“Albin Kurti ende këndon para Serbisë”, Vetëvendosja i reagon presidentit Thaçi - Gazeta Express
string(76) "albin-kurti-ende-kendon-para-serbise-vetevendosje-i-reagon-presidentit-thaci"

Gazeta Express

16/10/2020 8:17

“Albin Kurti ende këndon para Serbisë”, Vetëvendosja i reagon presidentit Thaçi

Gazeta Express

16/10/2020 8:17

Partisë së Albin Kurtit nuk i ka pëlqyer deklarata e mbrëmshme e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për liderin e tyre, raporton Gazeta Express.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka pasur disa kritika për veprimtarinë e Kurtit gjatë kohës së luftës.

Lexo Edhe:

Ai ka thënë se Kurti ka kënduar te Serbia “si bylbyl”, e njësoj thotë se vepron edhe sot.

“E di se mund të jetë i shqetësuar se e vërteta del në shesh por do të ndihet i turpëruar dhe para fëmijëve të vet. Ai e di. Albin Kurti ka kënduar te Serbia si bylbyl, këndon edhe sot. Ai e di shumë mirë se kur unë jam dënuar nga Serbia me 20 vjet burg ai ka dëgjuar “Bjello Dugmën” në Beograd. Ka marrë pjesë në koncertet e tyre”, deklaroi mbrëmë Thaçi.

Ndaj deklarimeve të presidentit ka reaguar Vetëvendosja.

Anëtari i kësaj partie, Enver Dugolli, shkruan se sa herë Hashim Thaçi mundohet të vërë njolla në personalitetin dhe aktivitetin atdhetar e shtetëror të Albinit Kurtit, mbështetja për Kurtin rritet.

“Askush më nuk i beson Gjarprit! Si zakonisht ai vazhdon të shpifë për Albinin edhe për periudhën e burgut, por askush s’i beson. E vërteta për qëndresën e Albinit në burg, është një horizont i pakapshëm për Hashimin. Hasha ligështohet edhe sot kur përballet me Vuçiçin, e lëre më të ishte në vend të Albinit. Ndërsa, Albini nuk u mposht e nuk u tremb në burg, e lëre më në liri. Albini ka shumë shokë sepse kurrë nuk e braktisi idealin për liri e shtet të së drejtës. Ndërsa, Hashimi nuk ka më shokë, sepse e braktisi idealin dhe i humbi edhe ata shokë që i kishte”, ka shkruar Dugolli.

Këtë deklaratë të Dugollit e ka mbështetur edhe anëtari i kryesisë së Vetëvendosjes, Xhelal Sveçla, që e ka shpërndarë postimin e tij në mëngjesin e sotëm.

Ndaj deklaratës së presidentit ka reaguar edhe ish-këshilltari i Kurtit, Jeton Zylfaj. Ai në Facebook ka shkruar se vetë Thaçi ishte larg vijave të fronit të luftës, e afër vijave për pushtet e pasurim.

Anëtari i kryesisë së LVV-së, Arbër Zaimi, ndërkaq, ka shkruar se Thaçi i ka keqpërdorur të gjitha mundësitë për t’i forcuar e zhvilluar shqiptarët.

Deklarata e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, vjen pas deklarimit të Albin Kurtit se presidenti i vendit “ka kënduar si bylbyl para prokurorëve të Hagës për katër ditë me radhë”. /GazetaExpress/