Lëvizja Vetëvendosje e propozoi Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit në vazhdimin e sotëm të seancës konstituive.
Kryesuesi i seancës konstituive, deputeti i LVV-së, Avni Dehari e ftoi grupin më të madh parlamentar që ta propozojë emrin dhe deputeti Glauk Konjufca doli në foltore për të thënë se propozimi i tyre mbetej i njëjtë.
Haxhiu i mori vetëm 57 vota, 56 deputetë votuan kundër zgjedhjes së saj, ndërsa 3 abstenuan.
Kryesuesi e vazhdoi seancën duke e ftuar sërish LVV-në ta bëjë propozimin.
Konjufca herën e dytë, në emër të grupit parlamentar, e propozoi Donika Gërvallën, ministren në detyrë të Punëve të Jashtme.
“Mirë, atëherë kësaj radhe Lëvizja Vetëvendosje e propozon deputeten Donika Gërvalla për kryetare të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, tha Konjufca.
Me t’u përmendur emri i Gërvallës, në Kuvend u dëgjuan të qeshura.
“Mos qeshni, por ju lutem votojeni atë”, tha ish-kryetari i Kuvendit.
Gjykata Kushtetuese konstatoi në një aktgjykim të fundit se Lëvizja Vetëvendosje ka bërë shkelje duke insistuar çdo dy ditë nëpërmjet kryesyesit të seancës konstituive, Avni Dehari që ta bënte të fshehtë votimin për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, pasi e propozuara e këtij subjekti politik, Albulena Haxhiu kishte dështuar disa herë t’i merrte 61 votat e nevojshme për t’u bërë kryeparlamentare.
LVV-ja tani thotë se “Gjykata Kushtetuese e shkeli Kushtetutën”, pak javë pasi thonin se të tjerët që s’e interpretonin si ta, po e keqlexonin një aktgjykim paraprak të kësaj gjykate.
Aktgjykimi i fundit përcaktoi se Dehari sot duhet të vazhdonte me pikën e tretë të rendit të ditës duke e ftuar grupin më të madh parlamentar që ta propozojë një emër për kryeparlamentar/e. Ai/ajo duhet të votohet në mënyrë të hapur dhe emri i njëjtë mund të hedhet në votim vetëm deri në tri herë.