Albin Gashi, basketbollisti 18-vjeçar që erdhi nga Kanadaja: Ëndërroj ta ngris trofeun në fanellën e Kosovës - Gazeta Express
string(106) "albin-gashi-basketbollisti-18-vjecar-qe-erdhi-nga-kanadaja-enderroj-ta-ngris-trofeun-ne-fanellen-e-kosoves"

Basketboll

Gazeta Express

20/07/2022 21:49

Albin Gashi, basketbollisti 18-vjeçar që erdhi nga Kanadaja: Ëndërroj ta ngris trofeun në fanellën e Kosovës

Basketboll

Gazeta Express

20/07/2022 21:49

Kosova U18 në basketboll po përgatitet për Kampionatin Evropian Divisioni B për grupmoshat U18. “Dardanët” e rinj po stërvisin në Palestrën e Sporteve “Minatori” në Mitrovicë.

Pjesë e ekipit U18 të Kosovës për herë të parë është edhe Albin Gashi, i cili jeton dhe vepron në Kanada, shkruan Gazeta Express.

Lexo Edhe:

Ai ka vendosur që ta përfaqësojë Kosovën, pasi thotë se ka qenë ëndërr e tij të përfaqësojë gjakun e tij dhe të ngrisë një trofe i veshur me fanellën e Kosovës.

“Doja të përfaqësoja Kosovën sepse së pari prindërit e mi janë nga këtu dhe familja ime është shumë e dhënë pas basketbollit. Gjithmonë ka qenë një ëndërr e imja të përfaqësoj gjakun tim dhe të ndihmoj në ngritjen e një trofeu të veshur me një fanellë duke shkruar Kosova. Së dyti, basketbolli dhe konkurrenca evropiane janë të preferuarat e mia personale dhe gjithmonë e kam imagjinuar veten si lojtarin perfekt për këtu. Përzierja e krijimtarisë, inteligjencës dhe vendosmërisë janë tipare që besoj se i mbaj dhe janë tipare që do të më ndihmojnë të ndjek qëllimin tim përfundimtar për të ngritur një trofe që përfaqëson vendin tim”, u shpreh Gashi për Gazetën Express.

Tutje, basketbollisti i talentuar tregon se si nisi e gjithë dashuria e tij për sportin e basketbollit.

“Fillova të luaja që në moshën 6-vjeçare, duke u detyruar nga mamaja ime të shkoja të merrja pjesë në palestrën lokale. Në fillim nuk isha i interesuar dhe asnjëherë nuk isha dakord me idenë e sportit, isha një fëmijë që i pëlqente të kalonte kohë duke luajtur me lodra dhe duke parë filma vizatimorë. Vetëm pasi ia dola në ekipin tim të qytetit për herë të parë, fitova vërtet interes për të luajtur basketboll dhe që atëherë nuk e kam kthyer kokën prapa dhe nuk e kam menduar dy herë për idenë. Babai im më ka ndihmuar shumë, ai ka qenë trajner, motivues dhe ofrues për mua, pa të nuk ka mundësi të isha i njëjti person që jam tani, ai më ka dhënë mësime shumë të vlefshme që do të qëndrojnë me mua përgjithmonë. Nëna ime shpesh më kujton se po luaj basketboll sepse më detyroi ajo”, vazhdoi Gashi.

Ai tregon se momentalisht luan për Glenview Park në Kanada, që është shkolla e mesme e tij, ku i ka mbetur edhe një vit. Albini gjithashtu është pjesë e ekipit të qytetit të tij, Guelph Gryphons tash e dy vite.

“Unë luaj për Glenview Park, që është shkolla ime e mesme. Unë kam qenë atje për 4 vitet e fundit dhe më ka mbetur edhe 1 vit, nuk ka qenë gjë tjetër veçse një progres pozitiv që nga koha kur fillova atje. Këtë sezon të kaluar u votova për herë të parë MVP të ekipit së bashku me ligën Allstar. Unë gjithashtu luaj për Guelph Gryphons, që është ekipi i qytetit me të cilin kam qenë për 2 vitet e fundit. Këtu kam takuar disa nga miqtë e mi më të ngushtë dhe disa nga momentet e mia të preferuara janë duke festuar çdo fitore dhe duke konkurruar me njëri-tjetrin gjatë stërvitjeve intensive”, tha Gashi për Express.

Basketbollisti 18-vjeçar tregon edhe ëndrrën e tij më të madhe në karrierë.

“Ëndrra ime më e madhe në karrierë është që kur të pensionohem, dua të lë një ndikim të madh në lojë dhe të jem dikush që brezi i ri do të shikojë. Tani shpesh shihni yje të mëdhenj të NBA-së që frymëzojnë fëmijët të bëhen si ata. Dua të bëhem idhull dhe t’i tregoj brezit të ardhshëm të basketbollistëve se edhe rruga ndërkombëtare është një mundësi dhe nuk je i bllokuar aty ku je. Një tjetër ëndërr e madhe e karrierës është të kesh një program dhe themel që u lejon fëmijëve të tregojnë talentet e tyre dhe u ofron atyre një mundësi për të sfiduar aftësitë e tyre në fusha të ndryshme. Po, fitimi i kampionateve dhe çmimeve personale janë të rëndësishme, por lënia e gjurmëve në diçka dhe të qenit i kujtuar pozitivisht ka më shumë vlerë për mua”, përfundoi basketbollisti kosovar.

Kujtojmë se Kosova U18 do të marrë pjesë në Kampionatin Evropian Divisioni B që do të mbahet në Bullgari nga 29 korriku deri më 7 gusht.

“Dardanët” janë në grup me Norvegjinë, Bullgarinë, Bosnjën dhe Hercegovinën, Holandën dhe Gjeorgjinë. /Gazeta Express/