Kryeministri në detyrë, Albin Kurti i ka përgëzuar institucionet për, siç tha, “reagimin e shpejtë dhe profesional” pasi ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla tha se alarmi i rremë për një bombë në Kuvend paraditen e së shtunës erdhi nga një numër i një shtetasi serb.
Ai shkroi në Facebook se kjo dëshmon për luftën hibride të Serbisë ndaj Kosovës.
“Përgëzoj institucionet shtetërore për reagimin e shpejtë dhe profesional. Konfirmimi se ky kërcënim e ka origjinën në Serbi dëshmon edhe një herë luftën aktive hibride të Serbisë ndaj vendit tonë”, shkroi Kurti.
Ai shpërndau postimin e Sveçlës, i cili shkroi se është konfirmuar se numri nga i cili erdhi kërcënimi për bombë “e ka origjinën në Serbi”.
“Numri i telefonit nga i cili është bërë kërcënimi është i regjistruar në Serbi dhe i përket kompanisë telefonike MTS. Shfrytëzuesi i numrit ka qenë ose është shtetasi serb Lazar Živković. Në disa profile të lidhura me këtë numër është gjetur fotografia e kriminelit të luftës Ratko Mladić”, shkroi Sveçla.