Albini mund të ndjehet i dorëzuar, por Kosova duhet të ndjehet e fituar - Gazeta Express
string(70) "albini-mund-te-ndjehet-i-dorezuar-por-kosova-duhet-te-ndjehet-e-fituar"

OP/ED

Gazeta Express

07/02/2023 19:44

Albini mund të ndjehet i dorëzuar, por Kosova duhet të ndjehet e fituar

OP/ED

Gazeta Express

07/02/2023 19:44

Mero Baze

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti pranoi publikisht se e pranon planin franko- gjerman, duke e konsideruar atë një bazë për të çuar më përpara problemin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Ky është një lajm i mirë për Kosovën dhe një gënjeshtër e re për mbështetësit e Albin Kurtit, të cilët shpresojnë se lideri i tyre ka një plan sekret kundër Perëndimit dhe do t’i mundë në finale.

Lexo Edhe:

I kuptoj reagimet e opozitarëve që kritikojnë Kurtin për mungesë transparence në gjithë këtë proces. I kuptoj dhe ata që i kujtojnë gjithë marrëzitë që ka thënë gjithë jetën dhe që i gëlltit një nga një. I kuptoj dhe militantët e tij që kishin mprehur thikën të therrnin Escobarin dhe Lajçakun, por nuk arritën dot.

Por problemi më i madh që shkakton kjo retorika e Kurtit kundër Perëndimit, është se ai po përpiqet të shfaqet në Kosovë si “viktimë” e politikës së Perëndimit dhe jo si aleat i tyre.

Pranimi i Planit franko- gjerman nuk e penalizon Kosovën, përkundrazi e nxjerr atë nga këneta dhe izolimi ku po tenton ta zhysë protagonizmi i Kurtit. Plani franko- gjerman duhet pranuar si një rrugë evropiane për Kosovën dhe jo si një komplot evropian për Kosovën. 

Sjellja e qeverisë së Kosovës si viktimë e politikës së Perëndimit dhe presionit të Perëndimit ndaj tij, është një gabim i rëndë, pasi mban gjallë në Kosovë celulat anti-perëndimore, të cilat e shikojnë Perëndimin si armikun e Kosovës dhe ushqejnë iluzione që në fakt janë fundi i Kosovës.

Asnjë prej kundërshtarëve të Kurtit në opozitë nuk duhet të godasë mbështetjen e planit franko- gjerman, por duhet të godasin konspiracionin e Kurtit ndaj Perëndimit ndërkohë që pranon këtë plan. 

Pranimi i planit franko- gjerman nuk ka pse paraqitet si përdhunim i Perëndimit ndaj Kosovës. E vërteta është se plani po çmonton demagogjinë e Kurtit në Kosovë, por nuk e dëmton Kosovën. Më e keqja është se Kosova edhe pranon planin, dhe mirë bën që e pranon, dhe bën si viktimë e presionit të Perëndimit për planin. 

Viktimën e bën dhe presidenti Vuçiq, por Serbia ka qenë vërtet e ndëshkuara e madhe e Perëndimit për Kosovën, pasi është bombarduar për shkak të saj. Kosova nuk ka pse vihet në pozita të njëjta me Serbinë përballë Evropës, për të mos thënë në pozita më inferiore. 

Pranimi i planit franko- gjerman, duhet të bëhet si një hap drejt konsolidimit të partneritetit strategjik të Kosovës me SHBA dhe Evropën, dhe jo si një përdhunim i SHBA dhe BE për Kosovën. 

Albin Kurti sillet si viktimë për të gënjyer militantët e vet, të cilët e urrejnë Perëndimin dhe e shikojnë atë si armik të Albinit, por Kosova nuk e ka të lidhur fatin me Albinin, por Perëndimin.

Albini mund të ndjehet i dorëzuar, por Kosova nuk ka pse ndjehet e mundur nga Perëndimi. Nuk është në betejë me Perëndimin, por në aleancë me të.