string(83) "albin-kurti-dhe-stafi-i-tij-nentefishojne-shpenzimet-me-se-shumti-harxhuan-ne-dreka"

Lajme

Gazeta Express

30/05/2025 21:51

Albin Kurti dhe stafi i tij nëntëfishojnë shpenzimet, më së shumti harxhuan në dreka

Lajme

Gazeta Express

30/05/2025 21:51

Zyra e Kryeministrit të Kosovës dhe vet Albin Kurti i kanë nëntëfishuar shpenzimet e tyre vitin e fundit të qeverisjes krahasuar me 8 muajt e parë kur e morën mandatin në 2021. Të dhënat, televizioni Dukagjini i ka siguruar përmes një kërkese për qasje në dokumente publike. Shpenzimet janë rritur në të gjitha kategoritë dhe më së shumti para u harxhuan në dreka e darka dhe ngjarje të kabinetit. E Kurti për dy kategori zgjodhi që të mos marr asnjë cent për katër vjet.

Shumë simbolike prej vetëm 3 mijë e 425 euro e 84 cent kishte shpenzuar kryeministri Albin Kurti dhe i gjithë stafi i tij në dreka për 9 muaj të vitit të parë kur morën pushtetin.

Por, gjërat kanë ndryshuar ndër vite, e veçanërisht në të fundit, në 2024 kur kanë harxhuar për dreka e ngjarje të kabinetit 32 herë më shumë se në vitin e parë.

Kështu, prej rreth 3 mijë e 500 euro, këto shpenzime të kryeministrit dhe kabinetit të tij, vitin e kaluar shkuan në 112 mijë e 332 euro e 87 cent.

Sipas kësaj llogaritje, mesatarisht në ditë Kurti dhe stafi i tij i harxhuan 307 euro në dreka e darka ose gati sa një rrogë minimale në Kosovë që është 350 euro nga viti i kaluar.

Këto të dhëna, Dukagjini i ka marr përmes një kërkesë për qasje në dokumente zyrtare drejtuar Zyrës së Kryeministrit.

Por, jo vetëm në dreka dhe darka. Në të gjitha kategoritë tjera, shpenzimet e Kurtit dhe stafit të tij u rritën, përfshirë akomodim, bileta udhëtimi, derivate e mëditje.

Kështu në total, në vitin e parë të qeverisjes Albin Kurti e stafi i tij harxhuan për gjashtë kategori brenda marsit e deri në dhjetor 33 mijë e 962, në 2022 kjo shifër shkoi në 192 mijë e 369 euro, në 2023 u harxhuan 208 mijë e 893 euro kurse në vitin e kaluar gjithsej 315 mijë e 588 euro. Pra, krahasuar me vitin e parë, shpenzimet e Zyrës së Kryeministrit në 2024 kanë shënuar një rritje prej rreth 829%.

Në të dhënat që Zyra e Kurtit i ka ofruar, nuk ka specifikuar se sa njerëz përfshihen në Stafin e Kryeministrit por vetëm e kanë dërguar si kategori të veçantë.

Në vitin e parë për shembull, stafi shpenzoi vetëm 2 mijë e 783 euro për bileta e kjo shifër u rrit çdo vit derisa kulmoi vitin e kaluar në 62 mijë e 995 euro.

Njëjtë ndodhi edhe me mëditje, ku stafi i Kurtit nga 5 mijë euro në 2021, në vitin e kaluar mori 39 mijë e 485 euro dhe këto u rriten çdo vit.

E vetmja gjë këtu që nuk ndryshoi është se Albin Kurti zgjodhi që asnjëherë prejse është kryeministër të mos marr mëditje dhe të mos përdorë shpenzimet e telefonit që i takonin.

Por, këto u përdorën nga stafi i tij që shpenzoi ndërmjet 3 mijë dhe afër 9 mijë euro në vit për telefon.

Para të majme u harxhuan edhe në bileta aeroplani, veçanërisht në 2024 ku për to u paguan 76 mijë e 736 euro, prej tyre afër 63 mijë nga stafi i Kurtit e afër mbi 13 mijë nga vet kryeministri.

Sikurse stafit të tij, edhe Kurtit në 2024-n iu rritën shpenzimet për akomodim ku ai shpenzoi rreth 23 mijë e stafi i tij mbi 46 mijë.