Përpiqet të ma mësojë edhe mua,

edhe sime motre;

tri kukulla Matrioshka të renditura sipas madhësisë,

ajo e fundit – unë

e pashpërbëshmja. (Në mungesë të ujërave)

Në tërë këtë konstelacion krijues, poetik, Lleshanaku ndjehet mirë, shfaqet e sigurt në vetvete, për veten, për atë që është. Pikërisht sportiviteti i tillë krijues, është pika e saj e fortë, sepse e bën atë që ta sjellë natyrshëm fuqinë e fjalës, të pamjes, të figurës, të cilat së bashku të ndjellin dhe përfshinë të ndjehesh brenda botës së mëtuar, të zërit lirik dhe të kohës.

2.Pasi e lexon librin “Poezi të zgjedhura”, mbushur përshtypjesh, mund të ndodhë që lexuesit, si me këtë rast, papritur, t’ia tërheqë vëmendjen fotografia e autores në ballinë të librit: ja edhe një dëshmi shtesë e vizionit, hapësirës që sjell poezia, të kohës që ndëshkon ëndrrën, të botës ku gërshërët kërcënojnë gjuhën. Gjithnjë referuar fotografisë në ballinë, është një shikim që duket sikur kërkon të sfidojë, për të “dëgjuar” petkat e shtresuara brenda një jete, me që, fjala, siç dihet, që nga Homeri e përtej, nuk arrin, ta përfshijë me fund të imagjinuarën; shikim zhbirues, stoik, plot vetëbesim, ftesë për kuptim dhe mirëkuptim!/Exlibris