Albin Kurti i kthen përgjigje SHBA-së: Nuk e heqim taksën - priten pasoja të mëdha - Gazeta Express

Lajme

Gazeta Express

27/02/2020 13:19

Albin Kurti i kthen përgjigje SHBA-së: Nuk e heqim taksën – priten pasoja të mëdha

Lajme

Gazeta Express

27/02/2020 13:19

SHBA-ja pritet të marrë masa. Vetëm tërheqja e njohjes nuk është opsion. Ajo është e dëshpëruar edhe me LDK-në.

Kryeministri Albin Kurti i ka kthyer përgjigje negative kërkesave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për heqjen e tarifës ndaj produkteve serbe. Kësisoj priten pasoja të mëdha për Kosovën.

Burime të Gazetës Express nga Shtetet e Bashkuara kanë treguar se në fund të javës, Richard Grenell, shef aktual i të gjitha shërbimeve sekrete amerikane dhe ndërmjetësues mes Kosovës dhe Serbisë, do ta shqyrtojë situatën lidhur me heqjen apo jo të tarifës nga Qeveria e Albin Kurtit.

Siç mëson Express, Kurti tashmë u është përgjigjur amerikanëve negativisht.

SHBA-ja planifikon të marrë masa, ndërsa vetëm tërheqja e njohjes nuk është një nga opsionet për “ndëshkim”. Nuk dihet saktësisht se çka do të ndërmarrë Amerika, megjithatë suspendimi i investimeve dhe aktiviteteve tjera që ndihmojnë Kosovën për 20 vjet, mund të jenë disa nga masat.

Burimet e njëjta i kanë thënë Gazetës Express se SHBA-ja është e dëshpëruar me LDK-në, e cila nuk çoi përpara zotimet për dakordim dhe bashkërenditje me SHBA-në në çështjen e heqjes së tarifës.

Kryeministrit Kurti i kanë kërkuar heqjen e tarifës shumë zyrtarë të lartë amerikanë, përfshirë edhe sekretarin amerikan të Shtetit, Mike Pompeo. Kërkesa të njëpasnjëshme ka bërë edhe emisari i presidentit Donald Trump, Richard Grenell, për dialogun Kosovë – Serbi, i cili është emëruar edhe ushtrues detyre i shefit të 17 agjencive të inteligjencës në SHBA. /Express/