AKTUALIZIMI I POEZISË NXITË KUJTESËN DHE SHPRISHË HARRESËN - Gazeta Express
string(58) "aktualizimi-i-poezise-nxite-kujtesen-dhe-shprishe-harresen"

Gazeta Express

17/10/2020 11:50

AKTUALIZIMI I POEZISË NXITË KUJTESËN DHE SHPRISHË HARRESËN

Gazeta Express

17/10/2020 11:50

Nga ana tjetër, siç shënohet në biografinë e tij të përfshirë në vëllimin “Brigjet”, botim i Rilindjes  në vitin 19981, Esad Mekuli ka pasuruar fondin e veprave të përkthyera në gjuhën shqipe me rreth 110 tituj, që është një punë vërtet kolosale.

Milazim KRASNIQI

Lexo Edhe:

Rileximi kritik i poezisë së Esad Mekulit, pas dyzet vjetësh, sikundër e bëra për këtë rast, më pasuroi me një provokim të ri ndaj kujtesës dhe harresës, të cilat së bashku e konstituojnë lakoren e formimit intelektual dhe natyrës së tij. Duke i rilexuar disa nga poezitë, ato më ktheheshin në kujtesë si poezi që në fëmijëri i kam mësuar përmendësh, ngase kanë qenë në librat shkollor dhe i kemi recituar edhe në ditën e shkollës apo të festave shtetërore të asaj kohe. Të fashitura në kujtesë, sapo aktivizohen, ato sjellin në mendje emocione dhe përjetime të fëmijërisë dhe të mënyrës si propozohej njohja e vlerave dhe e botës Brenda një formacioni konkret ideologjik. Të këtij grupimi janë poezitë ‘O vëlla me sharrë në krahë”, “Ramiz o vëlla”, ”Popullit tim”, “Shqiptari këndon”, etj.  

Të ngarkuar ose të indoktrinuar me imazhet dhe mesazhet e këtyre poezive, ne kemi ecur në jetë duke bartë meszzhet e një ideologjie, që e ka pasur të mishëruar militiantizmin revolucionar, idenë e barazisë së njerëzve e të popujve dhe humanizmin. Por, duke e mësuar përmendësh në vargje poetike e duke mos i përjetuar në realitet ato vlera, ne e kemi përjetuar botën në një mënyrë jorealiste dhe agnostike, pa gjykim kritik e pa liri të vërtetë mendimi. Pra, prezenca e këtij bagazhi ideologjik, të paketuar si artistik në kujtesë, ka tagrin e vet në formimin tonë dhe në komunikimin tonë.     

Ndërsa, duke i rilexuar poezitë jorevolucionare, joideologjike, më rizbulohen në kujtesë vargje brilante, mbresëlënëse estetikisht, të cilat e rizbulojnë Esad Mekulin mjeshtër të deskripcionit, të meditimit mirëfilli poetik. Të kësaj kategorie, estetikisht mbresëlënëse, janë pozitë: “Prej fëminisë”, “Mbramja”, “Andrra e vajzës”, “Malli për të pambërrijtshmen”, “Në mëngjes:, “Metohi”, “Në grykë”, etj. Të fisnikëruar me imazhet dhe mesazhet e poezive të kësaj kategorie, ne si gjenerata kemi marrë një edukim estetik të mirëfilltë, me çka na është rritur ndjenja për të bukurën në natyrë e në jetë dhe na është injektuar edhe atdhedashuria.

Duke i rilexuar me vëmendje të shtuar, në kontekstin e ri të dijes për artin letrar, në kontekstin e moshës  dhe në relacion me përvojën personale poetike, shoh se Esad Mekuli ka qenë mjeshtër për të fiksuar imazhin, për të hetuar natyrën e fshehur të gjendjeve e të gjerave me anën e krahasimeve befasuese, gjë që më bind se këtë ia ka mundësuar jo vetëm prirja e poetit, po edhe intuita e shkencëtarit. Ja disa nga krahasimet, në të cilat e mbështes këtë hipotezë:

  1. si tufa mëndafshi t’artë në të kaltren shami/ (Mbramja, 13)
  2. Retë luejnë n’naltësi si qingjat n’kodrina.

