Raportuesi i Parlamentit Evropian për Maqedoninë e Veriut Tomas Vajc, në raportin që pritet të shqyrtohet në seancë plenare më 8 korrik, shpreh shqetësimin për ndikimin serb dhe hungarez, nëpërmjet të cilave avancohet ndikimi rus dhe kinez. Kjo, sipas eurodeputetit bëhet përmes diplomacisë, mediave, por edhe kredive dhe investimeve me klauzola shtrënguese për Maqedoninë përcjell Gazeta Express nga Alsat.
Madje, eurodeputeti në mënyrë taksative përmend se disa përfaqësues të qeverisë po punojnë për konceptin e “botës serbe”, një ideologji nacionaliste që nëpërmjet rrezikimit të sovranitetit të shteteve të rajonit, synon të rrisë ndikimin e Beogradit zyrtar. Gjithashtu, në optikën e Vajcit janë gjetjet se shteti rus ka përdorur përfaqësues të mediave serbe për të përhapur narrative armiqësore ndaj NATO-s për të pretenduar se BE-ja po i bën presion Maqedonisë së Veriut që të braktisë identitetin e saj. Ndërsa është vërtetuar se subjekte diplomatike kineze kanë financuar propagandë në mediat maqedonase.
Hungaria, gjithashtu përmendet si aktor në zinxhirin e shteteve që punojnë për të avancuar objektivat gjeopolitike të Moskës dhe Pekinit, duke u bërë pjesë e fushatave dezinformuese, kërcënimeve hibride, por edhe korrupsionit strategjik. Vajc në raport thekson se së fundmi Maqedonia mori kredi prej 500 milionë euro prej Hungarisë, ndërsa origjina e parave duket të jetë nga Kina.
Profesori i të drejtës ndërkombëtare, Mersel Bilalli vlerëson se ky raport mund të llogaritet si një vërejtje për vendin, por të deklaruar në mënyrë më të butë nëpërmjet Parlamentit. Sipas Bilallit, qëllimet destabilizuese të Moskës zyrtare nuk do të kenë jetëgjatësi.
“Kjo që tani lansohet nga aspekti parlamentar i Bashkimit Evropian, tregon linjën më të butë për ashpërsinë e situatës. Pra, në vend që nga Komisioni Evropian apo nga Këshilli Ministror apo Këshilli i Unionit Evropian, lansohet nga Parlamenti Evropian si mendim i veçuar personal…Ndikimi rus ka qenë shumë i fuqishëm. Ai kinez pak më pak. Por, realisht pushteti i Putinit është i deprimuar sepse e sheh se Vuçiqi, agjendën që ai ka menduar ta eksploaton, pra Rusia për projekte shumë të gjëra të destabilizim të Ballkanit ajo nuk ndodh dhe ai kupton se është një lojë thjeshtë për ruajtur pushtetin personal”, deklaroi Mersel Bilalli, profesor universitar.
Raportuesi Vajc, në raport gjithashtu thekson nevojën për hapjen e arkivave të shërbimeve sekrete jugosllave UDBA dhe KOS të cilat mbahen në Maqedoninë e Veriut dhe Serbi.
tag_katrorimaqedoni_2