Alexander Isak ka publikuar një deklaratë në rrjete sociale pas mungesës në ceremoninë e çmimeve të PFA-së.
Sulmuesi suedez ka thyer heshtjen mbi sagën e tij të transferimit dhe ka pretenduar se “premtimet janë thyer”.
Isak ka qenë një nga emrat më të përfolur gjatë këtij afati kalimtar veror.
Ai po përpiqet të largohet me çdo kusht nga Newcastle United, ndërkohë që Liverpool është gati të bëjë një ofertë rekord klubi para mbylljes së merkatos muajin tjetër.
Isak ka hyrë në “grevë” tek Newcastle dhe, natyrisht, nuk u përfshi në ndeshjen hapëse të Premier League ndaj Aston Villa-s.
Të martën, ai u përzgjodh në Ekipin e Vitit të Premier League nga PFA.
Megjithatë, suedezi nuk mori pjesë në ceremoninë e zhvilluar në Manchester.
Pak pas publikimit të lajmit për përfshirjen e tij në Ekipin e Vitit, Isak reagoi në rrjetet sociale duke shpjeguar mungesën dhe duke folur hapur për thashethemet që e lidhin me një largim nga “St. James’ Park”.
Ai deklaroi se “premtimet janë thyer” dhe përsëriti dëshirën e tij për t’u larguar këtë verë nga Newcastle.
Në një postim në Instagram Story, Isak shkroi:
“Jam krenar që jam njohur nga kolegët e mi profesionistë me një vend në Ekipin e Sezonit të Premier League për 2024/25. Së pari dua të falënderoj shokët e skuadrës dhe të gjithë te Newcastle United që më kanë mbështetur gjatë gjithë rrugës.
Nuk jam në ceremoni sonte. Me gjithçka që po ndodh, nuk më dukej e drejtë të isha aty.
Kam qëndruar i heshtur për një kohë të gjatë ndërsa të tjerët kanë folur. Kjo heshtje u ka dhënë mundësinë të shtyjnë versionet e tyre të ngjarjeve, edhe pse e dinin që nuk pasqyronin atë që ishte thënë dhe rënë dakord pas dyerve të mbyllura.
Realiteti është që janë bërë premtime dhe klubi e ka ditur pozicionin tim prej kohësh. Të veprosh tani sikur këto çështje po dalin për herë të parë është mashtruese.
Kur premtimet thyhen dhe besimi humbet, marrëdhënia nuk mund të vazhdojë. Kjo është situata për mua tani – dhe arsyeja pse ndryshimi është në interesin më të mirë të të gjithëve, jo vetëm timin.”
Liverpool mbetet aktiv në merkato për përforcime të tjera, pasi tashmë ka nënshkruar me Florian Wirtz dhe Hugo Ekitike, ndër të tjerë.
“Reds” janë të vendosur të transferojnë Isak, i cili shënoi 23 gola në 34 ndeshje të Premier League sezonin e kaluar. /GazetaExpress/