Aleksandar Vulin, shoqata ruse dhe skandali i ekspozitës false me fotot e pretenduara se janë shkrepur në Kosovë - Gazeta Express
string(111) "aleksandar-vulin-shoqata-ruse-dhe-skandali-i-ekspozites-false-me-fotot-e-pretenduara-se-jane-shkrepur-ne-kosove"

Lajme

Gazeta Express

17/06/2025 12:10

Aleksandar Vulin, shoqata ruse dhe skandali i ekspozitës false me fotot e pretenduara se janë shkrepur në Kosovë

Lajme

Gazeta Express

17/06/2025 12:10

Shoqata Historike Ruse (RIO), e themeluar nga Akademia Ruse e Shkencave dhe disa media shtetërore ruse, po zgjeron ndikimin e saj edhe në Serbi. Aleksandar Vulin, ish-drejtor i Agjencisë për Siguri dhe Informacion (BIA) dhe zyrtar i lartë serb, do të drejtojë përfaqësinë e sapohapur të RIO-s në Beograd.

Drejtues i Shoqatës Historike Ruse është Sergej Narishkin, shefi i Shërbimit të Jashtëm të Inteligjencës Ruse (SVR) dhe person që nga viti 2014 gjendet nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara për rolin e tij në situatën në Ukrainë.

Vulin, që mban lidhje të afërta me Kremlinin, u takua disa herë me Narishkin që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës. Serbia, edhe pse vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ka refuzuar të vendosë sanksione ndaj Rusisë, duke ruajtur marrëdhëniet me Moskën — rol që Vulin e ka luajtur si ndërmjetës i tyre.

Ndërsa përfaqësia e parë e RIO-s u hap që nga dhjetori 2024 nën udhëheqjen e Nebojsha Kuzmanoviq, Aleksandar Vulin do të kryesojë degën e dytë që do të veprojë paralelisht. “Ne do të bashkëpunojmë, por do të veprojmë të pavarur. Me ardhjen e politikanit, shpresojmë që të rritet ndikimi dhe të përforcohen marrëdhëniet”, deklaroi Kuzmanoviq.

Radio Evropa e Lirë (RSE) i dërgoi pyetje RIO-s dhe Aleksandër Vulinit, por nuk mori përgjigje.

Roli i RIO-s: Muze, konferenca dhe ndikim politik

Shoqata Historike Ruse, nën udhëheqjen e Narishkin, që nga viti 2023 po organizon ekspozita, konferenca dhe boton vepra që promovojnë qëndrimin e Kremlinit, veçanërisht për luftën në Ukrainë. Narishkin deklaroi se qëllimi i organizatës që ai drejton është “të ruajë kujtesën e heronjve që mbrojtën Novorusinë” dhe “të dokumentojë krimet e regjimit të Kievit, që gëzon mbështetjen e Perëndimit”.

Jelica Kurjak, ish-ambasadorja e Serbisë në Moskë, vlerësoi se formimi i përfaqësisë në Beograd dërgon mesazhin që Moska dëshiron të ndikojë që Serbia të qëndrojë pranë Rusisë. “Serbia po kalon presion nga Perëndimi që të vendosë sanksione. Me këtë veprim, Kremlini i tregon Beogradit se qëndron pranë tyre”, tha Kurjak.

Vulin, njeri i besuar i Kremlinit

Aleksandar Vulin, që nga janari 2024 mban edhe dekoratë nga presidenti Vladimir Putin, qëndron në listën e sanksioneve të Shteteve të Bashkuara që nga viti 2023, i akuzuar për korrupsion dhe lidhje me Rusinë.

Sipas Departamentit të Shtetit, Vulin u detyrua të jepte dorëheqjen nga kreu i BIA-s në nëntor 2023, pas presionit perëndimor. Më vonë u emërua Zëvendëskryeministër i Serbisë, post që e mbajti deri në prill 2025.

Fotografia kontroverse e NATO-s

Në gusht 2023, RIO organizoi ekspozitën “Krimet e NATO-s”, ku u shfaq edhe një foto që supozohej të paraqiste një bombë të NATO-s me mbishkrimin “Gëzuar Pashkën” nga bombardimet e Jugosllavisë (1999). Por Radio Evropa e Lirë zbuloi se fotoja ishte nga Vietnami i Jugut (1967-1970) dhe jo nga Kosova. Pas këtij zbulimi, fotoja u hoq nga ekspozita.