Klubi saudit Al-Hilal po vazhdon ofensivën e tij ambicioze për të tërhequr yje të mëdhenj nga futbolli evropian dhe tashmë ka hedhur në tavolinë një ofertë astronomike për sulmuesin nigerian Victor Osimhen, aktualisht pjesë e Napolit.
Sipas raportimeve, Al-Hilal i ka ofruar Osimhenit një kontratë trivjeçare, me mundësi rinovimi për një sezon të katërt, me një pagë që arrin në 160 milionë euro neto, ose rreth 40 milionë euro në vit – katër herë më shumë se ajo që fiton aktualisht në Itali. Një shumë thuajse e pamundur për t’u refuzuar, pavarësisht kontratës së tij me Napolin që është e vlefshme deri në vitin 2026.
Në skenarin aktual, Osimhen ka një klauzolë largimi prej 75 milionë eurosh, e vlefshme vetëm për klube jashtë Italisë, që e bën transferimin drejt Arabisë Saudite teorikisht të realizueshëm.
Projekti i Al-Hilalit përfshin edhe emra të tjerë të mëdhenj nga Serie A. Së bashku me Osimhen, drejtuesit e klubit po synojnë edhe mbrojtësin e majtë të Milanit, Theo Hernández, si pjesë e forcimit të skuadrës së udhëhequr nga Simone Inzaghi.
Ndërkohë, interesimi për Osimhenin nuk vjen vetëm nga Arabia Saudite. Manchester United, Juventus dhe edhe Galatasaray, ku ai ka shkëlqyer me 37 gola në 41 ndeshje sezonin e fundit, po ndjekin nga afër zhvillimet e fundit për të ardhmen e tij, raporton Corriere dello Sport.
Në një tjetër zhvillim, rregullat e reja të turneut të ri të FIFA-s do të lejojnë regjistrimin e dy lojtarëve të rinj në periudhën 27 qershor – 3 korrik 2025, duke i hapur rrugë Al-Hilalit të përfshijë Osimhen dhe Theo nëse arrijnë të kalojnë fazën aktuale të Kupës së Botës për Klube në SHBA.
Oferta e Al-Hilalit është serioze… dhe jashtëzakonisht fitimprurëse. Nëse Osimhen pranon, ai jo vetëm që do të bëhet një nga futbollistët më të paguar në botë, por do të jetë edhe pjesë qendrore e projektit të madh futbollistik të Arabisë Saudite.