Kryeministri në detyrë, Albin Kurti është paraqitur sot në Gjykatën Themelore të Prishtinës, ku po mbahet seanca ndaj njërit prej drejtuesve të Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Faton Klinakut, raporton T7.
Klinaku, së bashku me Nuredin Selmanin akuzohen nga Prokuroria Themelore e Prishtinës se e kanë kërcënuar Kurtin përmes rrjeteve sociale më 30 gusht të vitit 2023.
Faton Klinaku ka shkruar në Facebook në fillim të gushtit se ai dhe avokati i tij nuk ishin informuar se ndaj tij ishte ngritur kjo aktakuzë, por shtonte se “mezi pret” që të ballafaqohej me Kurtin në Gjykatë.
Prokuroria Speciale tha se më 30 gusht të vitit 2023, Klinaku e kishte përsëritur një postim me përmbajtje kërcënuese ndaj Kurtit ku thuhej: “… Prapë po e përsëris, nëse ju duket skandaloz postimi i mëhershëm: Më parë e vras Albin Kurtin sesa t’ia lëshoj rrugën dhe të iki nga Kosova”.