Albin Kurti nuk e përjashton mundësinë e demarkimit të kufijve me Serbinë - Gazeta Express

Albin Kurti nuk e përjashton mundësinë e demarkimit të kufijve me Serbinë

Lajme

Gazeta Express

26/01/2021 20:02

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në takimin virtual të mbajtur ditën e djeshme me Qendrën Ndërkombëtare të Studimeve ‘Woodrow Wilson’, nuk e ka mohuar mundësinë e demarkimit të kufinjve me Serbinë, në rast të njohjes reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Mendoj se duhet theksuar se përmbajtja e marreveshjes është më e rëndësishme sesa koha. Ne duhet të jemi të kujdesshëm që të mos bëjmë gabime. Më lërni të theksoj disa parime që mendoj se janë mjaft të rëndësishme: Ne nuk duhet të kemi dialog ku përmendet shkëmbimi territorial. Kufiri ekziston mes Kosovës dhe Serbisë, i cili më pas do demarkohet pas njohjes së përbashkët diplomatike”, ka deklaruar Kurti, raporton Gazeta Express.

Kurti këtë deklaratë e ka dhënë pasi është pyetur për përspektivën e tij karshi dialogut Kosovë-Serbi. Ky i fundit ka thënë se nuk është për dialog me shkëmbim territorial.

Qasje të njëjtë kryetari i subjektit politik opozitar në legjislaturën e fundit nuk kishte karshi demarkacionit me Malin e Zi, e cila shihej si pika e fundit për përmbushje të kritereve të liberalizimit të vizave. Kurti e kundërshtonte zëshëm demarkacionin, për të cilin pretendonte se në rast zbatimi, do të dhuroheshin 8200 hektarë tokë.

Pasi që ishte vënë në votim në Kuvend marrëveshja e demarkimit të kufijve me Malin e Zi, Vetëvendosje kishte hedhur në institucion gazlotsjellës për ta parandaluar atë.

Një veprim të këtillë e kishte parë si zhgënjyes ish-ambasadori i SHBA’ve në Kosovë, Greg Delawie. “Dita e sotme ishte një zhgjënjim i madh kjo nuk duhej të ndodhte. Kosova është më e mirë se kaq kjo nuk duhej të ndodhte në një realitet evropian“, deklaronte ai.

Së fundmi, Delawie i ka krahasuar protestat në Kapitol Hill përpara inaugurimit të presidentit aktual të Shteteve të Bashkuara Joe Biden me ato të Vetëvendosjes në Kuvend.

“Ngjarja e sotme në Capitol Hill më kujton muajt e mi të parë në Kosovë,  në vitin 2015 kur disa politikanë hodhën gaz lotsjellës në sallën e Kuvendit për t’i bllokuar deputetët.Ashtu si sot, politikanët ishin të gatshëm ta japin demokracinë për ta arritur pushtetin”, shkroi Delawie në Twitter.

I pari i Vetëvendosjes, për shkak të aktvendimit të gjykatës më 2018’ën, duke u dënuar me kusht për shkak të hedhjes së gazlotsjellësit në Kuvend, nuk ka arritur të sigurojë certifikimin si kandidat për deputet për zgjedhjet qëndrore edhe pas ankesës së dërguar në PZAP. /Gazeta Express/