Gjatë vitit 2024, Prokuroritë Themelore Publike trajtuan 37.255 kryes të veprave penale, prej tyre 1.260 fëmijë dhe 4.546 autorë të panjohur. Numri i kallëzimeve të reja u rrit me rreth 10%. Sa u përket autorëve fëmijë, të veprave penale, 46.7% e rasteve përfunduan me procedurë përgatitore dhe 32.3% u hodhën poshtë, shpesh për shkak se ishin nën moshë ose oportunitetit. Tjetër e dhënë alarmante është se, 3 fëmijë ishin të përfshirë në kontrabandë migrantësh, duke treguar se krimi i organizuar prek edhe të rinjtë. Autorët e panjohur mbeten sfidë e madhe, pasi 4.546 raste ende po hetohen, ndërsa 49.928 nga veprat penale nga autor të panjohur janë nga vitet paraprake e që nuk janë objekt përpunimi statistikor, duke nxjerrë në pah mungesën e thellë të identifikimit të autorëve. Statistikat e Prokurorisë tregojnë rritje të përpjekjeve hetimore, por edhe një situatë shqetësuese për rritjen e kriminalitetit mes të miturve dhe pasigurinë ligjore ndaj autorëve të panjohur, përcjell Gazeta Express nga Portalb.mk.
“Gjatë vitit 2024, Prokuroritë Themelore Publike vepruan sipas kallëzimeve penale të pranuara kundër një totali prej 25,909 kryesish të veprave penale, nga të cilët 20.103 ishin të rritur, 1.260 ishin fëmijë dhe 4.546 ishin kryes të panjohur të veprave penale, si dhe 11.346 çështje të papërfunduara në fund të vitit 2023. Prandaj, gjatë vitit raportues 2024, Prokuroritë Themelore Publike vepruan kundër një totali prej 37.255 kryesish të veprave penale”, thuhet në raportin vjetor të Prokurorisë.
Nga totali i kryesve të veprave penale të raportuara në vitin 2024, 4.546 kanë të bëjnë me kryes të panjohur, ku ende po ndërmerren veprime nga autoritetet kompetente për zbulimin e kryesve. Kjo nuk është e gjitha, 49.928 veprat penale nga autor të panjohur janë nga vitet paraprake, por që nuk janë objekt përpunimi statistikor.
“Në prokuroritë e viteve të kaluara, është ngritur një numër i madh çështjesh kundër kryesve të panjohur të krimeve. Ato transferohen derisa autoritetet hetuese, duke vepruar sipas urdhrave dhe udhëzimeve të lëshuara nga prokuroria, të zbulojnë autorët. Prokuroritë publike monitorojnë vazhdimisht statistika të tilla dhe ndërmarrin aktivitete të përshtatshme me qëllim stimulimin e funksionit hetues të autoriteteve kompetente. Kjo është një nga arsyet që kontribuon në uljen e numrit të kallëzimeve penale të pranuara rishtazi kundër autorëve të panjohur në baza vjetore. Analiza e mëtejshme e punës së prokurorisë publike nga aspekti i llogaritjes së përqindjes së veprimeve të ndërmarra dhe analizës së ngjarjeve nuk përfshin numrin e rasteve kundër autorëve të panjohur të veprave penale”, thonë nga Prokuroria.
Krahasimi i të dhënave statistikore mbi raportimet e pranuara nga viti 2023 me ato të vitit paraprak tregon se ka një rritje të numrit të raportimeve penale të pranuara sipas numrit të autorëve të krimeve, si në raport me autorët e rritur ashtu edhe me fëmijët, me rreth 10%.
Në vitin 2024, në Prokuroritë Themelore Publike u ngritën kallëzime penale kundër 1.260 fëmijëve, që në vëllimin e përgjithshëm të punës mbi paditë penale kundër autorëve njohur të veprave penale përfaqëson një pjesëmarrje prej 5.9%.
Gjatë vitit, Prokuroritë Publike vepruan edhe mbi kallëzimet penale nga viti i kaluar kundër 166 fëmijëve, kështu që ato kishin kallëzime kundrejt totalit prej 1.426 fëmijëve.
Nga numri i përgjithshëm i kallëzimeve penale të përpunuara në vitin 2024, u zgjidhën kallëzimet kundër 1.268 fëmijëve, ndërsa në fund të vitit, mbetën në përpunim kallëzimet kundër 158 fëmijëve ose 11.1%.
“Nga numri i përgjithshëm i kallëzimeve të zgjidhura, u ngritën kërkesa për procedurë përgatitore kundër 666 fëmijëve ose 46.7%. Në vitin paraprak 2023, u paraqitën kërkesa për fillimin e procedurës përgatitore kundër 422 fëmijëve, që do të thotë se në vitin raportues 2024, pati një rritje të numrit të kërkesave të paraqitura për procedurë përgatitore kundër të miturve me rreth 60%”, theksohet në raportin e Prokurorisë.
Sa për sqarim, “procedurë përgatitore”, është faza juridike që fillon kur ka dyshime se një fëmijë ka bërë vepra që ligji e konsideron si vepër penale ose shkelje.
Qëllimi kryesor është të shqyrtohen provat, të vlerësohet nëse fëmija merr përgjegjësi, dhe të vendoset se çfarë masash duhet ndërmarrë. Kjo procedurë nuk është gjyq, por është fazë përgatitore para se të vendoset nëse do të ketë gjyq ose masa alternative.
Në total, kundër 460 fëmijëve ose në 32.3% të rasteve, kallëzimet penale u hodhën poshtë. Nëse shikojmë strukturën e kallëzimeve penale të pezulluara, akuzat kundër 137 fëmijëve u hodhën poshtë sepse ishin fëmijë penalisht të papërgjegjshëm nën moshën 14 vjeç, dhe për 323 fëmijët e tjerë u hodhën poshtë në bazë të parimit të oportunitetit dhe arsyeve të tjera”, thonë nga Prokuroria.
Kundër 3 fëmijëve është parashtuar propozim i drejtpërdrejtë për sanksion, ndërsa kundër dy fëmijëve u kërkua dhe u shqiptua masë paraburgimi.
Kur bëhet fjalë për seriozitetin e krimeve të kryera nga të miturit, duhet theksuar se në vitin 2024, Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit veproi kundër 3 fëmijëve në konflikt me ligjin. Fëmijët kryen veprën penale të Kontrabandës së Migrantëve (418-b i Kodit Penal).
Kujtojmë se përveç tjerash, gjatë raportit të vitit 2024 u konstatua se Prokuroria Publike e RMV-së përballet me mungesë të theksuar të stafit, pasi u plotësuan vetëm 64,7% e pozicioneve të prokurorëve dhe 1/3 e vendeve të nevojshme për shërbimin ndihmës. Gjithashtu Prokuroritë përballen edhe me kapacitete të pamjaftueshme dhe të amortizuara hapësinore, ndërsa sistemi elektronik për menaxhimin e lëndëve është i vjetërsuar, duke kërkuar zëvendësim urgjent përmes një projekti të ri të financuar nga IPA III, i cili nëse shteti nuk ndan një pjesë të shumës, është i rrezikuar. Pajisjet IT janë kryesisht të vjetra, me mbi 200 kompjuterë më të vjetër se 10 vjet. Trajnimi dhe zhvillimi profesional i stafit mungon për shkak të fondeve të pamjaftueshme, duke rrezikuar funksionimin efikas të institucionit.
tag_katrorimaqedoni_2