Albin Kurti, mjeku alternativ i shëndetësisë kosovare - Gazeta Express
string(52) "albin-kurti-mjeku-alternativ-i-shendetesise-kosovare"

Lajme

Gazeta Express

16/09/2022 16:48

Albin Kurti, mjeku alternativ i shëndetësisë kosovare

Lajme

Gazeta Express

16/09/2022 16:48

Kur kritikohej me të madhe për mbajtjen në detyrë të ministrit Rifat Latifi, Kryeministri besoi se vetë di ta rregullojë më mirë sistemin e shëndetësisë. Krijoi një komision mbi ministrinë, të cilin do ta kryesojë ai, pra, Albin Kurti. Në cilësinë e re, mjekëve të shpërndarë nëpër botë u bëri thirrje të kthehen në Kosovë. Komisioni, sipas opozitës, është pranim i dështimit.

Gazeta Express

Lexo Edhe:

Si sot, 10 muaj më parë, Kryeministri Kurti njoftoi se e ka sjellë një kirurg të suksesshëm që vepron në Amerikë, për ta drejtuar ministrinë e Shëndetësisë. Kishte shpresë se ai do të përmirësonte një prej sektorëve të rrënuar të Kosovës.

Në dhjetë muaj, Latifi është kritikuar vazhdimisht për mospunë dhe për udhëtimet e shpeshta, kryesisht private. Shpesh është komentuar se Latifi ka sjellë risi vetëm me dukjen e tij si ministër.

Dhe kur Kurtit i kujtohej thuajse çdo ditë performanca e ministrit të Shëndetësisë, ai erdhi me një ide se si ta shërojë këtë segment.

Në mbledhjen e së mërkurës, Kurti i propozoi kabinetit të tij qeveritar që të formohej Komisioni Ekzekutiv për Shëndetësi, drejtimin e së cilit e mori përsipër vetë. “Qasja e fragmentuar”, tha Kurti, nuk është treguar efikase.

“Qeveria jonë e ka gjetur shëndetësinë në një gjendje të rënduar. Shëndetësia është një domen i shtrirë ndër shumë sektorë e instanca. Qasja e fragmentuar nuk është treguar efikase dhe sot jemi para një situate që na kërkon veprim urgjent, ekspeditiv dhe me qasje të integruar shumë sektoriale”, tha Kurti.

Rolin e kryesuesit të Komisionit për Shëndetësi, Kurti e nisi me një fjalim para kirurgëve, të cilët i kishte mbledhur në një sallë kirurgu Latifi, njëherësh ministër.

Gjatë fjalimit të tij, Kryeministri Kurti e shpalli vetën koleg me kirurgët, përmes një ndërlidhjeje që e bëri me ministrin Latifi.

“Te Dr. Rifat Latifi e keni edhe kolegun tuaj, por meqë unë jam koleg i tij, më keni edhe mua koleg tuajin. Kemi nevojë për dijen tuaj, për përvojën tuaj, për shkathtësitë tuaja, e kemi nevojë për kulturën tuaj të punës”, tha Kurti.

Kirurgët i njoftoi për themelimin e komisionit, të cilin do ta kryesojë Kryeministri.

“Meqë shëndetësia është një domen i shtrirë ndër shumë sektorë e instanca, e kemi ngritur Komisionin Ekzekutiv për Shëndetësi, që e kryesoj unë, për të siguruar funksionim normal të sistemit shëndetësor e për t’i hapur rrugë reformës në shëndetësi”, u tha kryeministri kirurgëve.

Pasi Kosova përballet me largime masive të profesionistëve shëndetësorë nga vendi, Kurti u bëri thirrje haptasi “kongresistëve” që të vijnë të punojnë në atdhe.

“Ju inkurajoj që të ktheheni dhe të gjeni veten në Kosovë”.

Sipas ish-ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj, krijimi i komisionit të kryesuar nga Kurti është “pranim i dështimit” për ta menaxhuar shëndetësinë.

“Një vështrim politik është pranim i dështimit të menaxhimit të këtij sektori, edhe përmes ministrave që i ka pas qeveria Kurti por edhe emërimet politike të cilat kanë qenë kompetencë e qeverisë. Vënia në krye të këtij komisioni rezulton me një paaftësi e madhe dhe më e madhe se paaftësia e ministrit aktual, nuk ka ndonjë rezultat, është tendencë për kamuflimin e dështimit”, ka thënë Zemaj.

Edhe doktori i AAK-së, Shemsedin Dreshaj, është skeptik që ky komision rregullon diçka në shëndetësi.

Gazetari që raporton për shëndetësinë, Bujar Vitija, ka shkruar se Kurti komisionin i duhet ta përdorë si palë ndërmjetësuese për t’i pajtuar akterët e sektorit, që, sipas tij, nuk flasin mes vete.

“Në këtë situatë, Kurti në këtë komision duhet fillimisht t’i pajtojë palët e më pas t’i shtyjë gjërat përpara. Por dyshoj se Komisioni do të perfundojë duke i marr kryeministri vendimet që do te duhej t’i merrte ministri ose menaxhmenti i SHSKUK-se”, ka shkruar Vitija në profilin e tij në Facebook.

Gjendja në shëndetësi konsiderohet alaramante dhe buzë kolapsit. Përvec parregullësive të tjera që ka pasur sistemi shëndetësor, i është shtuar edhe ikja masive e mjekëve në përgjithësi. Raportimet thonë se Kosova rrezikohet seriozisht sidomos nga ikja e anesteziologëve.

Minitri Latifi ka folur disa herë për këtë çështje. Në një intervistë të tijën në korrik, ministri, duke dhënë instruksione publike se si duhet të mbahen mjekët në atdhe, i këshilloi ata ta donin “pak më shumë” Kosovën.

“Por, s’është vetëm paga që do t’i mbajë mjekët e nxënësit tanë këtu, por duhet ta duam pak më shumë veten. Unë s’po them që s’ka patriotizëm tek mjekët, por duhet ta duam pak më shumë Kosovën sepse s’është çështja vetëm te paratë”, tha Latifi.

Derisa Kurti kritikohej për mbajtjen në pozitë të Latifit, ky thotë se ka përkrahje të qindpërqindtë të Kryeministrit në punën që po e bën.

“Unë e kam përkrahjen e Kryeministrit Kurti 100 për qind. Në momentin që e konsideroj se nuk është shëndetësia nuk është prioritet, unë kthehem në Amerikë”

Kurti tregoi planet për komisionin, në ditën kur i propozoi kabinetit qeveritar themelinim e tij. /Express/