Aleatë të Abinit - Gazeta Express
string(16) "aleate-te-abinit"

OP/ED

Gazeta Express

05/02/2021 16:29

Aleatë të Abinit

OP/ED

Gazeta Express

05/02/2021 16:29

Nuk ka asgjë të çuditshme në mbështetjen e një pjese të madhe të qytetarëve për Vetëvendosjen. Partitë tjera përgjegjësinë duhet ta kërkojnë tek vetja, tek mënyra si kanë qeverisur. Ato ndër vite kanë qenë aleatët më të mëdhenj të Albin Kurtit.

Imer Mushkolaj

Lexo Edhe:

“Nëse punoni për popull, për shtet, keni me e pasë mbështetjen përjetë. Nëse punoni për xhepa tuaj ne ju hjekim si ata tjerët që i kemi hjekë. Këta e kanë çu gjatë 21 vjet, janë bërë milionerë, po ne nuk ju lëmë juve kaq gjatë të shkoni”. Kështu iu tha një grua Albin Kurti dhe Vjosa Osmanit të enjten, në Ferizaj, kur këta të dy po ecnin sheshit në kuadër të fushatës parazgjedhore.

Mund të duket një mendim a deklaratë e rëndomtë, si plot të tjera të ngjashme, por në vete përmban edhe dëshprim, edhe besim, edhe kërkim përgjegjësie për dikë që nesër mund ta qeverisë Kosovën. Deklaratë e shkurtër, por që në vete përmban edhe të tjera të vërteta – deri më tash shumica nga ata që kanë qenë në pushtet kanë punuar për xhepatë vet dhe janë bërë milionerë.

Mund të tingëllojnë klishe kritikat karshi individëve dhe partive që kanë qeverisur, por askush nuk mund të thotë se nuk janë të vërteta. Vërtet shumë nga ta kanë punuar për xhepa të vet dhe vërtet shumë nga ta janë bërë milionerë.

Nuk ka gjë të keqe që gjithsecili të bëhet milioner. Secili mund të merret me biznes dhe të pasurohet, duke respektuar ligjet e përcaktuara. Por është gjë tjetër të bëhesh milioner prej pozitës së një politikani a të afërmi të tij. Është gjë tjetër të bëhesh milioner duke shkelur ligje.

Siç nuk ka asgjë të çuditshme në mbështetjen e një pjese të madhe të qytetarëve për Vetëvendosjen. Partitë tjera përgjegjësinë duhet ta kërkojnë tek vetja, tek mënyra si kanë qeverisur – me korrupsion, nepotizëm e krim të organizuar. Me veprimet që kanë ndërmarrë ndër vite, ato kanë qenë aleatët më të mëdhenj të Albin Kurtit.

Më shumë se që po dëshirojnë ta votojnë Vetëvendosjen e Albin Kurtin për shkak të programit që ofrojnë, njerëzit po refuzojnë partite që kanë qenë pjesë e qeverisjes tash njëzet vjet. Për një shoqëri të pjekur, ky lloj refuzimi do të duhej të ishte më i hershëm. Në fakt, çdo parti politike, çdo kryeministër a president, kudo në botë, do të dëshironte ta qeveriste një shoqëri të tillë, që nuk është se kërkon shpesh përgjegjësi dhe që ndryshimet e shpeshta nuk i ka fort në qejf.

Mllefi i mbledhur ndër vite po shpërthen tash dhe për këtë nuk duhet të befasohet askush. Siç nuk duhet të befasohet askush nëse, shkaku i pritjeve të mëdha, ata që qeverisin nesër do të zhgënjejnë qytetarët që ua dhanë besimin.

* * *

Partitë politikë që kanë qeverisur ndër vite vazhdimisht kanë taktizuar me veprimet e tyre, me qëllimin primar që të rrinë në pushtet. Legjitime, mund të thotë dikush. E vërtetë, por kur këto taktizime ndodhin përtej parimeve themelore, përtej respektimit të votës së qytetarëve, atëherë bëhen problematike.

Ajo çfarë ka ndodhur vetëm në gjashtë vitet e fundit tregon më së miri se pse tash këto parti gjenden në pozitë të palakmueshme.

Më 2014 Isa Mustafa braktisi VLAN’in dhe iu bashkua PDK’së, ndonëse kishte premtuar se kurrë nuk do të bënte koalicion me këtë parti. Dy vjet më vonë, me votat e LDK’së dhe përpjekjet e mëdha të Mustafës u zgjodh president Hashim Thaçi, drejt të cilit LDK’ja drejtonte gishtin vazhdimisht si përgjegjës për të këqijat në vend. Kur u mendua se taktizimet po merrnin fund, u krijua PAN’i, me të vetmin qëllim që pushteti i PDK’së të vazhdonte, pa marrë parasysh në çfarë forme. Është koha kur u devalvua gjithçka në qeverisje, në kuptimin politik, që nga armata e zëvendësministrave, ministrave e zëvendëskryeministrave, deri te koordinatorët e ashtuquajtur nacionalë. U shpikën pozita e pozita për të akomoduar militantë partish. Kapakun ia vuri LDK me rrëzimin e qeverisë vitin e kaluar, qeveri në të cilën bënte pjesë edhe vetë ajo dhe krijimin e një qeverie të re, që doli të jetë jokushtetuese. Për më tepër qeverinë e krijoi me parti të ish-PAN’it, ndërkohë që votën në zgjedhje e kishte kërkur me premtimin se do të qeveriste me Vetëvendosjen. Madje thuhej për më shumë se një mandat.

* * *

I kuptoj partitë që fajin për dështimin e vet përpiqen t’ua lënë sondazheve, mediave të caktuara ose opinionistëve. I kuptoj kur zyrtarët e tyre tregohen arrogantë dhe fyejnë. Nuk është e lehtë që pushteti t’u dalë duarsh. Por, sa më shpejt që ta pranojnë se përgjegjësinë duhet kërkuar brenda vetes, brenda strukturave të veta partiake, aq më mirë. Tekefundit, akush nuk iu ka faj që e kanë humbur besimin tek qytetarët. Askush nuk iu ka faj që me vetëdije janë kthyer në aleatë të Albin Kurtit.