Futbolli saudit është sërish në qendër të vëmendjes me një lëvizje të madhe në tregun e transferimeve. Këtë herë protagonist është Al-Hilal, i cili ka bërë një ofertë prej 100 milionë eurosh për të siguruar shërbimet e Benjamin Šeško, sulmuesit të RB Leipzig dhe njërit prej sulmuesve më premtues në Europë.
Klubi saudit ka përfituar nga ngecja në bisedimet mes Šeškos dhe Arsenali, që e kishte shënjestruar sllovenin si përforcim për sezonin e ri. Negociatat mes anglezëve dhe përfaqësuesve të lojtarit nuk kanë arritur në një marrëveshje, duke i hapur rrugën klubeve të tjera të interesuara.
Këtu ka hyrë në lojë Al-Hilal, me ambicie të qarta për të vazhduar ndërtimin e një skuadre të mbushur me yje të futbollit europian. Ata nuk kanë hezituar të vënë në tavolinë një shumë që pak klube mund ta barazojnë.
Šeško, 22 vjeç, ka qenë një nga emrat më të spikatur të Bundesligës gjatë vitit të fundit. Me aftësitë e tij për të shënuar, fizikun imponues dhe potencialin e madh për zhvillim, ai është kthyer në objektiv të shumë skuadrave elitare. Edhe pse deri tani prioriteti i tij dukej se ishte qëndrimi në Evropë, oferta e Al-Hilal është vërtet e vështirë për t’u refuzuar – si për lojtarin, ashtu edhe për klubin e tij.
Al-Hilal nuk është i panjohur për lëvizje të tilla. Në afatet e fundit të merkatos, klubi saudit ka treguar se mund të konkurrojë financiarisht me klubet më të mëdha të kontinentit dhe tentativa për Šeškon vetëm sa forcon idenë se projekti i tyre është ambicioz dhe serioz.
Tashmë mbetet për t’u parë nëse RB Leipzig do ta pranojë ofertën dhe nëse vetë Šeško do të vendosë të ndërmarrë një hap që mund ta ndryshojë rrënjësisht rrjedhën e karrierës së tij./GazetaExpress/