3 Fushat erënjoma shtrihen/si trup’i gufuem femne

4.Qiella tash bëhet si çerep i zi

5. Bari asht i butë si mëndafshi.

Krahasimi si figurë stilistike në vargun e Esad Mekulit më duket si bisturia në dorën e kirurgut, e cila zbulon shtresat e padukshme të lëkurës, për të depërtuar deri në pikën ku mund të kërkohet diagnoza. Në studimet shkencore, metoda krahasuese llogaritet si njëra nga metodat kryesore të studimit, për të cilën një nga nga teoricienët mbi metodat, ka thënë se pa krahasimin as që mund të ketë një hulumtim shkencor. Duke qenë shkencëtar në plan të parë, Esad Mekuli e ka pasur të thekshme intuitën scientiste në të vërejturit e dukurive, gjendjeve, veçmas atyre natyrore dhe kjo e ka bërë kaq efektiv në përftimin e vargjeve me anën e krahasimit, po edhe të metaforës në shumë raste të tjera.

Konkludimi im nga ky rileximn kritik i poezisë se Esad Mekulit, pas një kohe kaq të gjatë, është se ky autor po edhe të tjerë të brezit të tij, duhet të rilexohen e të studiohen, në dritën e konteksteve të reja sociale dhe të metodave të reja të studimit të letërsisë.

Hans Rober Jausi në studimin e tij “Estetika receptive”, një rast ka thënë se: “historia e letërsisë është proces i receptimit dhe prodhimit të së estetikshmes, gjë që me aktualizimin e teksteve artistike e realizojnë lexuesi që e pranon, kritiku që mendon dhe shkrimtari që e prodhon.”(f.59) Ky citat i Jausit, të cilin unë e kërkova pas ndërtimit të hipotezës lidhur me kujtesën dhe harresën në raport me poezinë e Mekulit, sigurisht edhe këtë në bazë të kujtesës, tingëllon si i shkruar për këtë rast. Në fakt, është fjala për trekëndshin ndërmjet lexuesit, kritikut dhe autorit, kur ndodhë, si në këtë rast, aktualizimi i teksteve artistike.    

Gjithsesi në procesin e aktualizimit dhe të rivlerësimit edhe të teksteve poetike të këtij autori, po edhe të autorëve të tjerë të asaj gjenerate, sociologjia e letërsisë do të na ndihmonte ta mirëkuptojmë pjesën e poezisë që ka ngarkesa ideologjike e motive revolucionare dhe që glorifikon edhe figura që tashmë dihet se janë figura mostruoze në raport me ne shqiptarët, siç janë fjala vjen Petar Petroviq Njegoshi e Josip Broz Tito. Në kohën tonë janë zbuluar dokumente e dëshmi figura të tilla por në kohën kur i ka shkruar poeti, ato nuk kanë qenë as të njohura e as e mundshme që të thuhej diçka jashtë klishesë së diskursit dominant.

Ndërsa, qasjet e reja në studimin e tekstit letrar, me dekonstruktimin e tekstit, na mundësojnë ta vlerësojmë edhe më mirë aftësinë e formësimit të mendimit e të figuracionit poetik nga poeti Esad Mekuli, afinitetin ndaj motiveve sociale, humanizmit, shqiptarizmit, si dhe dashurisë. Nga kjo perspektivë  Esad Mekuli mund të rizbulohet si poet emancipues në poezinë shqipe të Kosovës.

Kur është fjala për rolin emancipues, roli i tillë i Mekulit në letërsinë shqipe të Kosovës është shumë më i gjerë se sa më poezinë e vet. Si kryeradaktor i revistës letrare “Jeta e re” Mekuli ishte redaktori-mësuesi i gjithë shkrimtarëve që filluan të shkruanin nga fillimet e viteve pesëdhjetëe këndej. Ishte avokati i tyre përballë pushtetit të rrezikshëm. Në një rast më ka treguar këtë përvojën të tijën me pushtetin: tekstet që zgjidhte për botim detyrohej t’i përkthente serbisht e ato i dërgoheshin për vlerësim ideologjik Stanoje Aksiqit, i cili dinte të bënte vërejtje ideologjike të cilta duhej të mirreshin në konsideratë. Pas kësaj pune të mundimshme, Esadi i finalizonte tekstet e autorëve dhe i botonte. Një punë kaq të mundimshme, ka mundur ta bënte vetëm një njeri që e donte shumë letërsinë dhe që i donte shumë shkrimtarët e rinj, të cilët i mbronte me sa mundej. Falë asaj pune të mundimshme e këmbëngulëse, nga revista “Jeta e re” u konsolidua një gjeneratë e tërë e shkrimtarëve të talentuar, që i dhanë ritmin mbarë e letërsisë shqipe në Kosovë.

