West Ham United ka siguruar një marrëveshje verbale me mbrojtësin shqiptar të Luganos, Albian Hajdari, sipas gazetarit gjerman Dominik Schneider. Trajneri i ri i klubit londinez, Graham Potter, është në kërkim të përforcimeve në prapavijë dhe 22-vjeçari është një nga emrat që i ka rënë në sy.
Hajdari ka një klauzolë lirimi prej 5 milionë eurosh, por deri tani West Ham nuk e ka aktivizuar atë. Megjithatë, ish-lojtari i të rinjve të Juventusit është i gatshëm të transferohet në “London Stadium”, me një kalim që pritet të finalizohet në javët në vijim.
Investimet e reja në mbrojtje te West Ham:
El Hadji Malick Diouf – i transferuar nga Slavia Prague
Jean-Clair Todibo – qëndron në ekip pas huazimit të suksesshëm
Kyle Walker-Peters – nënshkroi kontratë 3-vjeçare pas largimit nga Southampton
Albian Hajdari do të ishte afrimi i radhës në këtë linjë përforcimesh. Ai ka mbi 60 paraqitje në dy sezonet e fundit me Luganon, duke sjellë përvojë të mirë për moshën e tij. Për më tepër, mund të luajë edhe si mbrojtës i djathtë, një fleksibilitet që pëlqehet nga Potter.
Pavarësisht interesimit nga Bournemouth, Lazio, Werder Bremen, Bayer Leverkusen dhe Real Sociedad, Hajdari po e favorizon kalimin te West Ham, ku e sheh si mundësi për t’u provuar në një nga ligat më të forta në botë, pas dështimit për të gjetur hapësira te Juventus.
Me përgatitjet për sezonin 2025-26 që tashmë kanë filluar, West Ham pritet të finalizojë këtë marrëveshje dhe të vazhdojë me afrime të tjera në ditët në vijim./GazetaExpress/