Ish-drejtori i Shërbimit Informativ Shtetëror në Berat, A.Sh., u mor i pandehur nga Prokuroria e Beratit, që ka ngritur ndaj tij akuzën e nxjerrjes së sekretit shtetëror dhe mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit.
I pandehur u mor edhe djali i tij, P.Sh., për të cilin nisën fillimisht hetimet për organizim në kundërshtim me ligjin të lojërave të fatit.
Sipas një njoftimi zyrtar, kontrollet e ushtruara për hetimet ndaj djalit të tij çuan në gjetjen e një USB-je në banesë, në të cilën mbante një material që nga verifikimet ishte i klasifikuar në nivelin “sekret”.
“Këto materiale administrohen në SHISH në kopje të vetme. Kopjimi ose shumëfishimi i tyre është i ndaluar dhe në kundërshtim me aktet që normojnë punën e SHISH. Marrja e materialeve në kundërshtim me rregullat e sigurisë së informacionit të klasifikuar, që ka rezultuar me ekspozimin e pjesshëm ose tërësor, në mënyrë të paautorizuar, përbën shkelje të sigurisë së informacionit të klasifikuar.”