Në këtë aspekt, mund të thuhet se Esad Mekuli me revistën “Jeta e re” ishte siç ishte Jeronim De Rada për arbëreshët me ‘Fiamurin e Arbnit” ose Faik Konica për shqiptarët me revistën “Albania.” Pa punën e tij këmbëngulëse dhe të guximshme, letërsia shqipe në Kosovë në vitet pesëdhjetë- tetëdhjetë, do të ishte më e zbehtë, më e zymtë, më pak artistike, më pak patriotike. Ma merr mendja se kjo revistë  duhet të bëhet objekt studimi mirëfilli albanologjik, për ta kuptuar ecurinë e botimit të saj dhe formimin e shkrimtarëve të asaj periudhe, duke përfshirë edhe vlerësimin e vlerave artistike. Revista “Jeta e re”, vërtet mbetet kryevepra dhe përmendorja e përjetshme e Esad Mekulit.      

Nga ana tjetër, siç shënohet në biografinë e tij të përfshirë në vëllimin “Brigjet”, botim i Rilindjes  në vitin 19981, Esad Mekuli ka pasuruar fondin e veprave të përkthyera në gjuhën shqipe me rreth 110 tituj, që është një punë vërtet kolosale.

Në një vështrim rasti si ky nuk mund as të aktualizohen e lere më të zgjidhen disa cështje lidhur me kontesktin ssociologjiko-letrar të poezisë së Mekulit, duke filluar nga gjuha në të cilën janë shkruar e në ndonjë rast edhe botuar ato në vitet tridhjetë, kur në Kosovë nuk kishte asnjë medie në gjuhën shqipe. Por, fakti që ato mbajnë data të viteve 1933, 1934, 1938, etj., ne na jep një alibi t’i konsiderojmë si  origjinale, që nga ajo kohë, në rast se nuk ka ndonjë burim tjetër informacioni për këtë çështje.  E dyta, Mekuli ka lindur në një zonë periferike albanofone, e cila në kohën e tij ka qenë albanofone, por sot nuk është, gjë që duhet të vështrohet e të vlerësohet në kontekstin e reduksionit të hapassirëns hqiptare, pot ë sshprehemi me ternin e Çabejt. Nëse një zonë e tillë ka prodhuar intelektualë të përmasës kombëtare sikundër ishte Esadi, po edhe Hasani, ndërsa sot është zonë e shuar, kjo dëshmon se shteti shqiptar i vitit 1912 dhe ky tjetri i vitit 2008, në planin e ruajtjes së hapësirës kulturore kombëtare, kanë dështuar. Kjo vërtetohet keqaz, jo vetëm në Plavë e Guci, po edhe në Rozhajë e Novi Pazar, të cilat një herë e një kohë kanë qenë qytete dhe hapësira shqiptare.

Për këtë problem, që sigurisht lidhet edhe me fatin e zi të vendlindjes së poetit tonë, e cila sot është tërësisht e dealbanizuar, një ditë do të detyrohemi të japim një përgjigje të sinqertë në pyetjen e thjeshtë: a kemi qenë më keq kur ato toka tonat kanë qenë të sunduara nga osmanët, por kanë qenë me shumicë dërrmuese shqiptare, apo në kohën kur ato toka kanë qenë e janë të sunduara nga sllavët, por me shqiptarë të çrrënjosur, ose të asimiluar? Deri sa ta japim përgjigjen dhe ajo qe është më e rëndësishme, derisa ta gjejmë zgjidhjen për të ardhmen tonë kulturore e kombëtare, na mbetet të përjetojmë si shqiptare vendlindjen e Esad Mekulit dhe të kënaqemi me vargjet e tij për liqenin e Plavës. Kjo është aftësia e poetëve. Ata dinë t’i ruajnë kufijtë e atdheut, edhe kur politikanët e ushtarakët i kanë humbur dhe gjeneratat e reja i kanë harruar. (12 tetor 2020)