Aleanca për Shqiptarët: Deklarata e Izet Mexhitit për mbylljen e kazinove pranë shkollave është manipulim - Gazeta Express
string(104) "aleanca-per-shqiptaret-deklarata-e-izet-mexhitit-per-mbylljen-e-kazinove-prane-shkollave-eshte-manipulim"

Maqedoni

Gazeta Express

21/06/2025 15:18

Aleanca për Shqiptarët: Deklarata e Izet Mexhitit për mbylljen e kazinove pranë shkollave është manipulim

Maqedoni

Gazeta Express

21/06/2025 15:18

Aleanca për Shqiptarët krahu i Arben Taravarit sot përmes një kumtese ka denoncuar shqetësim inskenimin e radhës nga eksponentët e koalicionit VLEN, të cilët, siç thonë, përmes propagandës së rreme po tentojnë të maskojnë dështimet dhe hipokrizinë e tyre politike. Nga ASH-ja e Taravarit thonë se deklarata e Izet Mexhiti për mbylljen e kazinove pranë shkollave është një manipulim i pastër, njofton Portalb.mk.

“Deklarata e fundit e Izet Mexhiti për mbylljen e kazinove pranë shkollave është një manipulim i pastër. Realiteti në terren flet ndryshe: qytetarët shqiptarë, në çdo qytet e lagje, janë dëshmitarë të hapjes së vazhdueshme të kazinove dhe pikave të basteve në afërsi të shkollave dhe zonave të banuara. Kjo tentativë për të mashtruar opinionin publik nuk është vetëm qesharake, por edhe fyese për inteligjencën dhe kujtesën e qytetarëve shqiptarë. Ironikisht, është po i njëjti Izet Mexhiti që, në vend se të luftojë realisht fenomenin e bixhozit, ka kthyer Lotarinë Shtetërore në një vegël klienteliste. Kujtojmë se Mexhiti e prezantoi zëvendësdrejtorin e Lotarisë Shtetërore, Ahmet Miftarin si kuadër të VMRO-së, ndërkohë që ai rezulton të jetë bashkëpunëtor i afërt i vetë Mexhitit dhe kuadër i Lëvizjes Demokratike. Po ashtu, emërimi i të afërmve të tij në Bordin e Lotarisë dëshmon për abuzimin flagrant me institucionet shtetërore për interesa familjare dhe politike”, thonë nga Aleanca për Shqiptarët.

Nga ASH-ja kërkojnë hetim të plotë dhe të pavarur për funksionimin e Lotarisë Shtetërore dhe të gjitha emërimeve të dyshimta në institucionet publike.

“Kundërshton me vendosmëri propagandën mashtruese që tenton të deformojë realitetin në terren. Rikujton se lufta kundër industrisë së bixhozit nuk bëhet me deklarata, por me ligje të qarta, kontroll të rreptë dhe vullnet politik të sinqertë. Qytetarët shqiptarë nuk do të mashtrohen më nga “liderë” që përdorin fjalët për të fshehur interesat e ngushta personale. Ata e shohin dhe e kuptojnë realitetin më mirë se kushdo tjetër. Aleanca për Shqiptarët e braktisi qeverinë pikërisht për shkak të mospërmbushjes së zotimeve të bëra para qytetarëve, përfshirë edhe premtimin për mbylljen e kazinove, siç ndodhi në Shqipëri dhe Kosovë. Qëndrojmë në krah të qytetarëve dhe kërkojmë përgjegjësi për çdo mashtrim e dështim që rëndon mbi shpinën e tyre”, thuhet në kumtesën e Aleancës për Shqiptarët.

Zëvendëskryeministri dhe njëherit njëri prej liderëve të VLEN-it Izet Mexhiti mbrëmë gjatë hapjes së Shtabit Qendror në Skkup tha se po mbyllin kazinot dhe po hapin vende pune.

Qeveria e RMV-së më 24 shtator 2024 vendosi për ndërprerjen e vlefshmërisë së licencave jolegale për kazinot online, me këtë edhe ndalimin e bixhozit online në shtet për disa kompani: NOVO VLT SHPK- Shkup, MOZZART SHPK Shkup, 77 BITS SHPK Shkup, VEZUV SHPK Shkup dhe 2Win.mk. “MegaWin” është kompania e vetme aktive për bixhoz online në Maqedoninë e Veriut.