Kryetari i Bashkimi Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka reaguar mbi zhvillimet e fundit në skenën ndërkombëtare, duke shprehur mbështetje të qartë dhe të palëkundur për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe rolin e tyre në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit global.
Në një qëndrim publik, Ahmeti thekson se aleanca me SHBA-në nuk është thjesht orientim diplomatik, por një përcaktim strategjik dhe vleror i shqiptarëve për të qenë në anën e demokracisë, lirive themelore dhe rendit ndërkombëtar. Ai shpreh shqetësim për veprimet destabilizuese të Irani në Lindjen e Mesme, duke i cilësuar ato si kërcënim për sigurinë e vendeve të Gjirit dhe për arkitekturën e brishtë të paqes në rajon.
Sipas Ahmetit, siguria në Gjirin Persik dhe në Lindjen e Mesme është një interes global, ndërsa roli i SHBA-së mbetet i pazëvendësueshëm si garant i ekuilibrave ndërkombëtarë. Ai nënvizon se shqiptarët kanë zgjedhur pa ekuivoke rrugën perëndimore dhe mbeten kontribuues aktiv në paqen dhe sigurinë kolektive.
“Në këto kohë sfidash për rendin dhe sigurinë ndërkombëtare, qëndrimi ynë është i qartë dhe i palëkundur: solidaritet i plotë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me çdo përpjekje për të mbrojtur paqen, stabilitetin dhe sigurinë globale.
Aleanca me SHBA-në nuk është vetëm një orientim diplomatik. Ajo është një përcaktim strategjik dhe vleror. Është zgjedhja jonë për të qenë në anën e demokracisë, të lirive themelore, të shtetit të së drejtës dhe të përgjegjësisë ndërkombëtare. Vendi ynë, e veçanërisht populli shqiptar e di mirë se çfarë do të thotë mbështetja amerikane në momentet vendimtare të historisë sonë, prandaj edhe sot ne qëndrojmë përkrah partnerit tonë më të madh strategjik.
Sulmet dhe aktet destabilizuese të Iranit që cenojnë sigurinë e vendeve të Gjirit dhe kërcënojnë arkitekturën e brishtë të paqes në Lindjen e Mesme nuk i shërbejnë askujt. Ato nuk i shërbejnë zhvillimit, nuk i shërbejnë bashkëjetesës dhe as aspiratave legjitime të popujve për prosperitet. Çdo regjim që zgjedh konfrontimin mbi bashkëpunimin dhe eksportin e krizave mbi dialogun, e vendos veten në kundërshtim me frymën e kohës sonë.
Ne besojmë se siguria në Gjirin Persik dhe në Lindjen e Mesme është një interes global. Liria e qarkullimit, stabiliteti energjetik, lufta kundër terrorizmit dhe mbrojtja e rendit ndërkombëtar janë përgjegjësi të përbashkëta. Në këtë kuadër, roli i Shteteve të Bashkuara mbetet i pazëvendësueshëm si garant i ekuilibrave dhe si faktor stabiliteti.
Shqiptarët kanë zgjedhur rrugën perëndimore pa ekuivoke. Ne jemi pjesë e aleancës së vlerave, pjesë e komunitetit euroatlantik dhe kontribuues aktiv në paqen dhe sigurinë kolektive. Mbështetja jonë për SHBA-në është mbështetje për një botë më të sigurt, më të drejtë dhe më të lirë” ka shkruar Ahmeti.
tag_katrorimaqedoni_2