Shoqata e Radiografëve në Britani (Society of Radiographers – SoR) ka ngritur alarmin për rrezikun e madh që po paraqesin klinikat private të ekos për shtatzëna, të cilat shpesh operojnë pa staf të kualifikuar mjekësor.
Sipas SoR, çdokush që ka një pajisje ultrazëri mund ta quajë veten “sonograf”, edhe nëse nuk ka asnjë diplomë apo licencë profesionale.
Kjo praktikë po rezulton me diagnoza të gabuara dhe rrezik serioz për jetën e nënës dhe foshnjës, përfshirë raste ku prindërve u është thënë se fëmija i tyre ka vdekur, ndërkohë që foshnja ka qenë plotësisht e shëndetshme.
“Kushdo mund të bëjë ekografi – edhe pa asnjë kualifikim”
Zyrtarja profesionale për ultratinguj në Shoqatën e Radiografëve, Gill Harrison, tha se shumë pacientë nuk e dinë kush po i skanon.
“Shumë gra tronditen kur kuptojnë se personi që bën ekon mund të mos ketë asnjë diplomë mjekësore – apo madje të jetë dikush që është përjashtuar nga regjistri profesional për shkelje etike,” – shpjegoi Harrison.
Shoqata paralajmëron se disa prej këtyre individëve kanë qenë më parë të ndaluar të punojnë në spitale publike, por janë punësuar në klinika private ku mungon kontrolli ligjor.
Këto klinika ofrojnë ekografi që kushtojnë nga 50 deri në 300 euro, por pa garanci për sigurinë apo saktësinë mjekësore.
Raste tronditëse të diagnostikimeve të gabuara
Shoqata raportoi disa raste të rënda ku diagnoza të rreme kanë rrezikuar jetën e nënës dhe foshnjës.
Një prej tyre është rasti i zbuluar nga Elaine Brooks, ish-sonografe në spital publik dhe përfaqësuese rajonale e SoR.
Ajo tregoi për një grua 8 deri në 9 javë shtatzënë, të cilës klinika private i kishte thënë se foshnja ishte e vdekur dhe “e deformuar rëndë”, duke e këshilluar të shkonte në spital për ndërprerje të shtatzënisë.
“Kur e skanova unë, pashë një shtatzëni të mrekullueshme në javën e nëntë – me rrahje zemre, plotësisht e shëndetshme,” – tha Brooks.
Ajo zbuloi se klinika kishte ngatërruar një mpiksje gjaku nën embrion me vetë foshnjën, duke matur gabimisht atë.
“Sikur spitali t’i kishte dhënë ilaçet që rekomandoi klinika, foshnja do të ishte abortuar,” – paralajmëroi ajo.
Nëna, e cila kishte pirë verë gjatë fundjavës pasi mendonte se shtatzënia kishte përfunduar, mbeti “e shkatërruar emocionalisht” pas zbulimit të gabimit.
Probleme të rënda që mund të kalojnë pa u vënë re
Sipas SoR, klinikat private shpesh dështojnë të zbulojnë anomali të mëdha fetale që mund të evidentohen në javët e hershme të shtatzënisë.
“Ka raste kur gratë bëjnë një eko private për të zbuluar gjininë e fëmijës dhe më pas, në ekon e 20 javëve në spital, zbulojmë se foshnja ka defekte serioze – si spina bifida apo veshka polikistike – që duhet të ishin parë më herët,” – tha Brooks.
Spina bifida
Shfaqet në rreth 1 në 1000 foshnja, kur shtylla kurrizore nuk formohet siç duhet në mitër, duke shkaktuar dëmtime nervore që ndikojnë në ecje, urinim dhe lëvizje.
Zbulimi i hershëm i saj u jep mjekëve mundësinë të planifikojnë ndërhyrje jetike brenda 48 orëve nga lindja.
Veshkat polikistike (ARPKD)
Një sëmundje trashëgimore ku formohen qese me lëng në veshka e mëlçi.
Diagnoza e hershme lejon monitorim çdo 2–3 javë dhe trajtim të specializuar për të shmangur dështimin e organeve.
Hidrocefalia (ventrikujt me lëng në tru)
Në këtë rast, foshnja ka tepricë lëngu në tru, që mund të çojë në probleme të të folurit, epilepsi apo vonesa në zhvillim.
Trajtimi kërkon një operacion delikat për vendosjen e një shunti që kullohet pas lindjes – prandaj zbulimi i hershëm është vendimtar.
Shtatzënia ektopike
Kur embrioni zhvillohet jashtë mitrës – një gjendje që rrezikon jetën e nënës.
Nëse diagnostikohet herët, trajtohet me ilaçin methotrexate; në raste të vonuara kërkon ndërhyrje kirurgjikale urgjente.
Autoritetet: “Pacientët duhet të jenë në duar të sigurta”
Një zëdhënës i Departamentit britanik të Shëndetësisë dhe Kujdesit Social deklaroi:
“Asnjë prind nuk duhet të përjetojë traumën e një diagnoze të gabuar. Jemi të përkushtuar të sigurojmë që të gjithë profesionistët e kujdesit shëndetësor të jenë të licencuar dhe të rregulluar siç duhet.”
Qeveria britanike ka njoftuar se po rishikon rregulloren për profesionistët e shëndetësisë, për të garantuar që asnjë person i papërshtatshëm të mos punojë në këtë fushë.
Mesazhi për prindërit e ardhshëm
Shoqata e Radiografëve u bën thirrje grave shtatzëna që:
të kontrollojnë kualifikimin e personit që bën ekon,
të mos mbështeten vetëm në klinika private, dhe
të konsultohen me mjekun e tyre për çdo dyshim.
“Ultratingulli është një mjet jetik diagnostik, por vetëm kur kryhet nga profesionistë të trajnuar. Gabimet nuk janë thjesht teknike – ato mund të kushtojnë jetë,” – përfundon deklarata e SoR.
Siguria e nënës dhe foshnjës nuk është biznes – është detyrë mjekësore. /GazetaExpress/