Gjatë kësaj jave, disa faqe në rrjetin social Facebook kanë shpërndarë një informacion të pavërtetë, duke prezantuar një aktor të filmave pornografik si një student nga Kosova që ka arritur suksese të mëdha në fushën e mjekësisë në Gjermani.
Postimi, i publikuar në faqet “Lajm Press” dhe “Krejt Shqiptare”, pretendon se një i ri me emrin Fatmir Bajraktari nga fshati Muhoc i komunës së Ferizajt ka fituar vendin e parë në një garë të mjekësisë, drejtimi kardiologji, të mbajtur në qytetin e Frankfurtit në Gjermani. Po ashtu, sipas pretendimeve të postimit, ai ka kontribuar në zbulimin e disa ilaçeve kundër depresionit, por nuk është përgëzuar për sukseset e tij për shkak të prejardhjes së tij nga një familje e varfër.
“Eh moj Kosovë e Shqipëri, asnjëherë nuk dite t’i vlerësosh njerëzit e mirë!”, përfundon mesazhi i postimit.
Megjithatë, kjo histori është krejtësisht e rreme. Krypometër përmes Pim Eyes ka konstatuar se fotografia e bashkëngjitur në postim nuk i përket asnjë studenti nga Kosova, por aktorit spanjoll të filmave për të rritur, Angel Munoz Garcia.
Për më tepër, nuk ekziston asnjë person me emrin Fatmir Bajraktari në fshatin Muhoc të komunës së Ferizajt.
Dezinformimi është konfirmuar edhe nga kontrollues të pavarur të fakteve të licencuar nga kompania Meta, e cila menaxhon platformën Facebook. Si pasojë, këto postime janë shënuar dhe kategorizuar si përmbajtje e rreme.