Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Alban Krasniqi akuzoi ambasadorët e vendeve perëndimore në vend ndërsa kundërshtoi certifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
Ai tha në mbledhjen e sotme të KQZ-së se “Gjykata Supreme vetëm i ka delegjitimu anëtarët e KQZ-së” me vendimin se Lista Serbe duhet të certifikohet.
“Nuk mendoj që shteti duhet me ra në nivelin e këtyre presioneve”, tha ai, ndërsa përmendi “diplomatët e huaj”, që tha se po mundohen ta “legalizojnë” këtë parti.
“Ne nuk mund të presim vendime të gjykatave për secilin person veç e veç”, tha ai.
Krasniqi e quajti “koordinim kriminal të organeve tona të drejtësisë” vendimin e Supremes për ta hedhur poshtë një ankesë të LVV-së lidhur me certifikimin e Listës Serbe.
“I mbuloftë turpi”, tha ai, duke shtuar se ata do të japin “përgjegjësi herdokur”.
Ai tha se Listës Serbe i dolën në mbrojtje diplomatët e huaj “për hesape të tyre të ngushta”.
“Edhe ata fatkeqsisht janë duke u vënë në mbrojtje të organizatave kriminale në vend, për hesape të tyre politike, të ngushta, apo edhe të karrierës politike”, tha ai.
Krasniqi tha se po i bëhet “dëm i madh” procesit zgjedhor të 12 tetorit me certifikimin e Listës Serbe.
“Dëm i rëndë për këto zgjedhje. Ky dëm do të reflektojë edhe në proceset zgjedhore në të cilat Lista Serbe pretendon të garojë”, tha ai.
Edhe anëtari tjetër i LVV-së në KQZ, Sami Kurteshi, pati akuza të ngjashme.