Një studim i ri shqetësues sugjeron se ndjekja për një kohë të gjatë e një diete me shumë yndyrë dhe shumë pak karbohidrate – e njohur si dieta keto – mund të rrisë ndjeshëm rrezikun për zhvillimin e kancerit të mëlçisë brenda rreth 20 vitesh.
Dieta keto promovohet gjerësisht për humbje të shpejtë peshe pa ndjenjë urie, por shkencëtarët paralajmërojnë se konsumimi i vazhdueshëm i yndyrave të larta mund të ndryshojë në mënyrë themelore qelizat e mëlçisë, duke i bërë ato më të prekshme ndaj kancerit.
Studiues nga SHBA zbuluan se kur mëlçia ekspozohet vazhdimisht ndaj një diete me shumë yndyrë, qelizat e saj kalojnë në një gjendje më “primitive” ose më pak të pjekur.
Edhe pse kjo i ndihmon qelizat të përballojnë stresin e shkaktuar nga yndyra e tepërt, njëkohësisht i bën ato më të ndjeshme ndaj sëmundjeve serioze, përfshirë kancerin.
“Nëse qelizat detyrohen vazhdimisht të përballen me një stres si dieta me shumë yndyrë, ato përshtaten për të mbijetuar – por me çmimin e rritjes së ndjeshmërisë ndaj formimit të tumoreve,” shpjegon profesori Alex Shalek, drejtor i Institutit për Inxhinieri dhe Shkenca Mjekësore dhe bashkautor i studimit.
Sipas tij, identifikimi i hershëm i këtyre ndryshimeve qelizore mund t’u japë mjekëve mundësi të ulin rrezikun e formimit të tumoreve te personat më vulnerabël.
Çfarë është dieta keto?
Dieta keto konsiston në shmangien pothuajse totale të karbohidrateve për të futur trupin në gjendjen e ketozës, ku ai djeg yndyrën e depozituar për energji.
Karbohidratet janë një nga tre makronutrientët kryesorë (së bashku me yndyrat dhe proteinat) dhe gjenden në drithëra, perime niseshtore dhe fruta.
Dietat me shumë yndyrë janë lidhur prej kohësh me sëmundjen e mëlçisë dhjamore (steatoza hepatike), ku yndyra grumbullohet në mëlçi, duke shkaktuar inflamacion, dështim të organit dhe, në fazat e avancuara, kancer.
Çfarë tregoi studimi
Në studimin e publikuar në revistën shkencore Cell, minjtë u ushqyen me një dietë me shumë yndyrë dhe mëlçia e tyre u analizua përmes teknologjisë së sekuencimit qelizor.
Në fazat e hershme, qelizat e mëlçisë (hepatocitet) aktivizuan gjene që i ndihmonin të mbijetonin, duke ulur vdekjen qelizore dhe duke nxitur rritjen.
Por paralelisht, gjene thelbësore për funksionimin normal të mëlçisë u çaktivizuan.
“Kjo duket si një kompromis i qartë: qeliza sakrifikon funksionin normal të indit për të mbijetuar në një mjedis stresues,” shpjegon Constantine Tzouanas, bashkautor i studimit dhe i diplomuar në Harvard–MIT.
Në fund të studimit, pothuajse të gjithë minjtë e ushqyer me dietë të pasur me yndyrë kishin zhvilluar kancer të mëlçisë.
Shkencëtarët zbuluan se këto qeliza të adaptuara janë shumë më të prirura të bëhen kancerogjene nëse më vonë ndodh një mutacion i dëmshëm.

“Këto qeliza tashmë kanë aktivizuar të njëjtat gjene që u nevojiten për t’u kthyer në kancer,” thotë Tzouanas.
“Sapo ndodh mutacioni i gabuar, procesi përshpejtohet dhe ato kanë tashmë një avantazh.”
Çfarë ndodh te njerëzit
Pas rezultateve te minjtë, ekipi analizoi të dhëna nga pacientë njerëzorë me faza të ndryshme të sëmundjes së mëlçisë.
U vu re se me kalimin e kohës, gjene që mbështesin funksionet normale të mëlçisë dobësohen, ndërsa ato që lidhen me mbijetesën qelizore forcohen.
Pacientët me shprehje më të lartë të këtyre gjeneve “pro-mbijetesë” kishin një mbijetesë më të shkurtër pas shfaqjes së tumoreve.
Ndërsa te minjtë kanceri u shfaq brenda një viti, te njerëzit ky proces zhvillohet zakonisht gjatë rreth 20 viteve. Megjithatë, ky afat mund të shkurtohet nga faktorë si konsumimi i alkoolit, infeksionet virale dhe gjendja e përgjithshme shëndetësore.
Qelizat e mëlçisë që mbeten në një gjendje më pak të pjekur janë shumë më të rrezikuara për t’u kthyer në kancer nëse ndodh një mutacion i mëvonshëm.
Çfarë pritet më tej
Studiuesit do të hetojnë nëse këto dëmtime mund të përmbysen përmes një diete më të shëndetshme ose me përdorimin e barnave për humbje peshe si GLP-1 (p.sh. Mounjaro).
“Tanë kemi objektiva të rinj molekularë dhe një kuptim më të qartë të biologjisë së kësaj sëmundjeje, çka mund të hapë rrugë të reja për trajtim më të mirë,” thotë prof. Shalek.
Krahasimi i dietave
Një dietë tipike keto përbëhet nga rreth:
75% yndyrë
20% proteina
5% karbohidrate
Ndërsa udhëzimet e një diete të shëndetshme të balancuar (si ato të NHS në Mbretërinë e Bashkuar) rekomandojnë:
rreth 30% yndyrë
15% proteina
mbi 50% karbohidrate
Pavarësisht paralajmërimeve të shumta shkencore, dieta keto ka fituar popullaritet të madh dhe është promovuar nga figura publike si Gwyneth Paltrow, Jennifer Aniston, Halle Berry dhe Kourtney Kardashian.
Sëmundjet e mëlçisë në rritje
Ajo që dikur ishte kryesisht problem i moshave të vjetra dhe i konsumatorëve të rëndë të alkoolit, sot sëmundja e mëlçisë po përhapet me shpejtësi te të rinjtë.
British Liver Trust vlerëson se deri në 1 në 5 persona në Mbretërinë e Bashkuar mund të preken – ndërsa disa ekspertë paralajmërojnë se shifra reale mund të shkojë deri në 40%.
Rreth 80% e të prekurve mbeten të padiagnostikuar, pasi sëmundja shpesh nuk jep simptoma të qarta.
Një në katër pacientë zhvillon forma të avancuara me dëmtime të pakthyeshme të mëlçisë, që mund të çojnë në dështim organi dhe kancer.
Megjithatë, ekspertët shpresojnë se barnat e reja për humbje peshe, si Mounjaro, mund të revolucionarizojnë trajtimin, duke ndihmuar mëlçinë të djegë yndyrën e tepërt që rrit rrezikun e sëmundjes. /GazeteaExpress/