Largimi i papritur i themeluesit të United Group, Dragan Sholak, dhe drejtoreshës ekzekutive Viktoria Boklag ka shkaktuar shqetësim të thellë mes redaktorëve të mediave që veprojnë nën ombrellën e United Media, përfshirë televizionet N1 dhe Nova në rajon.
Në një apel publik, redaktorët nga Serbia, Kroacia, Bosnja e Hercegovina, Sllovenia, Bullgaria dhe Mali i Zi kanë ngritur shqetësimin se këto ndryshime në krye të kompanisë mund të jenë rezultat i presioneve politike mbi kompaninë mëmë, BC Partners. Sipas tyre, një ndikim i tillë do të rrezikonte pavarësinë redaktoriale të mediave që shpeshherë përfaqësojnë të vetmin burim informacioni të paanshëm në vendet e Ballkanit.
“Sigurisht që u aktivizua alarmi i kuq,” deklaroi Maja Sever, kryetare e Federatës Evropiane të Gazetarëve. “N1 është dritarja e së vërtetës, veçanërisht në Serbi, ku situata e mediave është në rrezik ekstrem.”
Apeli është dërguar te presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe organizatat ndërkombëtare për mbrojtjen e lirisë së medias, përfshirë Reporterët pa Kufij, Komitetin për Mbrojtjen e Gazetarëve dhe Institutin Ndërkombëtar të Shtypit.
Kërkesa ndaj BC Partners: Garantoni pavarësinë redaktoriale
Redaktorët kërkojnë që BC Partners të japë një garanci publike për mbrojtjen e pavarësisë së gazetarëve dhe të mos ndërmarrë vendime që do të komprometonin funksionimin e lirë të redaksive. Ndërkohë, vetë United Group ka dhënë një reagim të shkurtër për Radion Evropa e Lirë, duke theksuar se “pavarësia e redaksive do të ruhet si gjithmonë.”
Por sipas analistëve dhe organizatave ndërkombëtare, situata është alarmante. Pavol Shalai nga Reporterët pa Kufij theksoi:
“Është jetike që këto media, në një ambient presionesh të rënda politike si në Serbi, të vijojnë të punojnë të lira dhe me mbështetjen e pronarëve të tyre, sipas standardeve të BE-së për lirinë e medias.”
Akuzat e Vuciq: “Sholak, pjesë e një revolucioni të ngjyrosur”
Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuciq ka komentuar largimin e Sholakut me akuza të rënda, duke e cilësuar si “një nga nxitësit kryesorë të një revolucioni të ngjyrosur në Serbi” dhe duke aluduar për lidhje të tij me shërbime të huaja. Këto deklarata vijnë në vazhdën e një fushate të gjatë të pushtetit kundër mediave të pavarura si N1 dhe Nova S, të cilat janë cilësuar nga funksionarët serbë si “televizione amerikane”, “media të huaja” apo “armiq të shtetit”.
Ekspertët: Mediat e pavarura, nën sulm të koordinuar
Profesori universitar Rade Veljanovski thotë se pushteti kërkon të eliminojë çdo zë kritik:
“Ata duan një sistem mediatik pa kundërshti, ku çdo segment promovon politikën e regjimit.”
Ndërsa gazetari dhe profesori Dinko Gruhonjic paralajmëron:
“Nëse ndodh ndonjë ‘disiplinim’ apo mbyllje e këtyre mediave, Serbia do të përfundojë në errësirë mediatike si ajo që shohim sot në Hungari.”
Sipas indeksit të Reporterëve pa Kufij, Serbia renditet në vendin e 96 nga 180 vende për lirinë e medias – një përmirësim vetëm për shkak të përkeqësimit të situatës në vende të tjera, jo për shkak të përmirësimeve në vend.